Le të lehin dallgët, peshqit dhe francezët. Dielli do lindë përsëri


Nga Alfons Zeneli

Furtunë, tajfun, tornado, cunam. Deti po tërbohej. Horizonti nxinte më keq se fronti ndërkombëtar i së keqes, ”katran me bojë”. Por anija ” Surrelian dreams” , e pamposhtur në shtërngatë e stuhi çante me bashin e saj dallgët konspirative, dallgët që ishin problem i brendshëm i ”detit” Evropian. Kapiteni qëndronte në mes të kuvertës së anijes dhe era e fortë ia frynte çitjanet si vela. Kur pa këtë pamje epike, zv/kapiteni ulëriti në një frekuencë që e kalonte bubullimën : çuna, nuk kemi nevojë për direk, kemi kapitenin dhe për solidaritet vuri menjëherë në qafë shallin e kuq të pionierit. Ndërsa komisari i rrahur me vaj dhe me uthull në punë lundrimesh tek lumi me ngjyrë të kuqe i cili kalonte buzë qytetit të tij të ndërtuar nga klasa jonë punëtore, u tregua edhe më largpamës. Sakrifikoi dokumentin e doktoraturës dhe mendoi që mbi të t’i shkruante një letër dashurie popullit e ta fuste letrën në shishe me qëllim që ta gjenin njerëzit në breg nëse anija do mbytej. Kapiteni u tërbua më keq se deti nga kjo shenjë disfatizmi dhe i sokëlliu : nuk ka vend për pesimizëm këtu, mor katnar Librazhdi. Le të lehin dallgët, peshqit dhe francezët. Dielli do lindë përsëri.