A na vlen shembulli gjerman për të kaluarën?



Nga Namir Lapardhaja

Pak javë më parë, ish-kryetari i Bundestagut gjerman, prof. Norbert Lammert, gjatë fjalës së tij në 10-vjetorin e fondacionit “Konrad Adenauer” në Tiranë, teksa fliste për rrezikun që i kanoset sot demokracisë në mbarë botën, ndër të tjera, kur përmendi rastin dhe suksesin e vendit të tij, e lidhi me një element mjaft të rëndësishëm: të kaluarën dhe qëndrimin që populli dhe politika gjermane ka mbajtur ndaj një prej periudhave më të errëta të saj dhe të mbarë Evropës, nazizmit. “Jam thellësisht i bindur se ngritja e një demokracie të qëndrueshme në Gjermani, – tha Lammert, – nuk do të ishte arritur pa gatishmërinë për t’u ballafaquar pa asnjë rezervë me të shkurën e vendit. As nuk do të ishte arritur të rifitohej reputacioni i Gjermanisë në botë pa dëshmuar qartë që ne nuk e shohim të tashmen si kompesim për të shkuarën tonë.” Është jo vetëm aftësia e një populli të qytetëruar për t’u ballafaquar me të kaluarën, edhe kur kjo është aksidentale me pasoja fatale, për të parë në pasqyrë vetveten, për të mos u përsëritur, si një periudhë e errët, edhe pse, krahasuar me vendin tonë, nazizmi në Gjermani zgjati vetëm 12 vjet, por edhe për të mos ngelur peng i kësaj të kaluare, duke gjetur forcë dhe kurajo për të ecur përpara, me zotimin se gabimet e së shkuarës përsëriten nëse nuk flitet dhe nuk mbahet qëndrim ndaj tyre, ndërsa rrezikon të përsëritet nëse përpiqemi të fshihemi si struci pas shprehjeve rrumbullakosëse, justifikimit me kohën, aq më keq glorifikimit të së kaluarës dhe ngritja në piedestal të një periudhe të errët dhe të pakuptimtë.
Popujt e kulturuar dhe me demokraci të zhvilluar kanë qasje kritike ndaj historisë së tyre. Vetëm kështu ata kanë arritur të ecin përpara. Diktatura që kaloi Shqipëria për 45 vjet, por edhe periudha që i parapriu kësaj diktature të egër, është e pasur me material të bollshëm dhe sa më e madhe të jetë përpjekja jonë për të mos e lënë të vërtetën të humbasë, aq më mirë do të jetë për ne.
Relativizimi i së keqes, përpjekjet për të institucionalizuar normalitetin e një periudhe makabre, ku shqiptarët vranë, burgosën, internuan, torturuan, spiunuan, shantazhuan, varfëruan, vodhën, shkatërruan… njëri-tjetrin, është dëmi më i madh që mund t’i bëhet jo vetëm kujtesës së këtij vendi, por, mbi të gjitha, të ardhmes së tij.
E kaluara duhet të na shërbejë si pasqyrë ku çdokush duhet të shohë vetveten dhe të skuqet nga turpi që jemi pjesë e një shoqërie që për vite me radhë, në mënyrë absurde dhe të pakuptimtë, ra pre e një ideologjie kriminale, në themel të së cilës ishte urrejtja klasore mbi baza ideologjike dhe që rrezikon të përsëritet në forma dhe mënyra të tjera nëse nuk do të mbajmë të gjithë qëndrim kritik ndaj saj.
Në të kundërtën do të vijojmë të përsërisim vetveten, duke lënë të lulëzojnë mes nesh diktatorë të rinj, herë të majtë e herë të djathtë, sipas shëmbëlltyrës së të parit, të justifikuar dhe të duartrokitur qorrazi, sipas parimit ç’më duhet mua çfarë ndodh përtej meje.
Nëse do të parafrazoja Çesllav Milloshin, ky komb ka nevojë për një ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale që do ta ndante urgjentisht nga e kaluara e errët.