SHPARTALLIMI I GJERMANËVE NË BICAJ NGA MUHARREM BAJRAKTARI

Nga Izet Duraku

(fragment nga libri i sapobotuar i komandantit gjerman Hermann Frank Lufta e çetave në Shqiperi qe botohet per here te pare)

Fraj informohet tek kapiteni shqiptar për Muharrem Bajraktarin. Shqiptari e njeh mirë atë. Para se të hynin gjermanët, Muharremi ishte kolonel i policisë shqiptare. Si gjithë shqiptarët komandues është krenar dhe i etur për të sunduar, ushtron në territorin e tij pushtet të pakufizuar dhe e dënon pa mëshirë me vdekje cënimin më të vogël të interesave të tij. Muharremi mban gjithmonë anën e atyre që i ofrojnë përfitime materiale apo forcojnë pushtetin e tij. Njerëzit e vetë, por gjithashtu rrethi ku e ku përtej fisit të tij, e mbajnë si të “papërshkueshëm nga plumbi”. Besimi popullor e mban për të paprekshëm.
Gjatë bisedës i janë afruar pothuajse deri 800 metra Bicajt. Atëherë kërcasin papritur të shtëna prej një terreni të zhveshur, me valëzime të buta, i cili zgjatet në një farë mase si mbrojtje deri tek shtëpitë e para të fshatit.
Të kujdesshëm, me kërcime të shkurtëra gjermanët vazhdojnë të përparojnë. Ende nuk shihet asnjë prej pushkatarëve armiq, por kompania e pestë ka katër të plagosur.
Kafshët e barrës çohen në një gropore mbrojtëse dhe Fraj e nis Kocarin me veturë për në Kukës, me qëllim që të mos e humbasë automjetin.
Zjarri i pushkëve të armikut po bëhet gjithmonë e më i fortë. Partizanët janë qitës të shkëlqyer. Edhe tek kompania e gjashtë kumbojnë tani thirrjet: “Infermierë!”
Fraj është zënë në një befasi të pakëndshme, megjithëse e kishte marrë parasysh rezistencën e Muharremit. Ai e nxit tani sulmin me shpresën se do mund të diskutojë në paqe me armikun e tij të ri, sapo të ketë arritur në fshat, të cilin me gjasa armiku nuk do ta braktisë.
Kur pushkatarë më të përparuar qëndrojnë shtrirë, Fraj nxiton për tek ata. Por një breshër plumbash e detyron edhe atë të hidhet përtokë pranë njerëzve të tij. Edhe togeri Tuma ka ngecur nën zjarrin armik, i fshehur nga vështrimi i armikut vetëm prej shkurreve të rralla.
Zjarri i armëve bëhet më i furishëm. Partizanët po përforcohen. Krejt terreni i valëzuar është kapur tani prej tyre e në këtë mënyrë është shndërruar në një mur mbrojtës plot efikasitet për Bicajn. Nën mbrojtjen e këtij terreni të valëzuar armiku është në gjendje të zërë i pashqetësuar pozicione, prej andej të hapë zjarr mbi grupin luftarak, i cili në të vërtetë nuk donte fare që të sulmonte Bicajn, por donte vetëm të marshonte përmes tij.
Fraj s’mund të ngatërrohet në një luftë serioze me ndoshta humbje të mëdha, sepse detyra e tij është që të çajë përpara në Peshkopi. Por për këtë qëllim i nevojitet qafa e Kolesjanit e rruga për atje kalon nga Bicaj.
Nga zjarri i granatahedhëseve armiku neutralizohet përkohësisht. Pushkatarët shfrytëzojnë mbulimin me zjarr për të avancuar dhe ia dalin mbanë në anën e djathtë të afrohen ngjitur me armikun. Fraj e zhvendos menjëherë vendkomandën e tij përpara.
Por ja ku kërcet papritur pushka edhe nga masivi malor majtas që ndodhet ende në hije. Ndërsa grupi luftarak ishte i gozhduar nga zjarri, banditët kishin zënë pa u vënë re pozicione, të cilat shtrihen deri thellë në krahun e majtë të gjermanëve dhe nuk dallohen dot, sepse janë ende të fshehura nën mbrojtjen e hijes së thellë dhe prapa kaçubeve.
Zjarri i ri i armëve rrezikon sidomos kafshët e barrës dhe armët e rënda të grupit luftarak.
