Reportazh | Qëndresa për Teatrit Kombëtar, kripa e demokracisë shqiptare

Fatmira Nikolli – Prej datës 24 korrik, kur përplasja mes forcave të policisë dhe qytetarëve e artistëve që mbrojnë teatrin, ndodhi, gjithçka është e mundshme. Nuk ka më hipoteza, për gjëra që mbase nuk ndodhin, por për gjëra që me shumë gjasa ndodhin. Ndaj, ndjeshmëria dhe paraprirja janë më të dukshme se kurrë më parë. A është kjo të jetosh në frikë? Dhe sa gjatë mund të jetohet nën frikë? Dhe si mund të jetosh në frikë në demokraci?

Në një intervistë të pak ditëve më parë në ‘GAZETA SHQIPTARE’, Gjergj Erebara përkthyes i librit të Julian Barnes “Zhurma e kohës”, jepte një përkufizimin të ri të demokracisë. “Sipas një përkufizimi të fundit, demokracia është liria nga mungesa e frikës. Nëse ke frikë jo vetëm për jetën, por edhe për mirëqenien, për vendin e punës, për punën tënde apo të familjarëve të tu, kjo sugjeron se nuk je duke jetuar në demokraci”, thoshte ai, duke e krahasuar atë që ne jetojmë sot, me atë që Ana Ahmatova quante “pushteti vegjetarian” e për çka më tej, vetë Erebara, gazetar, e sqaronte më në detaje “Artistët që po protestojnë për Teatrin Kombëtar u përballën pak a shumë me të njëjtën menu diktature vegjetariane, nga presionet te shpifjet, vetëm e vetëm se kanë mendim ndryshe. Dhe pafuqia ekonomike e artistit, i cili nuk është i pasur dhe varet, në fund të fundit, nga rroga shtetërore për të jetuar, duket se është ajo që ka shtyrë shumë artistë në Shqipërinë e sotme që të heshtin në mënyrë veçanërisht aktive si dhe ka shtyrë disa të tjerë që të mbështesin koncesionin e qeverisë në mënyrë jashtëzakonisht shumë pasive”.

T’i paraprish, do të thotë të fitosh. Mbase. Edhe ndodh. Duke pasur si hyrje të kësaj kronike për një ngjarje të (pa)paralajmëruar heqjen e shkronjave të emrit të teatrit të premten e pashkëve natën nga bashkia, artistët nuk munden më të besojnë te qeveria.

E DIEL, MBRËMJE
Të dielën në mbrëmje, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila prej dy vitesh proteston për të ruajtur dy ndërtesat historike, njoftoi se të hënën përballë tyre, do të ishte kryeministri Edi Rama. Kjo nuk nënkuptonte një takim, por një përballje në pozicion gjeografik, duke pasur parasysh që përballë sheshit të teatrove, jo më larg se 100 metra është Ministria e Brendshme dhe ironikisht sheshi “Bujar Lako”. “Nesër paradite rreth orës 09.00 -10.00 kryeministri Rama do të marrë pjesë ne ceremoninë e diplomomit të oficerëve të rinj të policisë, e cila do të zhvillohet tek Ministria e Brendshme para sheshit të Teatrit. Kjo ceremoni është zhvilluar çdo vit në ambientet e Akademisë së Rendit”, shkruante Aleanca të dielën. Shtonte se “nga informacionet që kemi, do të vijnë forca të shumta policie, të cilat do të rrethojnë Teatrin Kombëtar nën justifikimin e ceremonisë për të mos e lëshuar më. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit së bashku me mbështetësit e saj do të kalojnë sonte natën dhe nesër gjithë ditën brenda sallës dhe në sheshin e Teatrit Kombëtar, në mbrojtje të tij. U bëjmë thirrje mbështetësve të kauzës së Teatrit të na bashkohen sot natën dhe sidomos nesër në mëngjes me praninë e tyre. Ne nuk do ta lëshojmë Teatrin”. Në orët e vona të mbrëmjes, sheshi mes teatrove u mbush me qytetarë, artistë e aktivistë që kaluan gjithë natën aty, në pritje të mëngjesit të së hënës.

