Kthimi i Alvin Berishës| Politika italiane apel qeverisë shqiptare

Nga: Alba Kepi

Historia e 11 vjeçarit shqiptar Alvin Berisha, jetim dhe i plagosur në kampin e të burgosurve Al Hol të Sirisë ka tronditur opinionin publik e politikën italiane.

Menjëherë pas përcjelljes së historisë së tij në emisionin investigativ “Le Iene”, politika italiane ka aktivizuar një aksion konkret drejtuar qeverisë e diplomacisë italiane për kthimin e Alvin pranë familjes, babait e dy motrave të tij.

Deputetë e politikanë të krahëve të ndryshme të politikës italiane mbajnë të njëjtin qëndrim për këtë ngjarje dhe të njëjtën thirrje: “Liri për Alvin” si edhe largimin e tij sa më shpejt nga kampi sirian ku i rrezikohet jeta.

Në seancën parlamentare numër 245 të datës 24 tetor 2019, deputetja e Lëvizjes 5 Yje, Valentina Corneli i ka kërkuar deputetëve italianë vëmendje ndaj rastit të 11 vjeçarit shqiptar.

“Kërkoj vëmendjen tuaj,”- tha ajo, “Ndaj ngjarjes dramatike të vogëlushit Alvin, i lindur në Itali e me origjinë shqiptare e që tani ndodhet në një rrezik të madh në një kamp të burgosurish në Siri. Autoritetet shqiptare nuk po bëjnë sa duhet dhe ne si qeveri italiane duhet të bëjmë ç’është e mundur që Alvin të shpëtohet, e do t’i kërkoj Ministrisë së Brendshme të marrë në vlerësim propozimin që vogëlushit Alvin t’i njihet nënshtetësia italiane, pasi ne duam që Alvin të shpëtohet e të jetë i shëndetshëm, ne e duam Alvin në Itali dhe shtetas italian.”

I të njëjtit mendim është dhe deputeti i Partisë Demokratike, Gian Mario Fragomelli në një konferencë shtypi të mbajtur në bashkinë e qytezës Barzago, vendbanimi i familjes Berisha.

“Ministria e jashtme italiane është vënë në alarm për rastin e Alvin Berishës dhe ka informuar autoritetet shqiptare por nuk mund të ndërhyjë pasi ai dhe familjarët e tij janë shtetas shqiptarë,”- u shpreh ai.

Ideja për vizitën e një delegacioni ministerial italian në kampin e Al Hol në Siri mbeti vetëm një propozim pas ndërhyrjes së forcave turke në Siri.

“Hipoteza e një udhëtimi të tillë tashmë është momentalisht e paimagjinueshme për motive sigurie,”-është shprehur deputeti italian.

Çdo ditë po përshkallëzohet dhe aksioni politik i qeverisjes lokale të rajonit të Lombardisë. Këshilltarja Paolo Romeo e Partisë Forza Italia propozoi pak ditë më parë miratimin e një mocioni drejtuar kryeministrit Conte, ministrit të Jashtëm Luigi Di Maio e ministres së Brendshme Luciana Lamorgese.

Ku mocion i miratuar unanimisht nga të gjithë këshilltarët rajonalë të të gjitha forcave politike i drejtohet qeverisë italiane ta nisë sa më shpejt dialogun diplomatik dhe me autoritet shqiptare si dhe me Ambasadat italiane e shqiptare në Turqi për kthimin e 11 vjeçarit Alvin Berisha në Itali.

“Alvin Berisha ndodhet në një kamp të burgosurish ish terroristë të Isis në Siri e pas vdekjes së nënës së tij, ndodhet i vetëm, duke përballuar një tjetër luftë që mund të lë plagë të thella tek ai,”-ka deklaruar nismëtarja e këtij mocioni Paola Romeo. “Prandaj institucionet kanë për detyrë të reagojnë e ta kthejnë Alvin sa më shpejt pranë familjes së tij në Itali”.

Për të sensibilizuar dhe vëmendjen e shoqërisë italiane ndaj këtij rasti, selia qendrore institucionale e rajonit të Lombardisë në qytetin e Milanos, pallati Pirelli, emblemë historike e arkitektonike e qytetit, prej mbrëmjes së djeshme ka ndezur dritat me fjalët “Free Alvin”.

Gjithashtu një peticion online i firmosur deri më tani nga mijëra qytetarë shqiptarë e italianë i drejtohet dhe autoriteteve shqiptare të mos vonojnë në aksionet e tyre për të sjellë Alvin Berishën pranë familjes në Barzago të Italisë.

Alvin Berisha, babai i tij Afrim e dy motrat e tij Klenisa e Mikela kanë leje qëndrimi afatgjatë në Itali lëshuar nga Prefektura e Leccos më 28 qershor 2010. Ata janë shtetas shqiptarë