“MINI-SHENGENI” SI ARENË E PËRPLASJEVE TË BRENDSHME

Nga Xhelal NEZIRI

Rama, Zaev dhe Vuçiq mund të kritikohen për shumë gabime në qeverisjen e vendeve të tyre, por kjo iniciativë është e mirë dhe duhet thënë publikisht. Nëse ne aspirojmë integrimin në BE ne duhet të sillemi si shtetet e BE-së. Kritikat që i bëhen këtij projekti mendoj se burojnë nga lufta e partive politike brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë përplasje midis partive shpesh tentohen të minohen edhe procese rajonale që janë konstruktive.
Kur në tetor të këtij viti u kumtua lajmi se Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia janë marrë vesh për të avancojnë bashkëpunimin rajonal nëpërmjet formimit të të ashtuquajturit “Mini-Shengen”, në opinionin publik të gati të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor u ndez debati se “çka fshihet pas këtij plani”.

Nga partitë ekstreme në Serbi kjo nismë u konsiderua si një hap më tutje i Edi Ramës për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Më saktë, këtë e ka deklaruar kryetari i partisë radikale serbe Dveri, Boshko Obradoviq. Ndërkaq, një tjetër parti me emrin “Serbia e Re (Nova Serbia)” e ka quajtur iniciativën si “një mashtrim të madh të Aleksandar Vuçiq. “Ai Shengeni i vogël që Vuçiq e nënshkroi me shqiptarët dhe maqedonasit nuk është gjë tjetër përveç se një paradhomë e njohjes së pavarësisë së Kosovës”, ka thënë kryetari i kësaj partie, Velimir Iliq.

Nga ana tjetër, edhe në Shqipëri dhe Kosovë pati zëra kundër këtij projekti, duke t quajtur “plan për krijimin e Serbisë së madhe”. Halil Matoshi, këshilltari i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kundërshtuar ashpër kryeministrin Edi Rama për përfshirje në këtë nismë. Në profilin e tij në Facebook ka shkruar:” Schengeni i Vogël – Serbia e Madhe !?Falë me sh’net Kryeministrit t’Shqipnisë, Edi Rama!?Kjo hartë e Serbisë së Madhe pēr Schengenin e Vogël, dëshmon injorancën e tij galopane në raport me idetë dhe intencat historike serbe për dominimin e Ballkanit Perëndimor, përjatësisht kthimin e Kosovës me 16 shkurt, 2008 !?”. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se nuk mori pjesë në takimin e dytë në Ohër shkaku se Kosova ishte anashkaluar në të parin në Novi Sad. “Nuk dëshirojmë që që zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo lloj iniciative rajonale”, ka thënë ai. Edhe në Shqipëri dhe një pjesë e opinionit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Rama u kritikua se ka përjashtuar Kosovën nga ky proces.

Shengeni është një qytet në Luksmeburg, ku takohen kufijtë e Francës dhe Gjermanisë. Kufiri aty është i padukshëm, kështu që rëndë është të hetohet nëse duke ecur ke kaluar në pjesën gjermane apo franceze. Vetëm disa vija të bardha e të ndërprera e tregojnë se ku gjendet territori i Luksemburgut, ku i Gjermanisë e ku ai i Francës. Në këtë qytet të bukur më 14 qershor të vitit 1985 është nënshkruar Marrëveshja e Shengenit, një traktat që ka bërë që shumica e vendeve evropiane të shfuqizojnë kufijtë e tyre shtetërorë dhe të ndërtojnë një Evropë pa kufij të njohur si “Zona e Shengenit”. Fillimisht është nënshkruar vetëm pesë vende të BE-së, por sot është një nga zonat më të mëdha në botë që i ka dhënë fund kontrollit kufitar midis vendeve anëtare. Koncepti i lëvizjes së lirë midis vendeve evropiane është shumë i vjetër dhe mund të gjendet në mesjetë. Ndërsa, në kohët moderne kjo ide u ringjall qëkur Evropa e pësoi keq nga Lufta e Dytë Botërore. Veprime konkrete në këtë drejtim ndodhën vetëm gjatë viteve 80, pasi Evropa ishte mbërthyer brenda një debati të përhershëm të dy grupimeve kundërshtare: njëra që mbështeste idenë e Evropës së lirë pa kontroll të kufijve të brendshëm midis vendeve, dhe tjetra që ishte absolutisht kundër tij.

