Çfarë është Rezoluta?

Nga Indrit Vokshi

Në fjalorin juridik rezolutë quhet shprehja e opinioneve nga ana e një trupe legjislative. Pra rezoluta është opinion. Parlamenti përmes rezolutës shpreh thjesht OPINION. Rezoluta përdoret si dokument ku shprehet konsensusi dhe mirëkuptimi i palëve parlamentare për një çështje të caktuar. Rezoluta mund të paraqitet edhe si propozim më qëllim për tu adoptuar. Me rezulutë në SHBA psh mund të kritikohet presidenti për veprimet e tij politike si kryetar qeverie, ngaqë kur ka dyshime për shkelje ligji trokitet në derën e gjykatës. Mund të nxirret rezolutë edhe për tu dhënë kurajë Forcave të Armatosura në kohëra lufte. Në Shqipëri mund t’i drejtohet rezolutë presidentit për veprime politike edhe pse nuk është kryetar qeverie, kjo për raste të veçanta kur presidenti me sjelljen e tij ka dëmtuar prestigjin e shtetit dhe të vendit. Për dyshimet për shkelje ligji, nuk jepet opinion politik me rezolutë por trokitet në derën e gjykatës. Mirëpo parlamenti dje i drejtoi rezolutë Gjykatës Kushtetuese duke i kërkuar të mos pranonte anëtaren Marsida Xhaferllari. Kërkesa me ton urdhërues kundrejt Gjykatës Kushtetuese nuk është opinion por presion. Parlamenti ka tejkaluar çdo përkufizim juridik mbi rezolutën. Gjykata Kushtetuese e ka të përcaktuar në kushtetutë se si mundet e si nuk mundet të veprojë. Ka një ligj për “Organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, kështu që parlamenti nuk mundet t’i tregojë e ta udhëzojë me rezolutë Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta Ia ka treguar dhe kushtetuta e ka udhëzuar. Është e panevojshme dhe kur është e panevojshme, bëhet e turpshme. Rezoluta e djeshme ishte shkruar me një gjuhë të dobët juridikisht e mediokre politikisht. Doktorët e jurisprudencës e kanë krijuar rezolutën si instrument për t’i shërbyer institucioneve, kryesisht mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe mesazhit. Në Shqipëri, me rezolutën e djeshme, mesazhi ishte shantazhi. Parlamentarizmi shqiptar në vend që të avancohet e të përmirësohet për të ardhmen, po diskretitohet e denigrohet si në të shkuarën. Mungesa e kulturës juridike e politike, mungesa e vetëdijes institucionale dhe mungesa e mendjeve racionale na degdisin në banalitet, në përdorim të parlamentit dhe të instrumenteve të parlamentare si vendshkarkim të frsutrimeve, interesave anti-kushtetutë dhe të idiotsisë së kollarisur.