Historia e trenit të çuditshëm “Tiranë-Durrës Express” në Shqipërinë e vitit 1920

Gjatë Luftës së Parë Botërore, ushtritë austro-hungareze e ato italiane që qëndruan në Shqipëri ndërtuan linja hekurudhore (dekovilë).

Në përfundim të luftës, një pjesë e materialeve të këtyre ushtrive do të mbetej në Shqipëri. E në listën e sendeve të mbetura do të ishin edhe disa vagonë e shinat e dekovilëve. Një nga linjat që kishte mbetur ishte ajo Durrës-Kavajë-Rrogozhinë-Lushnje-Berat.

Në vitin 1920, kjo linjë u rivendos në funksionim, por në mungesë të një lokomotive do të përdorej mushka ose kali për tërheqjen e vagonëve.

Fillimisht do të ishin misionarët amerikanë të Kryqit të Kuq që do të jepnin këtë ide për që i jepte zgjidhje (sadopak) çështjes së transportit në Shqipërinë e atyre viteve. Këta të fundit do ta emërtonin “Express-i Tiranë-Durrës” këtë mjet transporti të sajuar. E në fakt, nga kjo veprimtari do të përfitonte edhe arka e shtetit.

Bileta e “trenit” që tërhiqej me kalë ose mushkë ishte 2 franga ari për çdo person ndërsa për 1 kuintal plaçka paguhej një tarifë prej 1 frangë ari.

Në vitin 1923 do të bëhej përpjekje për ta dhënë me koncesion këtë linjë transporti e fitues i koncesionit do të ishte një ish deputet, Mustafa Maksudi nga Gjirokastra.

Administrimi shtetëror i kësaj mënyrë transporti do të vijonte edhe për pak kohë kur me vendosjen e stabilitetit, nisjen e ndërtimit të rrugëve e futjes automjeteve apo avionëve të vegjël, situata e transportit do të shënonte një përmirësim duke e zhdukur nevojën e përdorimit të këtij dekovili të çuditshëm që mishëronte dy anë të kundërta të zhvillimit të një vendi.