Një shkodran ndëshkon Vllazninë, Tirana prish debutimin e Cungut, Kukësi “ngec” sërish

Vllaznia duket se nuk ka fat përballë skuadrave kryeqytetasve, sepse ashtu si ndaj Tiranës, edhe sot u mposht me rezultatin 1-3 nga Partizani në “Loro Boriçi”, në një takim ku u ndëshkuan vetëm në minutat shtesë.

Sfida nisi e qetë për të dy skuadrat, që 10 minutat e para i shfrytëzuan për të studiuar vendosjen dhe strategjinë e njëra-tjetrës, ndërsa Shkëndijën e parë e dha Partizani me një goditje dënimi të ekzekutuar nga Trashi, por topi u prit në dy kohë nga portieri Sherri.

Në minutën e 14’ ishte një tjetër tentativë e “të kuqve” me anë të Çinarit nga distanca, ndërsa portieri Sherri nuk e zotëroi topin si duhet dhe nga kjo situatë përfitoi Willian Cordeiro, që u la i lirë nga Gligorov dhe dërgoi sferën në rrjetë.

Reagimi i shkodranëve ishte i menjëhershëm dhe në minutën e 18’ ishte mesfushori Ardit Krymi që shtyu topin në rrjetë duke shënuar golin e barazimit, në kohën kur Alban Hoxha grushtoi gjuajtjen e kapitenit Gilman Lika nga distanca.

Goli u dha zemër shkodranëve, të cilët tentuan të kalojnë edhe në avantazh, por sulmet e shpejta nuk u konkretizuan në raste të rrezikshme, ndërsa shpesh kërkoheshin krosime në zonë, aty ku Shtubina e kishte të pamundur të fitonte dyluftimet me belicën e Boldor.

Edhe pjesa e dytë ishte e balancuar, me të dy skuadrat që luftuan shumë për çdo top, teksa Vllaznia i shkoi pranë golit me një gjuajtje të rrezikshme të Shtubinës, por topi u grushtua nga gardiani i Partizanit, Alban Hoxha.

Shkodranët pretenduan edhe një 11-metërsh, për një prekje me dorë të një mbrojtësi të kuq brenda zonës, ndërsa edhe kryeqytetasit patën pretendimet e tyre për një ndërhyrje ndaj Malës në zonë, por në të dy rastet arbitri nuk mendoi se kishim të bënim me penallti.

Tentativën e fundit për vendasit e bëri kapiteni Gilman Lika, që provoi sërish aftësitë e Alban Hoxhës me një gjuajtje nga distanca, por edhe këtë herë gardiani i “ të kuqve” grushtoi saktë, duke mbajtur në lojë të tijtë.

Më pas në fillim të minutave shtesë, nga një aksion pa pretendime i kryeqytetasve, Eraldo Çinari u shërbye brenda zonës, nga ku gjuajti menjëherë duke mposhtur për herë të dytë në këtë takim portierin Sherri.

Të gjithë në festë në kampin e kuq, përveç autorit të golit, që u kërkon ndjesë shkodranëve, ndërsa vetëm dy minuta më vonë, me Vllazninë e hedhur në sulm, ka kohë edhe për një gol nga ana e Jasir Asanit, që vulosi fitoren e Partizanit.

Tirana u rikthye te fitorja që mungonte prej më shumë se një muaji (më 14 shtator mposhtte Skënderbeun 3-1 në kryeqytet), teksa pasditen e sotme mposhti me rezultatin 2-1 Laçin, duke prishur edhe debutimin e Armando Cungut në pankinën e kurbinasve.

Në “Selman Stërmasi” sfida nisi me mjaft vrull, teksa bardhedblutë gjetën avantazhin në minutën e katërt me anë të sulmuesit Dunga, por laçianët rikthyen baraspeshën vetëm 3 minuta më vonë, me anë të amerikanit Nwabueze.

Megjithatë Tirana arriti të shënojë sërish në portën e kurbinasve, këtë herë me anë të Elton Cale në minutën e 44-t, ndërsa në pjesën e dytë nuk pati asgjë për të shënuar dhe kryeqytetasit u rikthyen te fitorja dhe 3 pikët, që e çojnë në vendin e tretë me 14 pikë.

Komplikohet situata edhe për Kukësin, që nuk fiton që prej 21 shtatorit dhe pas dy humbjeve radhazi, këtë herë mori vetëm një pikë falë barazimit pa gola të marrë në transfertën korçare ndaj Skënderbeut.

Pas javës së 8, Kategoria Superiore kryesohet nga Teuta me 15 pikë të grumbulluara, e ndjekur nga Partizani e Tirana me 14 pikë dhe pas tyre Bylisi me 13, Vllaznia me 12 dhe Kukësi në vendi ne 7 me 11 pikë.