Z.Rama kriminelët nuk po hanë kokat e njëri-tjetrit por po vrasin shpresën tonë!

Nga Elkier Bushkolaj

Në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja fshihet refuzimi i Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave për Shqipërinë, e jo tek pretendimet e “Bablokut”.

Në këtë tentativë ekzekutimi mafioz ku mpleksen bandat, politika, gjyqësori dhe biznesi keni përgjigjen e pyetjeve se përse shqiptarët po e braktisin masivisht atdheun edhe 30 vite pas rënies së regjimit komunist dhe pse çdo vit 12% e popullsisë aplikojnë për lotarinë amerikane.

Kur drejtori i Policisë Shtetit bën taksistin e Balilit nga Delvina drejt kryeqytetit s’ka arsye të habitemi se me kë ishte në makinë prokurori Arjan Ndoja kur ra pre e atentatit.

Mirëqenia e kriminelëve dhe mirëqenia e qytetarëve ecin njëkohësisht mbi dy shina paralele por në kahe të kundërta.

Realiteti në Shqipëri nuk është ai që pasqyrohet ne profilet në facebook të Edi Ramës, Lali Erit apo programet e ERTV, nuk është as ai që duket në videoklipet e Luana Vjollcës apo filmat e Ermal Mamaqit.

Por për ta njohur këtë realitet duhet të vizitosh azilet, ku janë shtuar rezidentët,të shëtisësh në qytetet jashtë qarqeve Tiranë e Durrës, në trotuaret e të cilëve nuk të zë më syri të rinj, të kontrollosh listat e borxheve në markete e farmaci ose të përballesh me nënat e përlotura në aeroporte, (jo në ato të Kukësit e Vlorës) kur përcjellin fëmijët për në kurbet.

Atentatin mafioz ndaj Arjan Ndojës nuk e sfumojnë dot as puthjet në buzë të “biznesmenit” Elton Ilirjani me të dashurin e tij në studion e Top Channel dhe as debatet në emisionet e mbrëmjes të Kujtim Gjuzit dhe deputetes Majlinda Halili të “Koporatave” përballë Spiropalit e Laert Vasilit.

Atij që bën “TËRMET” në zgjedhje po i besojmë reformën zgjedhore, një nga 9 kushtet e Merkel për integrimin, ndërkaq këtë reformë ai do ta finalizojë me disa deputetë të opozitës së re, të cilët për të hyrë në kuvend nuk kanë pasur nevojë as për votat e familjes së tyre, e ndonjëri as për votën e tij personale.

Vëzhgues i këtij procesi do të jetë Bernd Borchardt, i cili nuk nguron tu ngrejë gishtin e mesit shqiptarëve as para kamerave të televizioneve.

Partia Demokratike nga ana tjetër vijon betejën e klaneve prej 6 vitesh, që rrezikon ta kthejë këtë forcë politike në një shoqatë, ndërsa aleatët e saj vajtojnë karriget në kuvend që zgjedhjet e 2017 i morën qyl nga Basha.