Ukraina në finalet e EURO 2020, Shevchenko e udhëheq skuadrën drejt suksesit

Festë e madhe për Ukrainën e trajnerit Shevchenko, që ka mundur në fushën e vet Portugalinë 2-1, duke bërë të mundur kështu kualifikimin në finalet e euro 2020. Kanë mjaftuar dy golat e realizuar nga Yaremchuk e Yarmolenko për të marrë tri pikët aq të çmuara që i dhanë Ukrainës kualifikimin, edhe pse ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur.

Andriy Shevchenko që shijoi një karrierë të shkëlqyer si sulmuesi më i mirë i Ukrainës, me Milanin, Çelsin e Dinamon e Kievit, tashmë do të shijojë edhe një tjetër sukses. Këtë radhë në rolin e trajnerit, me kombëtaren e Ukrainës në finalet e euro 2020. Ai e mori këtë detyrë në korrik 2016, e kjo është hera e parë që ai drejton një skuadër. “Dua ta shoh këtë projekt të realizuar në finalet e evropianit dhe të shikoj lojën e futbollistëve të mi atje – ka thënë Shevchenko, pasi ka mundur Portugalinë, kampione të Evropës në fuqi.

Ukraina është e pamposhtur në këto kualifikuese me 19 pikë pas 7 ndeshjeve në Grupin B. Shevchenko duket se ka arritur një ekuilibër midis talentit të ri dhe lojtarëve me përvojë si sulmuesi i West Ham Andriy Yarmolenko dhe anësori Shakhtar Donetsk Yevgen Konoplyanka. Pa harruar edhe talentet e tjerë të skuadrës si: Malinovskyi, që luan me Atalantën e Zinchenko i Manchester Cityt duke i kthyer në futbollistët kryesorë. Shevchenko dhe ndihmësit e tij italianë, Mauro Tassotti dhe Andrea Maldera, e kanë shndërruar stilin e lojës së ekipit, duke e bërë më kreative dhe sulmuese