Vodafone faturon gabim mijëra qytetarë për shërbime që nuk i kanë kërkuar

Kompani telefonike Vodafone i ka kërkuar falje klientëve të saj sepse faturuan gabim mijëra qytetarë  për përdorim të roaming, rrjetin mobil jashtë vendit.

Kompania Vodafone deklaroi përmes një komunikate se ishte “një gabim teknik” që bëri që qytetarët britanikë dhe jo, të merrnin fatura të majme mbi mijëra euro, për një shërbim të pakërkuar dhe të papërdorur. Dhe ndreqja e “gabimit teknik” do të kërkojë pak kohë.

Por pavarësisht deklaratës së Vodafone se qytetarët që janë “gjobitur” gabimisht nuk do të paguajnë, ata e kanë ndarë shqetësimin në rrjetet sociale ku kanë nxjerrë fatura mbi 11 mijë euro për tu paguar, dhe për rrjedhojë shërbimi i internetit dhe telefonisë iu është ndërprerë.

David Gordon, një qytetar britanik që ishte në muajin e mjaltit deklaroi se i erdhi një faturë prej 10 mijë eurosh, çka e stresoi shumë, pasi nuk e kishte përdorur shërbimin.

Një tjetër qytetar ka deklaruar se ishte në Maltë dhe i erdhi një faturë prej 5 mijë eurosh, si dhe shërbimi i internetit iu ndërpre. Ai ishte përpjekur të merrte në telefon shërbimin e klientit por kjo ishte e pamundur.

Andy Pearch i tha BBC se ishte me pushime kur i erdhi një sms që i deklaronte se duhej të paguante një shifër afër 5 mijë euro.

Në Evropë shërbimi roaming është gratis dhe për rrjedhojë shumë qytetarë janë frikësuar dhe trembur nga fatura e majme që duhet të paguanin ndaj Vodafone.

Prej disa ditësh në rrjetet sociale ka pasur mijëra postime me foto faturash që iu kanë prishur ditën ose pushime për shkak të “gabimi teknik” që do të kërkojë kohë për tu ndrequr.