Rama si dështim i Bashkimit Europian

Nga Red Varaku

Edi Rama, udhëheqësi më i llastuar nga Bashkimi Europian, vazhdon të refuzojë me vendosmëri ofertën për dialog dhe kompromis me Opozitën të udhëhequr nga vetë BE, për të cilën BE është e angazhuar që prej Qershorit. Kjo është arsyeja kryesore se pse BE e shtyri vendimin e saj për hapjen e negociatave në Qershor dhe duket që do ta shtyjë atë drejt një afati të pacaktuar këtë Tetor. Kjo është njëkohësisht dëshmi e dështimit të BE në lidhje me mbështetjen pa limit ,që i kanë dhënë z.Rama.

Ky njeri, në vend të një kompromisi të ofruar nga BE në Qershor për shtyrjen e zgjedhjeve, ndërmori hapin vetvrasës të zhvillimit të zgjedhjeve të paligjshme pa Opozitën, si dhe nisi një sulm të paprecedentë kundër Presidentit, pasi ky i fundit zbatoi Kushtetutën dhe i anuloi zgjedhjet e datës 30 Qershor me anë të një dekreti, që i bënte nul ato, kjo edhe sipas raportit zyrtar të Venecias.

Gjesti i refuzimit për dialog nga një ‘llasticë’ ballkanase, nuk dëmton vetëm interesat e shqiptarëve, por është një tallje e hapur me Bashkimin Europian dhe përfshirjen e tyre në këtë proces. Kjo është një meritë që i duhet njohur edhe Ramës, sepse vetëm një person karagjoz dhe i papërgjegjshëm si ai mund ta bëjë këtë gjest pa marrë parasysh pasojat e rënda, që do të ketë mbi popullin shqiptar një tallje e tillë me Bashkimin Europian.

Por, problemi që ka tani e tutje ky proces, është fjalia idiote e kryeministrit artist :-“Ne i kemi kryer detyrat tona, nëse Europa nuk na pranon , nuk është më problemi ynë”, apo fjalia emblematike e Mimi Kodhelit që me moshapjen e negociatave “Nuk humb Shqipëria, por humb vetë Europa”. Një karshillëk idiot i klloun-kryeministrit që kemi.

Ndërkohë, Opozita ka dhënë dhe sakrifikuar gjithçka edhe pse ndodhet nën presionin e fortë të mbështetësve të saj ,sepse duket sikur me ndalimin e protestave, gjithçka ka rinisur nga e para. Opozita ofroi gjithçka që kërkoi Europa, në shenjë kompromisi qysh në qershor. Ajo mori përsipër një rrezik të madh kur vendosi të angazhohej në zgjedhjet e 30 Qershorit për të neutralizuar çdo lloj mundësie për dhunë dhe destabilitet.

Ajo pranoi të ulej menjëherë në tavolinë sipas kërkesës së partnerëve europianë dhe amerikanë për Reformën Zgjedhore. Sipas kërkesës së Europianëve dhe Amerikanëve, Partia Demokratike hoqi dorë nga protestat deri në vendimin final për negociatat duke prerë kështu në mes ritmin e protestave opozitare, që mund ta hidhnin në Lanë kryeministrin më të papërgjegjshëm që ka njohur historia e tranzicionit.

Ndërsa , Edi Rama po refuzon në mënyrë të prerë të gjitha propozimet e BE. Ai refuzoi në Qershor ofertën e e të dërguarit special të Kancelares Merkel, z. Wahdepul nënkryetarit të CDU , i cili sugjeroi shtyrjen e zgjedhjeve në Qershor, por ai po refuzon edhe tani Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mos plotësuar kërkesat legjitime të Opozitës për Reformën Zgjedhore.

Pas refuzimit me kusht të Qershorit për hapjen e negociatave, me gjithë deklaratat e ashpra zyrtare të Francës dhe Hollandës, dhe pas vendimit poshtërues të Budestag-ut, artisti vazhdon të bëjë sikur nuk kupton, që është shndërruar në pengesën kryesore të integrimit të Shqipërisë dhe aspiratave të shqiptarëve për një Shqipëri si gjithë Europa.

