“Kush vuajti më shumë, Shqipëria a Kosova”

Dialogu im në Inbox me një mik:

Nga Indrit Vokshi

Ai: Mendimi im sintetik: kosovarët mund të kenë vuajtur, por kurrë si ne. Ata maksimumi kanë vuajtur si njerëz, ne si kafshët. Përderisa nuk kanë mbajtur ndonjëherë radhë për bukë, banane dhe kola, nuk mund të flasin dot me ne. Vuajtjet tuaja mund t’ua shisni kujtdo, ama neve jo. Para vuajtjes tonë duhet të ngriheni në këmbë.

Unë: Ata se kuptojnë ketë. Bera pak replikë me atë.

Ai: Prandaj të shkrova!

Unë: Shkon një shok i plakut tim në Mitrovicë, pas luftës. I thotë ky i Kosovës se ne kemi vujt me Titon, më shumë se ju me Enverin. Jo i përgjigjet ky. Sma merr mendja. Jo po, jo jo, debat. Duke shëtitur ky i tregon rrugën e trenit e i thotë: Qe vlla, qitu hipshim e shkojshim për Gjermoni. I thotë ky shoku, kosovar Shqipërie ky: Ngo pra ça po të thom, ti thu hypshe qitu e shkojshe n’Gjermani. Unë në Shqipni, andërr me e pas pa tu shku në Gjermani e me ia tregu dikujt andrrën, më kishin interrnu me gjithë familje.

Ai: Ka edhe më keq: 18 vjeçari në 1985 bën sherr me babain dhe, ashtu i zemëruar, i hipën autobusit e vjen në Zvicër tek dajat!

Unë: Hah. Fiks. Ose kosovarët në protestë në 1980-at: “Spo kena, metëm tu hangër buk e djath”. Këtu u çmendën se këtu skishte as buk as djathë.

Ai: Pikërisht. Ky është thebi.

Koment:
Kosova është vra në luftë. Është përgjakur keq deri në 1999, me burra, gra e fmi. Vuajtje e gjak i pamohueshëm. Mirëpo meqë sot është 17 nëntor, Kosova ose të rinjt e Kosovës duhet të dinë edhe mbi Shqipërinë. Unë e di që nuk e dinë, se skanë nga e dinë. Veç dua tua them; siç ka familje në Kosovë me familjarë të zhdukur, ka në Shqipëri qindra familje me familjarë pa varr, prej pushkatimeve të Enver Hoxhës. Siç ka masakra e Reçakut, Çerezi e Likoshani, ka në Shqipëri “Fushata e 1944-1945” kur brigadat partizane kaluan Shkumbinin dhe nisën terrorin; shkoju në shpi, rrëmbe familjarë, vriti, hidhi në kanal. Me qindra shqiptarë në Tiranë. Bodrumi i hotel Bristolit mes Tiranës ka kutërbuar nga era e kufomave se i kishin lënë aty. Kur nisi fushata mbi Tiranë, kundër Veriut Nacionalist, burra, gra, fmi, të pushkatuar, shtëpi të djegura. Mirëpo kjo nuk është e gjitha. Pas 1945 nis vuajtja. U ndërtuan kampet e interrnimit që në Kosovë nuk njihen. 21 mijë persona në kampe interrnimi. Pa shtresë, vetëm në tokë, fli në llucë e kallama, pa hangër, në kasolle e në pisllik. Shumë grave u kanë vdekur fëmijët në interrnim. Siç ka në Kosovë familje martire, kemi ne shumë miq këtu në Shqipëri, gjysheve e nanave të të cilëve u kanë vdekur fëmijët në interrnim në Tepelenë e Lushnje, jo pak, shumë. Siç ka familje martire në Kosovë që u kanë ra fëmijët në luftë me Serbi, kemi ne miq sot, që etrit, xhaxhallarët e dajat e tyre, kanë ra në luftë kundër brigadave partizane, se fushata e nisur në 1945 ka mbaruar në 1954. Pra janë 9 vjet luftime. Pushkatimet janë në numrin 5000. Me gjyq e pa gjyq. Por ajo çfarë pati tepër Shqipëria, ishte terrori i pakohë. Për 45 vjet askush nuk e dinte kur e kishte rradhën për tu vrarë e interrnuar. E kishin lënë opsion të hapur, mund të vritej secili. Pa llogaritur burgosjet absurde që në Kosovë as imagjinoheshin. Ajo çfarë kishte tepër Shqipëria, ishte zia e bukës. Mosushqyerja. Unë e di që vllaznit e motrat tona në Kosovë nuk e dinë. Se skanë nga e dinë. As munden ta imagjinojnë, se as ne të lindurit e 1989 nuk mundeshim ta imagjinonim derisa na e rrëfyen mirë. Unë e di se për ata Shqipëria është diçka televizive, vitrinë, argëtim, libertine deri në çthurje. Se kjo është fasada e Shqipnisë. Skanë faj. Mirëpo “Shqipnia e Vjetër”, ajo që nuk ka hapsirë televizive ngaqë median e zotërojnë bijt e Bllokut që i kreu këto krime, është Shqipni tjetër, me histori të tjera e me drama të tjera. Është Shqipni e mrekullueshme e aq sa e mrekullueshme, e pafuqishme, sepse është ende e pushtuar. Është ajo Shqipni që në vitet 1940 kanë protestuar masivisht në Tiranë me pankarta “Pa Kosovë e Çamëri, nuk ka Shqipni”. Po as ketë nuk e dinë se ska pasur kush tua tregojë sot as dje. E gjithë Shqipnia e Vjetër u vra, u burgos, u interrnua, i shkuan currila gjaku dhe u shty e u rrokullis në anonimat. Ndaj skanë si e njohin, ngaqë njohin Shqipërinë Zyrtare. Mirëpo duhet ta njohin.