Komisioni i Venecias nxjerr opinionin zyrtar mbi Presidentin Meta: Nuk ka shkjelje

Komisioni i Venecias publikoi këtë të hënë raportin final për çështjen e shkarkimit të Presidentit Ilir Meta. Sipas raportit, Presidenti “mund të ketë tejkaluar kompetencat”, por shkelja nuk konsiderohet aq e rëndë sa për ta shkarkuar. Megjithatë, në fund, opinioni i Venecias ia la në dorë Parlamentit dhe përfundimisht Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi të ardhmen e Presidentit.

“Presidenti mund t’i anulojë zgjedhjet vendore në një situatë që përmbush kriteret për të marrë masa emergjente. Edhe në këtë rast, Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike “ad hoc” për të shtyrë zgjedhjet.

Në këtë rast nuk u ndoqën rregullat kushtetuese në fuqi për situatat emergjente. Nuk pati as konsensus politik që do të kishte lejuar vendosjen e një baze ligjore “ad hoc”.

Anulimi i zgjedhjeve gjithashtu prek të drejtat e zgjedhësve që njihen nga instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Mungesa e bazës ligjore dhe alternativat e disponueshme (shtyrja e zgjedhjeve sipas masave emergjente të parashikuara në nenin 170 të Kushtetutës, ose rifillimi i dialogut pas zgjedhjeve) e bëjnë ndërhyrjen jo proporcionale me të drejtat elektorale.

Bojkoti zgjedhor nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit, nuk mund të bëhet pengesë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta.

Do t’i takojë Kuvendit dhe më pas Gjykatës Kushtetuese të vendosë nëse anulimi dhe më pas shtyrja e zgjedhjeve, përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe nëse këto shkelje ishin të një natyre aq të rëndë sa do të lejonin shkarkimin e Presidentit.

Siç thuhet në këtë opinion, një numër faktorësh tregojnë se veprimet nuk mund të kenë qenë të një natyre të atillë sa që të përbëjnë shkelje të rëndë. Mes këtyre faktorëve dallojmë thirrjen e Presidentit për dialog, pritshmërisë së tij se shtyrja e zgjedhjeve do të kontribuonte në arritjen e një kompromisi mes partive, faktin që dekreti i tij nuk u ankimua në Gjykatë dhe faktin që zgjedhjet vendore kanë status kushtetutshmërie të ndryshëm nga ato parlamentare.

Të marra së bashku, këto mund të përbëjnë elemente në mënyrë që Kuvendi të vendosë se, pavarësisht Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe më pas shtyrë zgjedhjet përtej mandatit elektoral të autoriteteve vendore pa një bazë specifike ligjore, këto akte mund të mos përmbushin kriterin e të qenit mjaftueshëm të rënda sa për të krijuar rrethanat për nisjen e procedurave të shkarkimit të Presidentit.

Në fund, edhe nëse vendoset se shkeljet kanë qenë të rënda, kjo nuk do të duhet të thotë domosdoshmërish shkarkimin Presidentit, duke marrë parasysh fuqinë që ka Kuvendi për të marrë parasysh objektivat kushtetues, si kontrolli dhe balanca”