Komunisti Dvorani, gjyqtari i tre regjimeve që shkaktoi krizën e tanishme kushtetuese


Njolla më e madhe që po i vendoset reformës në drejtësi, e cila ka degraduar në pikën e betimit të gjyqtarëve kushtetues përpara noterit, ka vetëm një emër: ajo lidhet me gjykatësin Ardian Dvorani, që është njëkohësisht edhe kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).

Për të kuptuar më mirë sesi u arrit deri këtu, duhet njohur më me thellësi karriera e tij. Prej nga vjen, kush e ka katapultuar dhe cilat janë njollat e së shkuarës.

Për të gjithë antikomunistët, ky gjyqtar i kohës së diktaturës do të mbahet mend gjatë se pikërisht në periudhën kur regjimet totalitre në botë ishin shembur, ai dënoi qytetarë shkodranë me 15 vite burg, për terrorrizëm, vetëm se kishin rrëzuar, lexojeni mirë…kishin rrëzuar, bustin e Stalinit në dhjetor ‘90.

Partia Demokratike ia ka përmendur shpesh këtë fakt, duke e stigmatizuar për mbrojtjen deri në fund të një diktature në agoni, duke ia kthyer parç dhe mbrapç këtë vendim të 13 dhjetorit ’90.

Por, historia nuk mbaron me kaq. Ky personazh që demokratët e urrejnë sa më s’bëhet, rrezulton ti ketë shërbyer edhe atyre, me të njëjti zell siç dinte ti përunjej stalinistëve të fundit të Europës.

Në kohën kur Berisha erdhi në pushtet, ai qëlloi të ishte anëtar i Gjykatës së Lartë. Në rrethet e juristëve nisur nga e shkuara e tij, por edhe nga lidhjet e ngushta që kishte me Fatmir Xhafën, mbikqyrësin e PS-së në gjyqësor, ai njihej si një “i pavarur” pranë së majtës. Kjo bindje u shtua edhe më shumë, pasi ai humbi të vëllain, gjatë tragjedisë korruptive të Gërdecit.

Çdo opozitar, i rregjimit të Berishës ndihej i sigurtë se kishte një përkrahës në gjykatën supreme të vendit.

Por, kur erdhi puna të vihej në provë, vëllai i viktimës së fabrikës së vdekjes, i zhgënjeu të gjithë ata.

Në momentet më kruciale, atëherë kur duhet të gjykonte pataten e nxehtë të videos Meta- Prifti, që u bë edhe sebepi i masakrës së 21 janarit, Ardian Dvorani do ta nxirrte në pah karakterin e tij të vërtetë.

Të gjithë e mbajnë mend se Sali Berisha u përpush me mish dhe me shpirt ta nxirrte të pafajshëm aleatin e tij, të cilit në formë presioni ndaj gjyqtarëve, i shkoi për darkë një ditë para procesit. Një nga ata që e hëngri këtë presion duke ndikuar që rezultati në Gjykatën e Lartë të dilte 5-0 pro Ilir Metës, do të ishte pikërisht ai, Ardian Dvorani.

Thashethemet atëherë qarkulluan se e kishin shantazhuar me një video të dyshimtë, duke e bërë të ndryshonte qëndrim.

Megjithëatë, ndonëse ky aludim nuk u vërtetua asnjëherë, ai mbeti si një nga gjykatësit që i shërbyen Berishës, atëhere kur i duhej më shumë dhe kur e pati më të nevojshme.

Kohët ndryshuan shpejt. Meta e braktisi Berishën për tu vllazëruar me Ramën dhe radha erdhi edhe për kameleonin Dvorani, sërisht. Ish stalinisti që i shërbeu Saliut, tani do të konvertohej sërisht si i majtë.

Fati i tij i madh ishte se ardhja e Rilindjes në pushtet përkoi edhe me projektin ogurëzi të kapjes së drejtësisë. Ajo do ti lejonte Dvoranit të vazhdonte të qëndronte në Gjykatën e Lartë edhe pas skadimit të mandatit, ndonëse kolegët e tij dhanë dorëheqjen kur u mbaroi afati.

Aftësia për tu lëpirë me pushtetin e radhës e shpëtoi edhe në vetting. Ndonëse për shumë më pak sesa kaq kolegë të tij ishin djegur gjatë rivlerësimit, ndonëse nuk i rrezultonin 100 milionë të justifikuara të pasurisë dhe i mungonin 4 faqe “prej pakujdesisë” në formularin e pasurisë, Dvorani doli i pastër.

Jo vetëm kaq, pasi vettingu dogji Zaganjorin, ai u bë formalisht edhe kryegjyqtar i gjykatës së lartë, me vetveten si anëtar të vetëm.

Me këtë tagër u emërua në fillim të këtij viti kryetar i Këshilli të Emërimeve në Drejtësi (KED), nga ku prodhoi edhe kaosin e tanishëm.

Ndonëse Ardian Dvorani tentoi të kandidonte në Kushtetuese për shërbimet e bëra, partisë i duhej përkohësisht në KED dhe ai dha momentalisht dorëhejen nga ambicia e tij.

Në KED duhet të përzgjidhte anëtarët për Gjykatën Kushtetuese, ngritja e së cilës isht shndërruar në një urgjencë për ndërkombëtarët dhe ishte shënuar në një nga 9 kushtet e Bundestagut Gjerman.

Po të rilexohen deklaratat e tij, si ajo që i dha në qershorin e kaluar A2 CNN, se që në atë kohë listat e kandidatëve ishin gati dhe në shtator ata duhet të zgjidheshin në kushttuese, kuptohet më mirë gjithçka.

Por, këtu, në bashkëpunim me Rilindjen, filloi procesi i vonesës, qëllimi i së cilës ishte çuarja e zarave të partisë në krye të drejtësisë.

Dvorani në një dakordësi të hapur me Parlmentin e drejtuar nga Ruçi, bënë gjithçka për ti hequr mundësinë e një zgjedhje të lirë presidentit Meta. Ai që nga data 21 shtator (pra pikërisht atëhere kur pati deklaruar se procesi do përfundonte) e deri në 7 nëntor i mbajti të fshehura në sirtarin e skrivanisë së tij, listat tashmë të votuara nga anëtarët e tjerë të KED. E bëri këtë me qëllim, pa njoftuar asnjë nga kolegët dhe megjithëse ligji nuk i njeh asnjë të drejtë më tepër se këta të fundit.

Pastaj në bashkërendim me Gramoz Ruçin, ia dërgoi listat parlamentit në afatin e skajshëm, deputetët i vonuan po në afatin e skajshëm prej 30 ditësh, në mënyrë që Arta Vorpsi të zgjidhej automatikisht dhe të shmangej Ilir Meta nga procesi.

Si pasojë e këtyre manovrave sa meskine, po aq edhe perverse, ne jemi sot në gjendjen që kemi dy të emëruara në një karrige për Gjykatën Kushtetuese, dhe në pozitën groteske, kur njëra prej tyre shkon e betohet përpara një noteri buzë Lanës.

Ky pra është kontributi i një personazhi si Ardian Dvorani, stalinisti i fundit në Shqipëri, njeriu që e ndohmoi regjimin e Berishës duke e shpëtuar në Gjyqin e Metës dhe që tani po i shërben me zell rilindjes.

Kuptohet se duke pasur në krye kameleonë të tillë, tipikë për tranzicionin shqiptar, ku do të përfundonte reforma Euro- atlanteike në drejtësi, aq shumë e propaganduar nga ata që na kanë lënë tashmë shëndenë: Lu dhe Vllahutin.

©Lapsi.al