Turma dhe propaganda, politika e lajthitjes

Ergys Mërtiri, sociolog

Propaganda është vetëm një instrument për të manipuluar masa të gjera të popullsisë, në funksion rritjes, forcimit e legjitimimit të një pushteti. Ajo ndërhyn në mendjet e njerëzve duke ndikuar pikëpamjet apo gjykimet e tyre dhe për këtë, asaj i duhet t’i pengojë njerëzit të mendojnë me kokën e tyre. Neutralizimi i të menduarit arrihet nëpërmjet një sërë instrumentesh, siç janë komunikimi nëpërmjet imazheve, sloganeve, klisheve, stereotipave etj. Këto bëjnë të mundur ngulitjen e ideve të thjeshta, të drejtpërdrejta, të përvetësuara në mënyrë pasive, derisa ato kthehen në bindje të cilat transformojnë mendimet tona.

Shoqëritë e masave janë produkt i modernitetit, pasojë e uniformitetit kulturor që buron prej unifikimit të mjeteve të komunikimit, zgjerimit të shtetit dhe centralizimit të autoritetit. Turma është një produkt i ekzagjeruar i këtij uniformiteti dhe ajo është pasojë e një ekspozimi afatgjatë të shoqërisë ndaj një indoktrinimi propagandistik apo një krize. Autorë të shumtë vërejnë se krizat ndikojnë në rritjen e unitetit shoqëror. Ankthi dhe pasiguria vënë në lëvizje instinktet e masave, duke i bërë njerëzit që, në këmbim të solidaritetit, të sheshojnë diferencat mes njëri-tjetrit dhe grupeve sociale ku bëjnë pjesë. Krizat i bëjnë njerëzit identikë.

Ky unitet i turmës mundëson thjeshtëzimin e komunikimit. Ai njëtrajtësohet dhe thjeshtëzohet për t’u bërë i depërtueshëm tek të gjithë. Mesazhi nuk ka nevojë të përkthehet në forma të ndryshme, në bazë të botëkuptimeve, statusit shoqëror apo grupeve të ndryshme të interesit, siç funksionon në shoqëritë normale, por ai bëhet një për të gjithë, i thjeshtë, i qartë dhe i kuptueshëm. Udhëheqësit sharlatanë gjejnë këtu terrenin e duhur për të vepruar dhe propaganda është instrumenti efikas për t’i bërë ata të suksesshëm.

Turmat janë irracionale, thotë Gustav Le Bon. Ato udhëhiqen gjithmonë prej ndjenjës, jo prej arsyes, duke qenë se arrijnë të kuptojnë vetëm lidhjet vulgare të ideve. Ato nuk preferojë të vërtetën, por lajthitjen. Për këtë arsye, ato kanë nevojë jetike për një udhëheqës dhe kjo përbën impulsin e parë të çdo grupi shoqëror.

Udhëheqësi i çliron njerëzit nga nevoja për të menduar, si dhe nga përgjegjësia individuale. Është ai që mendon në vend të tyre dhe merr përsipër përgjegjësitë e tyre e në këmbim, turma i ofron mbështetje të plotë. Prijësi bëhet superegoja e turmës, siç thotë Frojdi. Ajo njësohet me atë, duke gjetur tek ai autoritetin që orienton shoqërinë. Ai është gjithashtu edhe garanti dhe shpëtimtari i saj nga çdo fatkeqësi.

Bindja ndaj liderit buron nga një prej instinkteve themelore të çdo qenieje të gjallë: nevoja për siguri dhe mbijetesë. Për pasojë, turmat zgjedhin gjithmonë një udhëheqës të fortë, i cili reflekton vendosmëri dhe këmbëngulje për të realizuar vullnetin e tij. Ato duan një udhëheqës që i kthen në veprim ato që thotë, pavarësisht vlerës së tyre.

Por, siç thotë Le Bon, udhëheqësit janë përgjithësisht njerëz të paekuilibruar nga ana psikike, shpesh gjysmë të çmendur apo në kufijtë e çmendurisë. Sado të çuditshme të jenë idetë apo bindjet e tyre, ata nuk mund t’i lëkundësh me asnjë lloj arsyetimi. Ata janë njerëz të orientuar nga veprimi dhe të prirur të sugjestionojnë turmat. Duke shfaqur vullnetin e tyre të hekurt, ata ia dalin t’i bëjnë ato për vete. Ata nuk mund të jenë mendimtarë, përndryshe do të humbitnin vendosmërinë në veprimet e tyre dhe nuk do të ishin të aftë t’i bënin masat për vete.

Shoqëria shqiptare është një shoqëri masash e karakterizuar fort nga tiparet e turmës. E infektuar prej gjysmëshekulli nga një indoktrinim totalitar rrënjësor, i mbështetur nga struktura organizative të ngurta dhe një aparat terrori dehumanizues, ajo e ka të vështirë të krijojë dhe pranojë forma të diversifikuara komunikimi. Në këtë mënyrë komunikimi është thuajse aspak i prirur të orientohet drejt mendimit dhe shumë i predispozuar të brendësojë një propagandë që i përgjigjet mendësive të ngurta të trashëguara.

Debati dhe konkurrueshmëria mbi të cilat ngrihet një sistem demokratik bëhet shqetësues për një shoqëri të mësuar të adaptojë formula të gatshme mbi përfytyrimet që duhet të ketë mbi shoqërinë, kulturën, politikën etj. Një nga shkaqet e lodhjes së qytetarëve me politikën, përveç problemeve të shumta, është edhe paaftësia për të pranuar diversitetin. Në këtë mënyrë shoqëria shqiptare ka qenë e prirur gjatë gjithë kësaj kohe të kërkojë dhe pranojë liderë autoritarë, të cilët arrijnë të imponohen nëpërmjet karakterit të fortë dhe vendosmërisë për t’i kthyer në realitet ato çfarë thonë. Ajo është një terren i favorshëm për diktatorë të rinj, që premtojnë siguri dhe rregull, ku rregulli kuptohet si një forcë kundër pluralitetit, i cili, nga ana e tij perceptohet si kaos.

Medius 6