Përpjekja e fundit e ‘gruas së Bilalit’ për të bërë pis Bashën

Nga Gentian Gaba

Gjuetia e shtrigave sosi; fushata anti-opozitë, e ngjizur me shkrimin e publikuar nga revista e majtë amerikane ‘MotherJones’, është në dekikat e fundit. Pas kërkesës së Partisë Demokratike për një hetim të plotë mbi akuzat e ngritura nga shtypi dhe propaganda e mazhorancës, pas një përdorimi sistematik të saj në momentet më të dobëta të Edi Ramës, dosja u çua në gjykatë. Nga sa është bërë publike, mësohet se akuzat për ‘lobimin rus’ ishin pa rusët; se, përtej spekulimeve të mediave pranë qeverisë, nuk ka pasur asnjë hetim amerikan mbi zyrtarët e Partisë Demokratike.

I shfrytëzuar me pohe e me bujë, për të vijuar betejën politike me mjete të tjera, hetim, që pretendonte të kthente vendin në kohën e Luftës së Ftohtë, me agjentura ruse dhe spiunë shqiptarë, u kthye në një akuzë për falsifikim formulari. Edhe kjo për t’u provuar në gjykatë.

Një rënie akuzash që shuan edhe dyshimet mbi arsyet pse kjo dosje dilte në sipërfaqe, sa herë mazhoranca kishte nevojë për të spostuar vëmendjen e opinionit publik. Prandaj kjo çështje ‘plasi’ kur socialistët ishin në mbrojtje të Saimir Tahirit, apo u risoll në vëmendje kur u publikua skandali i vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Me të njëjtin qëllim u përdor kur u publikuan fragmentet e para të dosjes 339, e cila implikon Vangjush Dakon (që për ironi të fatit është shpallur nongrata nga Shtetet e Bashkuara), por edhe kur BILD publikoi dosjen 184 dhe në të cilën spikaste vetë kryeministri Rama.

Një hetim selektiv që lë cullake prokurorinë përballë së vërtetës, sidomos kur palët politike janë në një moment me konfliktualitet të lartë edhe falë paaftësisë, më së paku, të organit të akuzës për të zbardhur krimet zgjedhore që qëndrojnë në origjinën e krizës. Tinëzare është po ashtu edhe zgjedhja e prokurorisë për të hetuar Bashën dhe zyrtarët e tjerë të PD-së, vetëm në bazë të një artikulli gazetaresk, por për të mos hapur asnjë hetim kur drejtësia amerikane dënon dy prej orkestruesve të fotografisë së Edi Ramës me BarackObamën.

Në fakt skandali i vitit 2012, ku për një foto me Presidentin amerikan u paguan 80 mijë dollarë, është zbardhur thuajse plotësisht nga drejtësia amerikane. Gjatë 7 viteve, hetimet e SHBA kanë zbuluar skemën e mashtrimit dhe kanë dënuar shqiptaro-amerikanin Bilal Shehu, me një vit burg dhe, në fillim të tetorit, greko-amerikani WilliamArgeros, i cili u dënua me 4 muaj burg, nga dy vjet që kërkoheshin nga akuza, pasi bashkëpunoi me drejtësinë amerikane sepse ligjet e atjeshme i ndalojnë financimet nga jashtë për fushatë, po ashtu edhe pjesëmarrjen e të huajve në ceremonitë e mbledhjeve të fondeve. Zëri i Amerikës dhe media të tjera ndërkombëtare, duke cituar atë që avokati i qytetarit greko-amerikan ka thënë në gjyq, raportojnë se: ‘Klienti i tij ka vepruar në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama’.

Por, me sa duket, për prokurorinë shqiptare revista MotherJones është më prestigjioze se Departamenti Amerikan i Drejtësisë, sepse i vetmi gjemb që i ka hyrë në këmbë kryeministrit nga kjo histori është apelativi ‘guraja e Bilalit’. I cili nënkupton qesëndisjen për faktin që Rama e fitoi foton me Obamën duke shfrytëzuar biletën e zonjës Shehu, por është krejt i pamjaftueshëm nga momenti që kreu i PS-së nuk dha kurrë llogari për prejardhjen e 80 mijë dollarëve me të cilët financoi fushatën dhe shkeli ligjet amerikane.

Megjithatë, ky teatër nuk ka sjellë në shfaqje vetëm ‘lobimin rus’ pa rusët, apo selektivitetin e një drejtësie të anshme, por edhe një dimension shumë domethënës të betejës politike, frikën e Ramës. Në pamundësi për të mirëqeverisur, me korrupsionin galopant të instaluar nga rilindasit e tij, me krimin që po lulëzon në çdo cep të Shqipërisë dhe me rrezikun e një kolapsi ekonomiko-financiar mbrapa derës, e vetmja alternativë që i mbetet për të ruajtur pushtetin është të luftojë me çdo mjet kundërshtarin.

Prandaj jemi dëshmitarë të inflaksionit të sulmeve ndaj kreut të opozitës; pasojë e frikës së Ramës nga bilanci i tij fatzi në krye të vendit dhe zgjedhjeve që afrojnë nën diktatin e kushteve të Bundestagut.

Sigurisht kjo do të jetë përcaktuese për të ardhmen e opozitës. Jo sepse u shfry tentativa më e fundit për të bërë pis Bashën, por sepse ky i fundit ka përballë një kundërshtar i cili, pas shtatë vitesh aspak të lumtura për vendin, nuk beson te shpëtimi nëpërmjet mirëqeverisjes, por nëpërmjet sulmeve politike; një kundërshtar që merret me mbijetesën e tij dhe jo me Shqipërinë. Një lajm i mirë për opozitën, sepse tashmë e ardhmja e vendit dhe përgjegjësit që kjo mbart, andrallin vetëm atë.