Policia që duam! Shkarkohet polici i parë që hyri në Vetting

Vettingu në Polici nuk ka nisur me këmbë të mbarë: Polici i parë që shkeli Vetingun, Oltion Shehu, është shkarkuar. Shehu mban detyrën e Drejtorit të Inspektimit dhe Ankesave në SHÇBA-së. Por sot ai u shkarkua nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit.

Arsyet e shkarkimit të tij janë të lidhura me burimet e ligjshme të krijimit të pasurisë – shtëpi dykatëshe dhe një mainë – si dhe me mosregjistrimin në sigurimet shoqërore në kohën kur punonte si menaxher në një salë bingoje. Trupa e vlerësimit e KJV përbëhej nga Ela Kerka kryesuese, Marjeta Gjela relatore dhe Ana Kapaj, anëtare. “Subjekti sqaroi se nuk ka dokumente ligjore për të vërtetuar të ardhurat dhe kursimet deri në vitin 2003, por ka thënë se ka punuar në informalitet tek bingo Ylli në Tiranë në vitet 1996-1997 duke pretenduar se ka siguruar rreth 2.5 milionë lekë nga të cilat ka kursyer 1 milionë”, tha relatorja Gjela.