E HËNË, MËNGJES
Kur dielli lindi sërish, dhjetëra qytetarë ishin në shesh dhe dhjetëra priteshin të vinin. Kur sheshi ishte plot, përballë tyre, ia behën forcat e policisë. Sheshi përballë ministrisë u mbush me karrige ndërsa uniformat blu, shënonin kufirin mes pushtetit dhe qytetit. Rruga që bashkonte ministrinë me teatrot, a në qoftë shesh ai, qe ndarë sot në dysh; në njërën anë qëndronin artistë dhe qytetarë dhe në anën tjetër, të rinj që kanë përfunduar Akademinë e Policisë.
Pritej pra, që pjesë e ceremonisë për diplomimet e Akademisë së Policisë do të ishte edhe kryeministri Edi Rama, çka, në fakt, u përforcua kur mediat nuk u lejuan të afrohen para ministrisë, meqë gjithçka transmetohet në ERTV.
Përballë, qëndronin artistët, që duke pritur gjithçka, deri një konfrontim fizik, që nuk do ishte për herë të parë, e panë i provokim ndalimin e mediave. Përmes lidhjeve të drejtpërdrejta nga sheshi i tyre, artistët njoftonin për zhvillimet përmes faqe ALEANCA për MBORJTJEN E TEATRIT në ‘Facebook’. Në një prej këtyre lidhjeve pati një shkëmbim fjalësh mes një polici dhe amerikanes Lori Amy që mbështet artistët, duke qenë se ata i kërkuan të shtyhej më në brendësi të oborrit të teatrit. Ndërsa kryeministri Edi Rama pritej të mbërrinte në sheshin e ministrisë, në media u përhap lajmi se ai ka mbledhur grupin e Partisë Socialiste për të diskutuar mbi një sërë tematikash, përfshirë edhe ecurinë e reformës zgjedhore, mosçeljen e negociatave dhe nga selia rozë, nisën lidhjet e drejtpërdrejta të gazetarëve që raportonin për takimin, duke njoftuar njëherësh vendndodhjen e shefit të qeverisë.

E HËNË, DREKË
Kryeministri i vendit Edi Rama ‘anuloi’ pjesëmarrjen në diplomimin e kadetëve të rinj të Policisë së Shtetit, ceremoni kjo e cila u zhvillua para ambienteve të Ministrisë së Brendshme. Nga ana tjetër protestuesit në mbrojtje të Teatrit Kombëtar kanë qenë të vendosur aty që në orët e vona të mbrëmjes. Për përballjen në mungesë, ka folur edhe regjisori Robert Budina, i cili tha se edhe nëse Rama do ishte prezent ata kishin planifikuar të protestonin të qetë dhe pa zhurmë duke respektuar kadetët e rinj. Ai shtoi se, nëse kryeministri do ishte në ceremoni nuk do t’i rezistonte ndonjë batute për protestuesit e Teatrit Kombëtar. Budina në fjalën e tij tha se protesta e Teatrit Kombëtar është një kauzë e drejtë dhe e dinjitetshme.

“Rama nuk erdhi pasi simbolet e protestës nuk u lëvizën nga këtu. Ne patëm një komunikim të ngushtë me policinë. Protesta jonë ka në thelb dinjitetin dhe seriozitetin. Ne kemi plan të protestojmë gjatë. Nëse Rama do të vinte, ai nuk do i rezistonte dhe do fuste ndonjë batutë. Kjo kauzë ka qenë e fuqishme dhe shumë horizontale, ne jemi këtu dhe jemi shumë të qetë. Këta policë të rinj që po dalin nuk duhet të përballën me këta banorë, por me kriminelët që janë në rrugë”,-tha Budina.

E HËNË NË MBRËMJE
Si çdo natë në sheshin e teatrove qytetarët rimblidhen. Aktori Neritan Liçaj merr fjalën dhe thotë se është krenar për çka ndodhur paradite. U tregua i kënaqur për paraditen, për atë që e quajti dinjitet e fisnikëri, të qytetarëve para policëve, e policëve të përulur që ishin penduar për çfarë ka ndodhur me 24 korrik. Liçaj tha se “e pamë me sytë tanë fuqinë që kemi sot paradite. 30 vetë e bëjmë të dridhet, mendo të jenë 300 mijë vetë. Jam krenar për forcën tonë. Sot kryeministri nuk erdhi. Sot është ditë e madhe. Është një nga ditët më kulmore. Kemi qenë në 42 gradë temperaturë e në disa gradë nën zero. Sot ishim një grusht i vetëm dhe i ramë mu në zemër malit që s’bëzan. Dhe ai s’bëzajti”, tha Liçaj..