Zgjedhjet parlamentare në Poloni, E djathta siguron edhe një mandat

Fituese për zgjedhjet parlamentare të së dielës në Poloni, është partia Konservatore në pushtet, Ligji dhe Drejtësia, duke siguruar kësisoj edhe një mandat katërvjeçar për të vazhduar reformat që çuan në përplasje me Brukselin.

Sipas rezultateve paraprake,kur janë numëruar mbi 90 për qind të votave, kjo parti ka siguruar 44.6 për qind të tyre. Koalicioni Qytetar, grupimi më i madh opozitar ka fituar 26.7 për qind të votave i pasuar nga aleanca e majtë me 12.3 për qind.

Fitorja e partisë Ligji dhe Drejtësia, ka të ngjarë të ngjallë shqetësime për standardet demokratike në shtetin më të madh ish-komunist të Bashkimit Evropian, qeveria e të cilit është akuzuar për politizimin e gjyqësorit, shndërrimin e medieve shtetërore në zëdhënëse të saj dhe polarizimin e shoqërisë.

Një mandat i dytë për këtë parti gjithashtu mund të forcojë populistët kundër emigracionit në Bashkimin Evropian, të cilat i kundërvihen agjendës liberale të bllokut.