Nobeli dhe Gjenocidi mbi Shqiptarët – Ku është Ndryshimi midis Handke dhe Kadaresë?!

Nga Nebil Çika
Vendimi për t’i dhënë këtë vit çmimin Nobel për letërsi autorit austriak Peter Handke, krahas shkrimtares polake Olga Tokarczuk, shkaktoi zemërime të ashpra për shkak të mbështetjes që Handke i ka dhënë regjimit të Sllobodan Milosheviçit dhe mohimit të gjenocidit serb mbi shqiptarët dhe popujve të tjerë të Ballkanit. Një reagim i drejtë e legjitim ndaj nderimit të një shkrimtari që e përdori talentin e tij për të mbështetur një person të dënuar për gjenocid e krime kundër njerizimit edhe nga gjykata ndërkombëtare.
Personalisht kam firmosur peticionin e organizuar për anulimin e këtij çmimi dhe dënoj me neveri këtë vendim dhe çdo nderim tjetër për këdo që ka kryer krime apo i ka përkrahur publikisht ato.
Në këto reagime ndaj këtij vendimi të “Komitetit Nobel të Akademisë Suedeze” spikaten ato mbarë shqiptare sidomos të elitave zytare, politike e shoqërore, në Shqipëri, Kosovë Maqedoni , diasporë etj. , një reagim i fortë në një zë që nderon këdo që e bëri.
Mirëpo i gjithë ky reagim përveç efektit pozitiv nxori në pah edhe anën tjetër të medaljes, mungesën e racionalitetit, dy standardet dhe hipokrizinë e një pjese të madhe të politikanëve, akademikëve, shkrimtarëve dhe shumë shqiptarëve të tjerë në raportin e tyre me reagimin andaj rasteve të ngjashme shqiptare.
Rasti tipik është pa dyshim i “kandidatit” shqiptar i Çmimit Nobel, Ismail Kadare. Bie në sy fakti që shumë nga ata që reaguan kundër Handke kane qënë dhe janë përkrahës të zjarrtë ose kanë heshtur ndaj përpjekjeve për marrjen nga Kadare të këtij çmimi duke dëshmuar dy fytyra apo dy standarde në reagimet e tyre.
Pyetje ime për të gjithë ta që përkrahin Kadarenë ose heshtin kur ai nderohet apo tenton të nderohet është e thjeshtë: Ku është ndryshimi midis Handke dhe Kadaresë?
Handke akuzohet me të drejtë se ka qënë një përkrahës (tifoz) i Milosheviçit dhe gjenocidit serb mbi shqiptarët dhe të tjerët duke u kthyer në një simbol i mbrojtjes publike ndërkombëtare për krimet kundër njeriut. Me ligësi përdori talentin dhe famën e tij për të mbrojtur këto krime dhe aktorët e tyre, gjë që e bën atë indirekt pjesëmarrës në këto krime.
Kadare ka bërë shumë më shumë me një tjetër autor të madh të krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit mbi shqiptarët, Enver Hoxhën. Kadare, jo vetëm me letërsinë e tij, por edhe me aktivitet të drejtpërdrejtë politik u bë pjesëtar në krimit e Hoxhës ndaj popullit dhe kombit shqiptar.
Kadare ishte komunist, anëtar i organizatës më të madhe kriminale që ka pasur ndonjë herë ky vend, Partia e Punës e Shqipërisë-PPSH!
Deputet i Kuvendit Popullor në atë periudhë, institucionit që legjitimonte krimet kundër njerizimit dhe gjenocidin e Enver Hoxhës ndaj popullit e kombit shqiptar.
Ishte nënkryetar i Frontit Demokratik, zëvendës i Nexhmije Hoxhës, organizata politike de jure autore e diktaturës komuniste dhe krimeve të saj. Dihet botërisht që për 45 vjet diktaturë në Shqipëri në të gjitha nivelet e pushtetit votohej për “Frontin Demokratik” jo për PPSH. Fronti Demokratik ishte organizata që me orientim të PPSH dhe Sigurimit të Shtetit ekzekutonte, internimet dhe dëbimet apo diskreditimet publike të mijëra kundërshtarëve politikë të Enver Hoxhës dhe familjarëve të tyre gra e fëmijë që u mbyllën në kampet e përqendrimit për tu shfarosur nga terrori, uria dhe sëmundjet.
Kadare ishte një nga drejtuesit e Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Artistëve ku përgatitej shplarja e trurit të komunizmit e ku ngriheshin në art lufta e klasave dhe krimet e komunizmit. Në këtë institucion nisnin akuzat e linçoheshin shkrimtarët dhe artistët e konsideruar si armiq të partisë dhe Enver Hoxhës.
Por pa dyshim ndihma më e madhe që i ka dhënë Kadare Enver Hoxhës dhe diktaturës se tij të përgjakshme është letërsia e tij që glorifikoi diktatorin dhe diktaturën duke legjitimuar në art kulturë e opinionin publik krimet e tyre.
Por në ndryshim me Handke që është një austriak tifoz i një serbi si Millosheviç që bëri gjenocid mbi shqiptarët dhe të tjerë jo serb, Kadare është një shqiptar, që bashkëpunonte e i shërbente në mënyrë të drejtpërdrejtë një shqiptari që bënte gjenocid mbi shqiptarët për llogari e në shërbim të serbëve. Nuk e dimë se si do të reagonte Handke në se Milosheviçi do të vriste austriakë. Qëndrimin e Kadaresë kur Enver Hoxha vriste shqiptare e dimë.
Mund të rrimë gjithë kohën e të sjellim fakte prova e detaje të implikimit në krimet e Enver Hoxhës të Kadaresë por qëllimi i këtij shënimi nuk është kjo, por dyfytyrësia e dy standardet e përdoruar nga shumica e elitës sonë zyrtare për fenomene dhe individë kaq të ngjashëm siç janë Handke e Kadare.
Këta hipokritë politikë, kulturorë, mediatikë e të tjerë, jo vetëm që nuk reagojnë por janë bërë pjesë e përpjekjeve dhe akteve të nderimit që shteti shqiptar dhe të tjerë i kanë bërë e i bëjnë Kadaresë.
Kur dekorohet nga Presidenti e qeveria apo kryetarët e bashkvie. Kur lavdërohet nga shefi i opozitës apo lejohet të shkruajë parathënien e veprës së Mid’hat Frashërit. Kur qeveria shpall vitin e Kadaresë apo harxhon qindra milionë lekë të taksapaguesve shqiptarë përfshi edhe të viktimave të gjenocidit komunist të cilin ai e ndihmoi drejtpërdrejte. A kanë te drejtë të falsin sot kundër Handke ata që mbështesin, nderojnë e mbrojnë Kadarenë! Sigurisht që jo! Prandaj reagimi i tyre është i kotë se nuk i dëgjon njeri. Raporti me të vërtetën është përcaktues në nivelin e lirisë së një individi, populli apo kombi. “E vërteta do t’iu bëjë të lirë” – tha Jezu Krishti dhe në rastin aktual ky postulat është i vërtetuar plotësisht.
Kam një fjalë edhe për vëllezërit tanë jashtë Shqipërisë politike, sidomos ata në Kosovë. Shpesh herë për Enver Hoxhën dhe ndihmësit e tij në gjenocidin ndaj popullit e kombit shqiptar, përfshi edhe Kadarenë, keni një qasje ndryshe nga ne të Shqipërisë politike: Do t’ju lutesha shumë, ta shikonit Enver Hoxhën, diktaturën , gjenocidin dhe krimet e tij mbi shqiptarët, si dhe bashkëpunëtorët e tij me syrin tonë !