Nga kush kërcënohet, kë kërcënon dhe pse po riarmatoset “deri në dhëmbë” Serbia?

GJENERAL PIRO AHMETAJ

Thellësisht mirënjohës dhe shumë i respektuar për pjesëmarrjen dhe ftesën e posaçme në konferencën “NATO’s response for future challenges”, zhvilluar javën e kaluar në Kolegjin e Lartë të NATO-s, Romë (NDC).

Gjatë kësaj konference, mbajtur në Romë (NDC), diskutimeve në panele me autoritete, kolegë, gjeneralë/e, bashkudhëtarë dhe miq nga 29 vendet e NATO-s etj., si dëshmitar, ekspert dhe kontribuues më shumë se modest në udhëtimin 25-vjeçar drejt/pas anëtarësimit në NATO, pata privilegjin të ndaja disa këndvështrime strategjike, kryesisht për rajonin e Ballkanit Perëndimor, siç vijon:

Së pari: Citova Presidentin e nderuar, Z. Bujar Nishani, i pari President i RSH, si i “ftuar nderi” në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare të USA, Uashington, DC (26 shtator 2016): “Anëtarësimi në NATO, një arritje madhore jo vetëm në fushën e sigurisë kombëtare, por edhe ngjarje e dytë gjeopolitike dhe historike pas themelimit të shtetit shqiptar 104 (7) vjet më parë”. Profesionalisht shtova se kjo arritje konfirmoi “suksesin e projektit të zgjerimit të NATO-s (batter in than aut – më mirë anëtarësimi edhe me jashtë Aleancës), por edhe peshën gjeostrategjike të Shqipërisë për sigurinë, stabilitetin demokratik, prosperitetin dhe integrimin euroatlantik të rajonit.

Arritje e jashtëzakonshme, pa asnjë mëdyshje. Por, duhet ritheksuar dhe kuptuar se në çdo rast, siguria nuk është propagandë që jepet dhe dhurohet falas (for free/granted). Prandaj, duhet të jemi koshientë se mbetet ende shumë për të depolitizuar sistemin, dekriminalizuar institucionet, transformuar strukturat, mirëharmonizuar balancat, rritur shpenzimet, trajtimin e personelit, si dhe përditësuar dhe modernizuar kapacitetet e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare.

Së dyti: Mbi Rajonin. Pas më shumë se “1 dekade (në dukje) mjalti”, kryesisht në 5-6 vitet e fundit, shumica e vendeve të rajonit kanë dyfishuar shpenzimet e mbrojtjes dhe fatkeqësisht u janë rikthyer programeve ushtarake dhe “garës së fuqisë së armëve” ndaj njëri-tjetrit.

Po ashtu, është fakt i njohur gjerësisht dhe i provuar lehtësisht edhe për Presidentin e Serbisë, Z. Vuçiç, dhe këshilltarët e tij, se përtej “për mirë apo për keq”, në këtë përqasje (rikthimin tek armët) bën përjashtim vetëm RSH, e cila në 6 vitet fundit e ka ulur deri rreth 1 % të GDP-së buxhetin dhe shpenzimet faktike të mbrojtjes, pa llogaritur shpërdorimet me VKM jashtë strukturës së shpenzimeve dhe programeve të mbrojtjes (Spitalin e Traumës; helikopterët e Ministrisë së Brendshme; Emergjencat Civile; Shpërblime/pajisje për personelin jo të FA etj.), duke dëmtuar aftësitë operacionale të FA, seriozitetin e përfaqësimit, si dhe përmbushjen e angazhimeve zyrtare të miratuara nga 29 kryetarët e shteteve në 4 samitet e fundit, mbi arritjen e detyrimit (2%) në kuadër të “ndarjes së barrës/përgjegjësive” në NATO.

Ndërsa nga ana tjetër, është po ashtu fakt se Serbia vetëm për vitin 2019 (më shumë se 6 vite së bashku buxheti RSH), ka arritur më shumë se në 907 milionë dollarë shpenzimet e mbrojtjes (shifër rekord nga koha e Millosheviçit).

Kështu, në përgjigje të “shqetësimit propagandistik” të Presidentit Vuçiç, mund të shtoj se PO, është fakt i njohur botërisht, se Serbia, në rreshtin e parë, si dhe disa nga vendet e rajonit (e ritheksoj, me përjashtim të RSH dhe Kosovës) po “riarmatosen me avion Mig dhe helikopterë luftimi, sisteme raketore të gjeneratës së fundit, tanke, transportues të blinduara, zhvillojnë armatime, kapacitete sulmuese dhe aktivitete të luftës konvencionale”. Po ashtu, kanë intensifikuar partneritetin strategjik dhe programe modernizimi në fushën ushtarake me vende jomiqësore me NATO-n (konkretisht Rusinë Kinën etj.), të cilat kanë ambicie të njohura gjeostrategjike në rajon dhe në Mesdhe!

Ndërsa pyetja legjitime për Presidentin Vuçiç, këshilltarët, gjeneralët dhe ndjekësit e projekteve të Beogradit zyrtar mbetet: “Nga kush kërcënohet, kë kërcënon ose cili vend është i kërcënuar dhe pse po riarmatoset ‘deri në dhëmbë Serbia’, meriton një analizë, vlerësim dhe qëndrim ndërkombëtar, por që në gjykimin tim nuk kërkon kapacitete, aftësi strategjike dhe gjeopolitike të veçanta (ndriçuara), për t’iu përgjigjur edhe qytetarët e thjeshtë.

Në të kundërt, gjykoj se këto zhvillime kanë dëmtuar shumë rëndë balancat e fuqisë ushtarake (të vendosura në Marrëveshjen e Dejton-it, 25 vjet më parë – 1995), përparimin/zhvillimin e Masave të Mirëbesimit Reciprok (CSBM), sigurinë, stabilitetin, axhendën e integrimit dhe interesat e NATO-s, SHBA dhe BE në vendet e rajonit e Ballkanit Perëndimor.

Për më tepër, në vlerësimin ushtarak është FAKT i pakundërshtueshëm se kjo qasje përbën jo vetëm rrezik potencial për tërësinë territoriale të Kosovës dhe rrjedhimisht për sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, por edhe për interesat gjeostrategjike të NATO-s, si dhe minojnë rëndë mbajtjen e “rolit hegjemon” nga SHBA-të, në këndvështrimin tim strategjik, përcaktues në mos jetik, për stabilitetin e rajonit dhe në Mesdhe.

Së treti: Programin e Qeverisë së Kosovës për transformimin e Strukturës së Sigurisë në Forca të Armatosura, strategjikisht e çmoj: “Të drejtë legjitime (të vonuar) për të ushtruar sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës dhe, në të njëjtën kohë, edhe një të drejtë universale për t’u vetëmbrojtur”. Asnjë synim ende dhe nuk zotëron asnjë kapacitet kërcënues ndaj askujt, përfshi Serbinë apo çdo vendi tjetër “që ngre dallgë propagandistike dhe shqetësime pa arsye racionale”. Përkundër, institucionet përgjegjëse, aktorët dhe faktorët relevante të Prishtinës zyrtare njëzëri kanë garantuar vendet e rajonit, NATO-n, BE, SHBA, etj., se Forcat e Armatosura do të jenë bashkëpunuese, kontribuuese dhe të hapura ndaj vendeve të rajonit (sigurisht, përfshi edhe me Shqipërinë), për projekte të përbashkëta mbi emergjencat civile, arsimimin e stërvitjen, mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike, situatat renegate, operacionet paqeruajtëse të NATO-s, UN, BE etj.

Thënë sa më lart, gjykoj se mbetet interes strategjik, që krahas rëndësisë kritike për vijimin e prezencës së NATO-s (KFOR), vendet e rajonit duhet të heqin dorë ose NDALEN nga “riarmatosja dhe tregimi i muskujve” kundër njëri-tjetrit, nga rikthimi fatal te projektet famëkeqe dhe premisat e historisë së përgjakshme shekullore.

Në të kundërt, u duhet të rikthehen dhe rifokusohen në zhvillimin e masave të mirëbesimit reciprok, programet e zhvillimit ekonomik, prosperitetit, përmbushjen e standardeve të “pranimit me meritë” në Bashkimin Europian. Në planin e sigurisë dhe mbrojtjes, vendeve u duhet të heqin dorë ose të ndalohen nga komuniteti ndërkombëtar, nga “riarmatosja, zhvillimi i programeve dhe i aftësive kërcënuese kundër njëri-tjetrit”, por të zhvillojnë platforma dhe ura bashkëpunimi, projekte dhe kapacitete për t’u përballur me kërcënimet e përbashkëta, si: “policimi i hapësirës ajrore, rastet renegate, terrorizmi kibernetik, ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar, trafiqet, emergjencat civile, krizën e refugjatëve etj”.

Së katërti: Ndamë opinione të lira me autoritetet, kolegët dhe miqtë për krizën e rëndë politike, institucionale, ekonomike të mospërfaqësimit dhe të besimit (depresioni), që fatkeqësisht vitet e fundit po ndeshen vendet dhe shoqëritë e rajonit, nga përballja me “pasojat e shtetit të dështuar dhe destabilitetit demokratik” e zgjedhjeve (pushtetit) të vjedhura, krimi i organizuar, si dhe lufta për influenca dhe pushtet brenda establishmentit të oligarkive politike, ekonomike, institucionale dhe mediatike.

Fatkeqësisht, udhëheqësit lokalë të vendeve të rajonit, nën paranojën e përjetësimit të pushtetit, në vend të marrin përgjegjësitë për dështimin e aspiratës së integrimit në BE dhe shmangien e kapjes së shtetit dhe institucioneve nga krimi, industria e drogës dhe korrupsioni, u janë rikthyer axhendave të rrezikshme, projekteve famëkeqe dhe fjalimeve të zjarrta nacionaliste. Udhëheqës të rrjedhur, të deformuar nga idetë, institucione të rrethuara nga servilë ordinerë, pinjollët e ishregjimeve, sekserë të stërvitur, kamikazë delikuentë, si dhe e “fuqia e pushtetit të vjedhur (pa votuar), në vend të zgjidhjeve për sigurinë e jetës, pronës, prosperitetin e qytetarëve, si dhe integrimin e shoqërive respektive në vlerat euroatlantike, të gjejnë “armikun” ose te rivalët e kundërshtarët politikë (opozita) brenda vendit, ose tek armiqtë e jashtëm, ose koalicion armiqsh njëherësh. Nuk është për të qeshur, as për të heshtur, por për të ulëritur dhe reaguar si qytetarë europianë.

E çmoj shumë të gjetur të risjell si memorie mesazhin e mirënjohur të Sekretarit të Shtetit të SHBA, James BAKER, në udhëkryqin e përmbysjes së regjimit në vitin 1991, para 300 mijë shqiptarëve, ku theksoi se: “Liria funksionon”.

Kështu, jam besimplotë, se kryesisht gjenerata e re e rritur me “frymën e fuqisë së lirisë” do të prevalojë edhe në këtë rajon me të kaluar të përgjakshme dhe sundimtarë barbarë, por me pozicion kyç gjeostrategjik, histori të lashtë, potenciale/pasuri natyrore, qytetarë të devotshëm dhe vlera të dalluara euroatlantike. Prandaj, e çmoj si nevojë jetike që vendet, sa më parë, aq më mirë, të heqin dorë (ose imponohen) nga “armët” dhe rikthimi i konflikteve, por me zgjedhje të lira, të sfidojnë oligarkët lokalë dhe “mendjet e armatosura” për t’i rikthyer vendet në shinat e sistemit të vlerave demokratike: “pluralizmit politik, legjitimitetit dhe dediskreditimit të parlamentarizmit; harmonizimit të pushteteve mbi parimin “check and balance”, shtetin ligjor, ekonomisë së tregut; luftën kundër krimit të organizuar, drogës, trafiqeve, korrupsionit, si dhe përmbushjen e standardeve të integrimit të vendeve në BE”.

Së fundmi, përsërita mirënjohjen personale për vlerësimet, për diplomimin, përfshirjen përgjatë 25 viteve në dhjetëra konferenca dhe programet e këtij institucioni avangardë, me ekspertizë të ndriçuar dhe kontribute të jashtëzakonshme për zhvillimin e lidershipit politik dhe ushtarak në të gjitha vendet e NATO-s, përfshi dhe vendin tonë.

Nuk mund të lë pa përmendur si “qershia mbi tortë”, si shumë herë në 20 vjet, bashkëbisedimin mbi: “Kujtimet, vlerësimet, zhgënjimet dhe sfidat në rajon”, me JAMIE SHEA, skalitur me “Shqiponjën e Artë” në imazhin e mbarë botës (CNN) dhe “Emblema e fytyrës së fuqisë së Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO-s) në çlirimin e Kosovës”.

* ish-këshilltar ushtarak i Presidentit të Republikës; Zëvendësshef i Shtabit të \ Përgjithshëm të FA; Përfaqësues Kombëtar në Komandën Supreme të NATO-s.