Edhe Auditet e brendshme tregojnë Korrupsionin| 43 milionë $ dëmi i konstatuar, tenderët shkaktari kryesor

Afërsisht 43 milionë dollarë është vlera e dëmit ekonomik të konstatuar gjatë vitit të shkuar nga njësitë audituese brenda vetë institucioneve publike. Scan ka zbardhur raportin analitik përfundimtar të rezultateve të kontrolleve të ushtruara nga 127 njësi të auditit të brendshëm.

Nga të dhënat, evidentohet se gjatë vitit 2018, sistemi i prokurimeve ka pasur gjetjet me vlerë më të madhe të shkeljeve të konstatuara, duke zënë edhe pjesën dërrmuese të dëmit të konstatuar nga njësitë audituese.

Dëmi i konstatuar në fushën e prokurorimeve arrin në vlerën e 3.4 miliardë lekëve, afërsisht 34 milionë dollarë.

Shkeljet në procedurat e privatizimit, shitjes apo qiradhënies së pronave publike është një tjetër zë ku është konstatuar një shifër e konsiderueshme dëmi ekonomik që në total arrin 123 milionë lekë, afërisht 1.2 milionë dollarë.

Në këtë shifër nuk është marrë parasysh edhe dëmi ekonomik i shkaktuar nga administrimi i pronave dhe pasurive që vlerësohet në masën 17.5 milionë lekë.

Totali i dëmit ekonomik të shkaktuar nga Tatimet, taksat dhe doganat arrin në 378 milionë lekë, afërisht 3.7 milionë dollarë, ndërkohë që shkelje të konsiderueshme janë hasur edhe me pagat, shpërblimet, trajtimet, apo komisionet të cilat arrijnë vlerën e 146 milionë lekëve.

Ndërkohë që modeste është vlera e dëmit ekonomik të konstatuara në zërin Koncesione dhe ankande, i cili në total arrin vlerën prej 52 milionë lekësh, afërisht gjysmë milioni dollarë, raporton ScanTv.