Vendimi hileqar i Ramës për të hyrë në zgjedhje në 30 Qershor me qēllim zhvendosjen e vëmendjes nga skandali i publikuar nga BILD, kërcënimi me destabilitet , injorimi që ai po i bën kërkesave të BE dhe SHBA, që kërkuan ngritjen e Gjykatatës Kushtetuese dhe ndëshkimin e hajdutëve të votave brenda Korrikut, angazhimi i pacipë në një mini shchengen ballkanik , si formë presioni ndaj Perëndimit , pra rikthimin tek ideja e një Jugosllavie të re, janë kërcënim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin, janë futje në një tunel të errët pa dritë dhe rikthim në pikën zero.

Ky është edhe dështimi më i madh i Bashkimit Europian , i cili me politikat e tij të paqarta dhe të pavendosura mbështet prej gjashtë vitesh një udhëheqës tipik autokrat, që është aq idiot dhe i llastuar , sa e çon nëpër mend se mund t’i bëjë presion ose shantazhojë Perëndimin.

Por, Edi Rama nuk është aq naiv sa e perceptojnë. Ai është njeriu më i qartë dhe i informuar për situatën ku ndodhet, qysh në Janar kur filloi sulmi nga Zëri i Amerikës me publikimin e përgjimeve, sulm që u intensifikua me djegjen e mandateve dhe kulmoi me bombat e gazetës gjermane BILD.

Ai e di më mirë se askush tjetër, që e gjitha kjo ofensivë perëndimore ka pasur prej fillimit vetëm një qëllim, largimin e tij. Ndaj po bën gjithçka për ta mbajtur mazhorancën të bashkuar kundër BE. Ai dinakërisht e përdori gjithë këtë situatë për të thënë, që ai sot është një faktor i pakapërcyeshëm dhe se pa atë, askush nuk bën dot asgjë në këtë vend.

Ndërkohë, rikthimi i SHBA në Ballkan , dëshmon se vendimi në emër të interesit perëndimor në Shqipëri tashmë është marrë! Prej Qershorit ata janë pozicionuar qartë ndaj këtij njeriu që është haptazi pengesë jo vetëm për dialogun, por është rrezik për demokracinë dhe për rrugën europiane të Shqipërisë .

Por, ata nuk kanë pse e llastojnë një kryeministër të diskretituar publikisht si një diktatoruc antiperëndimor, si hajdut zgjedhjesh dhe si i implikuar personalisht dhe familjarisht në krime dhe pazare droge, dhe i akuzuar ligjërisht nga drejtësia amerikane për përfshirje në korrupsion në një fotografi me Presidentin Obama. Pas refuzimit të Ramës dhe PS, çdo përpjekje e mëtejshme për dialog me ta është qesharake. Është koha që SHBA dhe BE duhet të jenë më të qartë dhe të drejtpërdrejtë kësaj rradhe, jo vetëm me Ramën, por edhe me Partinë Socialiste, sepse tashmë nuk po luhet vetëm fati i Ramës, por edhe i PS-së.

Nëse edhe pas kësaj, dialogu dështon, atëhere BE dhe SHBA duhet të rrisin radikalisht angazhimin e tyre në vend, ashtu siç bënë edhe në Kosovë, për ta detyruar Ramën të hapë rrugën, si problemi më i madh i integrimit të Shqipërisë dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, ku shqiptarët të gjykojnë se cilin krah politik duhet të mbështesin me votën e tyre, ata që duan Europën dhe Perëndimin apo ata që duan Jugosllavinë e Re dhe Lindjen.

Por, nëse ata nuk do të ndërhyjnë shpejt dhe me vendosmëri për ta zgjidhur këtë krizë brenda një kohe të shkurtër, asgjë nuk nuk mund t’i ndalojë më shqiptarët, që me çdo mjet ta marrin vetë në dorë fatin e tyre.