Arrestimi i Redjan Rrajës| Zëri i Amerikës: I vetmi detaj që dihet, lidhja me deputetin e PS

Policia shqiptare njoftoi në Tiranë arrestimin e shtetasit Redjan Rraja, i dyshuar si një nga autorët e atentatit me armë zjarri të premten ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoji, shoferit të tij Andi Maloku dhe udhëtarit tjetër në automjet Pëllumb Muharremi.

I vetmi detaj që njihet deri tani nga publiku është lidhja e tij familjare me deputetin e Partisë Socialiste Rrahman Rraja.

Redjan Rraja dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, sulmoi me armë zjarri nga një automjet në ecje përgjatë autostradës Tiranë – Durrës prokurorin Ndoji mbrëmjen e së premtes.

Automjeti me të cilin ai po udhëtonte u qëllua me breshëri automatiku në një nga rrugët hyrëse të Durrësit.

Ndoji mbeti i plagosur, por është jashtë rrezikut për jetën. Shoferi i tij Andi Maloku është në gjendje më të rëndë nga plumbat në pjesë kritike të trupit.

Një person i tretë u plagos në automjet me emrin Aleksandër Laho, për të cilin njoftohet se ka ndërruar disa identitete.

Emri i prokurorit Ndoji tërhoqi vëmendjen e publikut pak javë më parë, pas urdhërit të tij për arrestimin e Drejtorit të Hipotekës së Durrësit, Liridon Pula.

Ky akt solli reagimin e pazakontë nga drejtuesit më të lartë të Qeverisë, kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrit Erion Braçe, të cilët në mënyrë të përsëritur e akuzuan atë si një personazh të lidhur me botën e krimit, e që vepron për llogari të bandave të Durrësit.

Prokurori Ndoji më herët ka punuar si avokat, kur ka mbrojtur disa emra të botës së krimit.

Personi që udhëtonte me të në makinë, Aleksandër Laho, ka ndryshuar disa herë identitetin. Ai dyshohet për përfshirje në veprimtari kriminale, një prej të cilave dhuna ndaj një biznesmeni libanez, i cili po investonte për ndërtimin e një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit./VOA

Komunikimi i policisë

Durrës

Vihet në pranga një nga autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 1 nëntor, në Durrës.

Më datë 01.11.2019, rreth orës 16:13, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, në ndjekje e sipër, persona të paidentifikuar duke udhëtuar me një mjet tip “Benz” kanë qëlluar me armë zjarri nga mjeti i tyre për të vrarë shtetasit A. N., 42 vjeç, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, A. M., 24 vjeç dhe A. L., 46 vjeç, të cilët kanë qenë duke udhëtuar nga Durrësi në drejtim të Tiranës me mjetin tip “Benz”, të Prokurorit A. N., ku për pasojë, kanë mbetur të plagosur të tre këta shtetas.

Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistë të Departamentit të Policisë Kriminale, Sektorit të Krimeve të Rënda në DVP Durrës e Tiranë, nën drejtimin e Prokurorëve të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë.

Njëkohësisht, forca të shumta policie në disa Drejtori Vendore ngritën pika kontrolli dhe ushtruan kontroll të gjerë të territorit për kapjen e autorëve.

Si rezultat i kontrolleve të shpejta, në territorin e Drejtorisë Vendore Durrës, brenda një kohë të shkurtër në fshatin Shkafane, Durrës është gjetur i braktisur mjeti tip “Benz”, me targë AA342LM, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së këtij mjeti janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët, konkretisht: dy armë zjarri AK 47, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e kesaj ngjarjeje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, regjistroi procedimin penal nr. 244/2019, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, “Vrasja kundër dy ose më shumë personave”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Për dokumentimin ligjor të këtij procedimi penal në lidhje me autorët e mundshëm të kryerjes së kësaj ngjarje të rëndë kriminale, me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e provave materiale që lidhen me autorët e kryerjes së kësaj ngjarjeje, iu kërkua Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda lejimi i kontrollit të banesave të 11 shtetasve me banim në Krujë dhe të katër shtetasve me banim në Tiranë dhe në Lushnjë.

Si rezultat i këyre kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale që dyshohet se kanë lidhje me autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje.

Provat e sekuestruara po i nënshtrohen një analize të hollësishme nga grupi hetimor dhe një pjesë e tyre u dërguan në Laboratorin Shkencor për egzamiminm të mëtejshëm.

Nga tërësia e provave të sekuestruara dhe bazuar në dyshimet e aryeshme u bë ekzekutimi i urdhër-ndalimit të lëshuar nga Prokurori i Krimeve të Rënda për shtetasin R. Rr, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë-Krujë, i dyshuar si një nga autorët e mundshëm të plagosjes me armë të prokurorit dhe dy shtetasve të tjerë.

Grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorëve të Krimeve të Rënda po vijojnë intensivisht punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen të kujdesshëm në dhënien e informacioneve për publikun, të cilat cënojnë vijimin e hetimeve.

Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda është tërësisht e angazhuar për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të telefonojnë në 112 apo Komisariatin Dixhital për çdo informacion të mundshëm për këtë ngjarje dhe për çdo paligjshmëri tjetër, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.