Nga Rinasi në Angli me karta identeti italiane falso, 3 të arrestuar

Operacioni i koduar “Destinacioni final”, në Rinas ka bërë të mundur prangosjen e tre personave të cilët nëpërmjet falsifikimit të dokumentave dhe kundrejt perfitimeve financiare ndihmonin shtetas të ndryshëm për kalimin e paligjshëm të kufirit.

Në pranga përfunduan shtetasit me iniciale E. B., 33 vjeç, dhe E. Xh., 25 vjeç, të dy banues ne Tepelene, si dhe K. X., 19 vjeç, banues ne Tirane.

Gjatë kontrollit që iu bë këtyre personave nga Policia e Rinasit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 karta identiteti dhe 3 karta shëndeti italiane të dyshuara si të falsifikuara.

Këta tre shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë pasi kishin siguruar paraprakisht dokumenta të falsifikuara italiane me gjeneralitete të shtetasve të tjerë (italianë) kanë tentuar të kalojnë nëpërmjet aeroportit të Rinasit tranzit drejt aeroportit të Milanos me destinacion final në Mbretërinë e Bashkuar.

Vijon puna për identifikimin e bashkëpunëtorëve që kanë pajisur këta shtetas më dokumenta të falsifikuara dhe që do ti ndihmonin për të kaluar në mënyrë të paligjshme drejt Britanisë së Madhe.