A jam me Turqinë apo me Kurdët?

Nga Indrit Vokshi

Po mendoja; Edhe me kurdët merren shqiptarët! Ndahen, disa me Erdogan, disa me Oçalan. Edhe aty u del punë e duan ta përcaktojnë këta prej këtu se si është dhe si duhet të jetë e vërteta. Si nuk mbetëm një herë të vetme pa fjalë mbi çështjet që sna takojnë e si nuk folëm njëherë për çështjet që vërtet na takojnë! Dhe e gjitha është në thelb hipokrizi, kripto-hipokrizi, hipokrizi e maskuar. Këta me bindje të majta flasin për kurdët, ndërsa nuk flasin me aq zell për Venezuelën, sepse atje është diktaturë e majtë dhe diktaturat e majta duhen relativizuar e amnistuar. Këta të tjerët janë me Erdogan dhe e justifikojnë sulmin me shumë akrobacira. Ajo luftë është shumë larg për ne. Është lufta e tyre. Jo për çdo luftë në botë duhet të pozicionohemi ne shqiptarët. Bota e tillë ka qenë qysh prej se është krijuar guri i parë me maje e heshta e parë dhe, kështu do të vazhdojë të jetë. Ne jemi vend i vogël e pa peshë dhe sdi pse dreqin kemi guxim për tu pozicionuar mbi gjithçka në botë. Sdi pse nuk e kuptojmë se detyra jonë është ta zhvillojmë ketë copë vend dhe të krijojmë njëfarë mirëqenieje. Ende vazhdojmë me “solidarizimin me popujt e shtypur” që na e futi Enver Hoxha, sa duke u solidarizuar e protestuar sa për popullin vlla vjetnamez, sa për popullin vlla kamboxhian, sa për vllezërit brazilianë e me rradhë. Ne, rol ndërkombëtar, ne. Ne kemi një qendër graviteti që janë SHBA-të, me na mbrojt që të mos na hypin n’hu këto vendet fqinje. Përsakohë që të ekzistojë konkurenca Lindje-Perëndim, mes SHBA, Kinës e Rusisë. Për të tjerat, vreni punën. Të mos përfundojmë tek motot e titujt: “Koperativa e Krutjes në Lushnje i tërheq vërejtje presidentit Truman”. Zoti i ndihmoftë të dyja palët por kam punë! Sinqerisht kam punë dhe sdua të më duket vetja komik duke u munduar të mbaj anë këtu. Jam vetëm me shqiptarët dhe për interesa të shqiptarëve.