Duket se e njëjta ndarje është edhe në Ballkan. Në këtë iniciativë, për fat të keq, nuk u gjet një qytet në një trekëndësh kufitar me të cilin do të pagëzohej ky projekt. Ajo që po i ndodh tani kësaj ideje rajonale është ngarkimi me tema të politikës së brendshme në shtetet e Ballkanit Perëndimor, e stërmbushur me armiqësi ideologjike apo partiake.

Nëse lëmë anësh këto animozitete për qëllime të politikës ditore, kjo nismë del të jetë e mirë pasi paralajmëron evropianizimin e Ballkanit si një rajon problematik. Në të njëjtën mënyrë si Franca dhe Gjermania nxitën nënshkrimin e Traktatit të Shengenit, këtë sot e bëjnë Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia. Apo, njëjtë siç u krijua Bashkimi Evropian, kur me Traktatin e Romës në vitin 1957 u krijua Unioni Ekonomik Evropian, në të cilin fillimisht bënin pjesë Franca, Belgjika, Luksemburgu, Italia, Holanda dhe Gjermania Perëndimore. Pas më pak se dy dekada nga Lufta e Dytë Botërore, Franca dhe Gjermania si armiq të dikurshëm filluan të punojnë bashkë për të mirën e përbashkët. Rezultati është evident – sot kemin një BE të zhvilluar e cila në 60 vitet e fundit nuk ka pasur asnjë luftë brenda territorit të saj. Ballkani nuk duhet të shpikë ndonjë formulë tjetër që të tejkalojë armiqësitë, por thjesht nevojitet të kopjojë procesin e paqtimit të vendeve që sot përbëjnë BE, e që kanë në historinë e tyre luftëra të përgjakshme me milionë viktima.

Nga rënia e kufijve asnjëherë nuk mund të ketë efekte negative të theksuara, por përkundrazi. Lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, kapitalit, dijes e kështu me radhë mund të sjellë një zhvillim më të theksuar në këtë rajon. Në të kundërtën, izolimi në kufijtë shtetërorë dhe nxitja e vazhdueshme e armiqësive të reja vetëm se mund të përsërisë konfliktet apo luftërat e përgjakshme të Ballkanit. Nëse kjo iniciativë arrin të realizohet dhe të përfshijë të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë do të ishte një hap i madh drejt pacifikimit të këtij rajoni të trazuar nga armiqësitë shekullore. Nuk besoj se ky projekt do të jetë zëvendësim për perspektivën evropiane të vendeve aspirantë. Përkundrazi, do ta plotësojë procesin e integrimit në BE dhe do t’i japë një shtytje të jashtëzakonshme integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian. E them këtë nga shkaku se nëse Ballkani shndërrohet në një rajon i sigurte dhe demokratik, që numëron 18 milionë banorë, atëherë do ta ketë shumë më lehtë të bëhet pjesë e BE-së. Në fakt, interesi i zgjerimit të BE-së do të jetë i njëjtë si në Bruksel ashtu edhe në Ballkan, e jo si tani ku gjashtë vendet e rajonit shihen si burim i armiqësive, krimit të organizuar dhe terrorizmit në Evropë.

Natyrisht se Kosova është një shtet i pavarur në Ballkanin Perëndimor. Pra është një nga gjashtë vendet që përbën këtë rajon, dhe si e tillë mund të jetë burim stabiliteti dhe paqe por edhe i konflikteve të reja. Kjo natyrisht se nuk varet vetëm nga Kosova, por edhe nga vendet tjera, në radhë të parë nga Serbia. Sidoqoftë, nuk mendoj se mungesa e ftesës për Kosovën duhet parë si mospërfshirje të saj në këtë proces. Unioni Ekonomik Evropian u formua vetëm nga gjashtë shtete, që në vitin 1993 të shndërrohet në Bashkim Evropian me 12 shtete, kurse sot numëron 28 vende anëtare. Mini-Shengeni nuk mund të jetë i plotë e i qëndrueshëm pa përfshirjen e Kosovës, por edhe të Bosnjës e Hercegovinës dhe Malit të Zi.

Rama, Zaev dhe Vuçiq mund të kritikohen për shumë gabime në qeverisjen e vendeve të tyre, por kjo iniciativë është e mirë dhe duhet thënë publikisht. Nëse ne aspirojmë integrimin në BE ne duhet të sillemi si shtetet e BE-së. Kritikat që i bëhen këtij projekti mendoj se burojnë nga lufta e partive politike brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë përplasje midis partive shpesh tentohen të minohen edhe procese rajonale që janë konstruktive. /KDP