Shansi i fundit i Ramës


Nga Patrik Sadikaj

Nuk është çështje dorëheqje e një njeriu. As largimi nga pushteti i një partie.
Problem që ka Edi Rama është me pranimin e realitetit.
Pavarësisht se jemi në një situatë dramatike, turpëruese dhe dëshpëruese për vendin, ai vazhdon të këndojë e të festojë sukseset imagjinare.
Nuk I duhet askujt se shumica e vendeve ishin pro negociatave, apo pakica kundër. Ne si vend na duhet vetëm fakti që sot 30 vjet pas thirrjes: E duam Shqipërinë si gjithë Europë, kemi dështuar si shtet, si vend dhe rrjedhimisht dhe si komb.
Nuk ka rëndësi nëse Edi Rama jep dorëheqjen apo jo.
Më shumë se dorëheqja e tij vlen tani sjellja e tij në raport me këtë vend. Të marrë këtë vendim të BE-së dhe të pranojë dështimin dhe të thotë: gabova.
E di që ai nuk mendon kështu se ndaj jemi në këtë situatë, por ama nëse mendon vërtet se do të kujtohet në histori si njeri që bëri diçka për vendin, duhet të hapë krahun dhe bashkë me të tjerët që e duan këtë vend të ulë kokën e të punojë që as Franca dhe as Holanda mos të na trajtojnë si delet e zeza të Europës.
Nuk ka për të mbetur në histori si njeri që bëri diçka të mirë për këtë vend.
I vetmi shans është që ti japë fund kësaj tallje me vendin.
Por ai nuk e bën dot këtë.
Ai ka hyrë thellë në zullum dhe ia ka ngulë thikën deri në palcë pasurisë së këtij vendi.
Ndërsa dilte me shallvare orientale në mes të Brukselit, në Tiranë ai gllabëronte Shqipërinë, bregdetin e saj, pasurinë më të madhe që kemi. Dhe këtë e bën krejtësisht i qetë, me vetëdijen e plotë.
E duke qeshur krah zullumqarëve që e ndihmojnë nga Brukseli, duket sikur thotë: Vazhdoni ju ëndërroni negociata, ikni rehat nga ky vend, fundja tani unë mora gjithçka që desha. Ju nuk duheni më, as për votë. Vota juaj nuk vlen asnjë grosh, jua kam blerë për 2 mijë lek.
Është koha që politikanët shqiptarë sot, të gjithë, të ulen e të reflektojnë për këtë vendim. Sidomos Edi Rama dhe Rilindja e tij tashmë e dështuar.
Duhet sot që të dalë mbi këtë llum ku jemi zhytur, lidershipi i ri që ta lexojë në fillim këtë vendim siç duhet dhe pastaj të ndërtojë rrugën e vërtetë dhe të drejtë që na çon në BE.
Edi Rama nuk e bën dot. Po të donte e kishte bërë prej 6 vitesh. Tani është vonë, megjithëse i ka mbetur edhe shansi i fundit.
Sot është koha që të dalin në krye ata që e duan vërtet këtë vend, jo për ta ngrënë, por për ta bërë si “gjithë Europa”.
PD ka një projekt për ta bërë këtë dhe unë jam i bindur se bashkë të gjithë, me njerëzit e duhur, Shqipëria bëhet si gjithë Europa dhe nuk do duhet as të lutemi as të sulmojnë Macronin, Francën apo këdo “fashist” tjetër që sheh tashmë edhe më dritëshkurtri i Rilindjes, për të na hapur derën e BE.
Është koha ta shpëtojmë këtë vend nga dështimi. Nuk e meriton këtë Shqipëria.