Fajin për “atentatin” ndaj Ndojit e kanë fshirëset e xhamit

Nga Vëlla Shkumbini

Ekziston një vend në botë ku ka persona që përleshen me armë, nga makinat e tyre, në autostradë, pikërisht aty ku kalojnë dhe njerëz të tjerë, familjarë, punëtorë dhe fëmijë.
Ku personat që përleshen ndërmjet njëri-tjetrit nuk janë njerëz rruge, por profesionistë që punojnë në shëndetësi dhe në organet e drejtësisë.
Ku gjenden dokumente të vjedhura të para një viti në postë, për prona të mëdha e që nuk gjendeshin gjëkundi, në po të njëjtat makina që kalonin në autostradë, e nga ku profesionistë të respektuar të shëndetësisë dhe drejtësisë shkëmbenin breshëri plumbash.
Ku ndodh që dosja që gjendet në këto makina është vjedhur pikërisht në zyrën postare të vëllait të njërit prej personave të plagosur nga të shtënat e armëve, që rastis të jetë i kërkuar për krime të rënda nëpër Evropë, për tre-katër emra që ai ka mbajtur më parë, por jo për emrin që mban tani.
Ku dosja e gjetur në skenën e këtij “krimi”, e vjedhur në zyrën postare të drejtuar nga vëllai i njërit të plagosurve, është provë për pronësinë e disa sipërfaqeve të mëdha në bregdet, të një gjykatësi që është vrarë tragjikisht para tetë vitesh, ndërsa autorët nuk janë gjendur ende.
Ku në telefonin e njërit prej të dyshuarve për breshërinë e plumbave gjenden thirrje-marrje të shpeshta nga një vajzë e famshme e ekranit të vogël, e cila ka punuar në të njëjtin kanal, në emisionin satirik të prodhuar dhe drejtuar nga komshijtë e një gazetari me pushtet që i lakohet gjithnjë emri sa herë flitet për vrasjen tragjike të gjykatësit, me të cilin me sa thuhet i mbivendoseshin dhe disa prona.
Ku zyrtarë të lartë të drejtësisë nuk e dinë se udhëtojnë me persona të kërkuar nëpër Evropë, për dy-tre emrat e parë që kanë pasur, në makina të marra borxh nga biznesmenë me drejtues mjeti që nuk dihet kush dhe si paguhen.
Ku parabola e ngjarjeve përfundon me vdekjen tragjike pikërisht të drejtuesit të mjetit, djalit më të ri që për të lidhur historinë, sapo kishte mbaruar tetëvjeçaren në kohën kur u vra tragjikisht me atentat gjykatësi që zotëronte pronat në dosjet e gjetura në makinë. E tmerrshme!
Mund të duket sikur në këtë vend të botës ka diçka që nuk shkon, ose nuk shkon asgjë fare. Por përpara se çdokush të fillojë të shajë qeverinë dhe të ndajë faje, unë kam një tezë tjetër se çfarë mund të ketë ndodhur.
Unë mendoj se fajin e kanë fshirëset e xhamit. Fshirëset ishin të konsumuara dhe në një moment, drejtuesi i mjetit për të hequr një grerëz, që ishte përplasur tek xhamat i parë, i lëviz pak timoni nga duart, duke shkelur vizën e mezit dhe prerë paksa rrugën një makine tjetër që ishte duke tentuar parakalimin.
Në makinën tjetër ndërkohë, ku ishin dy gjahtarë pa zagarë dhe me armë gjysëm-automatike, pasagjerët panikosen dhe padashje u shpetojnë disa të shtëna nga armët, të cilave kishin harruar t’i vendosnin siguresën.
Të frikësuar drejtuesit ikin nga sytë-këmbët dhe lënë makinë diku larg. Ndërsa makina të cilës nuk i punonin fshirëset e xhamave del nga rruga dhe rrokulliset në lëndinë duke zënë poshtë një pirg dokumentesh të braktisura më parë aty nga disa endacakë. Disa dosje nga pirgu, që rastësisht ishin të pronave në bregdet, futen në makinë. Për informacion të përgjithshëm dosjet nuk ishin të vjedhura, por gabimisht ishin hedhur nga punonjëset e pastrimit.
Ndërkohë, punonjësi i shëndetësisë që akuzohet si autor në ngjarje, në fakt nuk ka lidhje. Syzet e gjetura, i kishin humbur në një lavazh para shumë kohësh dhe ishin harruar nga lavazhierët tek makina e gjahtarëve. Ndërkohë vajza e famshme e ekranit të vogël ishte thjesht një paciente e cila konsultohej vazhdimisht me të.
Pra çdo gjë shpjegohet dhe besoj se prokuroria do çelë çështje kryesisht ndaj personit që ka dhënë borxh makinën, për neglizhencë në ndërrimin e fshirëseve të xhamit.