Pse e simpatizoj Ramush Haradinajn!

Nga Indrit Vokshi

Dikush mund të thotë çfarë i simpatizon atij, ai nuk është intelektual, nuk është bilbil e nuk e përdredh fjalën. Smë bën përshtypje kjo, ngaqë jam në atë fazë jete që kam parë njerëz të titulluar intelektualë, bilbila e që dinë ta përdredhin, ta trazojnë e ta tëhollojnë fjalën, mirëpo vetëm kaq. Llafollogë e propagandistë. Nuk kanë karakter. Unë nuk e vlerësoj demagogjinë, nuk e quaj vlerë. Mund të thonë Ramushi nuk është aq etik, nuk është aq elegant, flet me zhargon katunar, tepër folklorik etj. As kjo pikë përshtypjeje nuk më bën. Snobistat e kullerat të cilët janë shumë modernë, çfarë janë ata? Asgjë. Thonë Ramushi ka klan, ka djem të fortë me vete, djem që kanë bërë dëme. E di. A nuk kam shpresuar e nuk kam pendehur që nuk do t’i ketë me vete. Më pëlqen me qenë realist; nuk është Kosova (e as Ballkani) metropolitane. Nuk është as kapërcimi i realiteteve e i jetës aq i lehtë, që kryen luftën ti dhe i shpëton të shkuarës së luftës kollaj duke u transformuar. I ikën dhe i arratisesh me lehtësi atij botëkuptimi kanunor e rapsodik që të ka frymëzuar për atë luftë. Nuk ka mundësi. Vlerësoj që ka ardhur në vitet 1990 në Shqipëri për të kaluar luftëtarë në kufi për t’i bërë gati për luftë. A u duket e lehtë ju që të kalosh maleve tre ditë në këmbë? Në 1997 duke kaluar i është vra vëllai në kufi në pritën serbe. E ka mbajtur vëllain katër orë në krah të vdekur për ta çuar e për ta varrosur në Vlahën të Hasit. E ka varrosur e ka ikur në Zvicër. Është sulmuar në Gllogjan në shtëpinë e vet nga forcat serbe. Ka larguar gra e fmi dhe ka luftuar. I plagosur në këmbë e në dorë. Ka shpëtuar. Nuk është e lehtë të të rrethohet shtëpia me mjete të rënda ushtrie. Në 1999 i kanë lajmëruar se një grup ushtarësh po shkojnë për të masakruar civilë. U kanë dalë para, skuadra e parë është asgjësuar, kryesuesi i skuadrës ka qenë vëllai Shkëlzeni. E ka varrosur edhe Shkëlzenin me duart e veta. I ka nejt luftës dhe po të ishte çmendur dhe të kishte kaluar psiqikisht, do ta kisha mirëkuptuar, se varros vëllezër e nipa, të afërm e kushërinj me duart e tua, se di. Nuk janë punë të lehta këto, nuk janë për gjithkënd. Unë vlerësoj ata që i rrinë luftës, se në luftë e ke lënë jetën kapar. E ke kaparuar tek vdekja. Dhe besoj kushdo, secila shoqëri normale e me vlera i çmon të tilla sakrifica. Smund ta ketë “brilancën” e showbizit politik ky person. Mund të gabojë dhe të bëjë gabime trashanike. Veçse smundesh të mos e respektosh. Kjo nuk lidhet ngushtësisht me votën masive e spo them unë që duhet ta votojnë masivisht, sepse kështu themelohet tirania. Njerëzit në Kosovë kanë të drejtë të kërkojnë rrugë të reja, zgjidhje të tjera, smund tu thuash mos. Ky është cikli. Të tilla janë shoqëritë. Krejt dakord. Mirëpo respekt duhet me pasë, vlerësim duhet me shpreh, si për Ramushin, në daçi edhe për Sami Lushtakun etj.

more recommended stories

loading...