Tirana në kolaps pas 1 ore shi, Bashkia e Lali Erit iu nxin jetën qytetarëve

Kanë mjaftuar vetëm disa orë shi që trafiku në Tiranë të bëhet i tmerrshëm, me qytetarë të acaruar dhe vonë për punë në të gjitha anët e qytetit.

Në të gjithë cepat e kryeqytetit radha e makinave shënonte qindra metra, ndëesa kjo ka shkaktuar dhe një reagim të madh në rrjetet sociale, ku shumë aktivistë shprehen se ka ardhur koha që ky represion psikologjik të marrë fund.

 

“Ky është represion. Psikologjik dhe fizik”, shkruan në ‘Facebook’, ekonomisti dhe aktivisti i njohur Pano Soko.

Lejet e ndërtimeve që janë dhënë pa hesap, kanë shtuar numrin e banorëve dhe kanë zvogëluar hapësirën publike, duke krijuar një ngërç në rrugët e Tiranës.

“Kanë ardhur makinat deri tek dera e pallatit”, shkruan gazetari Klodian Tomorri.

Në një ditë si e sotmja në kryeqytet, në rast urgjence apo aksidenti, shërbimi i ambulancës e ka shumë të vështirë depërtimin mes makinave që pothuajse sa nuk fërkohen me njëra-tjetrën. Një problem serioz ky, për çdo qytetar nevojtar.

“Kemi mbetur të terur në mes të 4 rrugëve, në vend që t’u shkojmë në zyrë dhe t’i nxjerrim me shkelma, rrimë dhe mallkojmë nëpër makina”, shprehet i revoltuar, pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci.