FUTBOLL. Faza e parë mbyllet në mesjavë, përcaktohen oraret për takimet e javës së 9

Kategoria Superiore do të rikthehet sërish në mesjavë, me ndeshjet e javës së 9, që është edhe njëkohësisht java e fundit e fazës së parë të kampionatit shqiptar, ndërsa takimet do të luhen në dy ditë, të mërkurë dhe të enjte.

Gjithçka do të startojë në orën 13:00 me sfidën Laçi-Teuta, ku kurbinasit do të kërkojnë fitoren e parë nën drejtimin e Armando Cungut, ndërsa durrsakët do të kërkojnë 3-pikëshin që do t’i shpallë “kampionë” të fazës së parë.

Po në të njëjtën orë, Tirana do të kërkojë vazhdimësinë e rezultateve në një transfertë të vështirë si ajo e Ballshit, ndaj Bylisit vendas që po befason në këtë start sezoni, duke grumbulluar 13 pikë, dy më pak se Teuta kryesuese.

Pas 3 ndeshjesh pa fitore, më në fund përballë Kukësit vjen një kundërshtar i lehtë në letër, si Luftëtari i Gjirokastrës, sfidë në të cilën verilindorët janë të detyruar të fitojnë, për të mos humbur kontaktet me kreun.

Një transfertë e lehtë në letër e pret edhe Vllazninë, që në orën 17:00 do të zbresë në Vlorë për t’u përballur me Flamurtarin që ka nisur një sezon me shumë probleme dhe numëron vetëm dy pikë në 8 javët e para, ndryshe nga shkodranët që kanë shkuar përtej pritshmërive dhe kanë 12 pikë.

Faza e parë do të mbyllet zyrtarisht të enjten me sfidën e fundit të javës së 9, atë mes Partizanit dhe Skënderbeut, që është planifikuar të startojë në orën 15:00, në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.

Kampionët në fuqi vijnë me moralin lart, pas fitores në minutat shtesë në Shkodër, por gjatë këtyre javëve të para u ka munguar vazhdimësia në rezultate, gjë të cilën do të tentojnë ta bëjnë duke filluar nga sfida përballë korçarëve.

Ja kalendari i javës së 9:
E mërkurë, 23 Tetor

Bylis – Tirana 13:00
Kukësi – Luftëtari 13:00
Laçi-Teuta 13:00
Flamurtari – Vllaznia 17:00

E Enjte, 24 Tetor

Partizani – Skënderbeu 15:00