“Shkoni ju lutem si ndërmjetës armëpushimi tek Muharremi,” i thotë Fraj kapitenit shqiptar, i cili me një qetësi stoike rri pranë tij në një thellim të tokës dhe pi duhan. “Ai duhet ta pushojë zjarrin ndaj nesh dhe të na lejojë kalimin e lirë përmes Bicajt. Po ne nuk duam asgjë prej tij, përkundrazi kemi për të përmbushur detyra në një territor tjetër shumë larg prej këtej.”
Shqiptari e këqyr Frajin si i ngrirë. Papritur gjallërohet. “Për hir të Allahut, jo!” kundërshton i lemerisur. “Muharremi nuk do më dëgjonte, por do më paloste menjëherë si një qen i zgjebosur!”
Plumbat cicërojnë mbi kokat e tyre dhe tek kompania e Tumës pëlcasin granata dore italiane.
Kafsharët prapa tyre përpiqen t”i shpien kafshët prapa një terreni mbrojtës të valëzuar.
“Unë do të isha në gjendje me anë të zjarrit të përqëndruar mbi Bicaj dhe një sulmi të planëzuar që ta realizoja me dhunë kalimin e qafës.” Fraj ia thotë Maurerit, të cilit i shkëlqejnë sytë nga gëzimi për të luftuar. Ai ka një prirje për guxim prej të çmenduri dhe në luftë shfaq një kurajo të rrezikshme, qyshkur është kthyer si nëntoger nga shkolla e luftës. ”Por,” vazhdon Fraj, “ne do të kishim humbje të rënda e pikërisht pa kuptim, sepse pas kalimit tonë partizanët do ta mbyllnin pas nesh valvulën, do ta bllokonin qafën dhe thjesht do ta ndërprisnin tërë furnizimin tonë. E në këtë mënyrë fati ynë do të vulosej thellë në male.”
Të tjerët miratojnë me kokë e madje edhe Maureri e kupton, megjithëse sapo do të kishte qenë gati të vërsulej i vetëm me një togë pushkatarësh mbi Bicaj.
“Prandaj ne duhet ta ndërpresim luftën”, thotë Fraj, “dhe të përpiqemi të depërtojmë në Peshkopi nga një rrugë tjetër.” Ai studion një copë herë hartën, pastaj ia bën me shenjë të afrohet kapterit Sharinger, përgjegjësit të korrierëve, dhe i jep urdhërin të bëjë rikonicionin për një vend mbikalimi në Drin. Nëpërmjet kësaj rruge Fraj do që të mbërrijë tek çetat nacionaliste shqiptare në veri të lumit, ku sipas hartës së situatave nuk do të haste në rezistencën e armikut. Sharinger përsërit urdhërin dhe përvidhet me Fisherin dhe Carnken poshtë për tek lumi.
“Dhe si është në jug situata e çetave?” pyet Fraj kapitenin shqiptar.
“Prapa atij mali atje,” përgjigjet shqiptari dhe tregon me dorë djathtas, “mbaron sfera e influencës së Muharremit. Atje fillon territori i Kosovës, banorët e së cilës janë gjermanofilë. Ata mbrohen me forca të fuqishme të armatosura ndaj inkursioneve grabitëse të çetave të huaja.”
“Hm, një rrugë e gjatë rreth e rrotull për ne,” ka mendimin Fraj. “Ne do të humbisnim tre ditë të plota. E përveç kësaj do të duhej që të zhvendoseshin nga Kukësi në Prizren qendra e trajtimit mjekësor të brigadës dhe tërë baza e furnizimit.”
Ndërsa Fraj përsiatet ende, kthehet Sharingeri. Ai nuk ka gjetur asnjë va. Lumi është i thellë dhe i rrëmbyeshëm. Brigjet bien thikë, pothuajse pingul. Shkëmbinjtë në shtratin e lumit shkaktojnë vorbulla dhe thithje.
“Po nëse shtrijmë një litar nga bregu në breg dhe gjatë kalimit mbahemi fort tek ai?” pyet Fraj.
Sharingeri tund kokën: “Edhe kështu nuk bëhet, zoti major. Rryma është shumë e fortë.”
“Atëherë na mbetet vetëm rruga e tërthortë në jug nga territori i Kosovës.”
Veçse me rënien e errësirës grupi luftarak mundi të shkëputet prej armikut. Fraj lë vetëm roje sigurimi tek ura në mbarimin e luginës malore për tek rruga Kukës-Prizren. Në Kukës konsultohet me komandantin e batalionit rezervë fushor, për të marrë të gjitha masat përgatitore për transportimin e kompanive. Në rrjedhën e bisedës merr vesh se nëntogeri Kuhn kishte dezertuar tek Muharremi natën e kaluar.