Pse Edi Rama është pro-serb dhe si PD duhet ta kundërshtojë “Shengenin Ballkanik”


Nga Indrit Vokshi

Në kohën kur Kosova i vu bllokadë Serbisë për mallrat e saj me kryeministrin Haradinaj dhe një ditë pas dekleratës ku kryeministri potencial Albin Kurti deklaroi se synon reciprocitet me Serbinë, Edi Rama shpalli në Serbi “Shengenin Ballkanik”. Edhe vetë emërtimi “Shengen ballkanik” është koplili gjuhësore sepse tenton ta veshë me stof europian për sytë dhe veshët e njerëzve një nismë serbe me partnerë maqedono-shqiptarë. Po ta studiojmë, pse Maqedonia e Shqipëria? Pse nuk qenë të domosdoshëm Mali i Zi dhe Kosova e Bosnja? Kuptohet, kush do ta kuptojë e kupton; Shqipëria po i hap tregun shqiptar Serbisë duke i hequr pengesat fiskale e burokratike. Ky është synimi i nismës. Ky dhe vetëm kaq. Serbia ankohet se bllokada e Kosovës i ka shkaktuar 300 milion euro humbje dhe, humbjen synon ta rikuperojë në një treg të ri pa pengsa fiskale e burokrate, pra duke ulur kostot. Ndaj nevojitet vetëm Maqedonia në mënyrë që mallrat serbe të kenë rrugën tokësore për të ardhur në Shqipëri dhe kaq. Asnjë shtet tjetër nuk është i domosdoshëm për ketë qëllim të Serbisë. Prandaj edhe kjo nisëm është e paprecedent sepse është nisëm e vetëm tre shteteve. CEFTA psh ka qenë e të gjitha shteteve joanëtare. Ndërsa kjo është nismë vetëm e Serbisë. Kjo sa për aspektin thjesht tregtar. Në aspektin politik dhe gjeostrategjik Shqipëria nuk mund të marrë asnjë vendim në lidhje me nismat, veprimet dhe qëndrimet e saj në rajon, pa llogaritur Kosovën. Kjo duhet të jetë formula diplomatike e shtetit të Shqipërisë. Gjithmonë dhe për gjithçka duhen llogaritur interesat e Kosovës. Gjithmonë dhe për gjithçka duhet pasur parasysh forcimi i Kosovës, institucionet e Kosovës, afirmimi i Kosovës. Aq më tepër në mardhënie me Serbinë, Shqipëria smund të mos llogarisë Kosovën. Edi Rama është bashkuar me nismën e Serbisë pa llogaritur Kosovën, pa u dakordësuar me Kosovën dhe, më e rëndësishmja, pa i zgjidhur Kosova konfliktet e saj me Serbinë. Presidenti Vuçiç, pas fitores së vogël diplomatike ku arriti të afronte tek synimet e tij Edi Ramën dhe Hashim Thaçin, fitore e cila iu gropos prej diplomacisë euro-atlantike, sot i jep mesazhin Kosovës se ai mundet ta përdorë Shqipërinë. I jep mesazh Kosovës duke i thënë se asnjë masë anti-serbe e institucioneve të shtetit të Kosovës nuk ka efekt, pasi ai e gjen rrugëdaljen në Shqipëri. Ai kështu godet dhe dobëson politikën e shtetit të Kosovës, me ndihmën e Edi Ramës, duke neutralizuar efektin e masave të tyre. Sot Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç fishkullojnë Kosovën. Është e tmerrshme dhe e dhimbshme se si Tirana e drejtuar nga Edi Rama ka degraduar dhe është shitur në ketë mënyrë. Partia Demokratike e Shqipërisë përmes niveleve më të larta duhet të deklarojë se nuk e njeh “Shengenin ballkanik” dhe sapo të vijë në qeverisje do të tërhiqet prej kësaj marrëveshjeje. Diplomacia e PD duhet të rikonfirmohet edhe njëherë si diplomaci e principit dhe e gjithëpërfshirjes përmes një principi dhe kjo formulë na çon vetëm tek dyert e Bashkimit Europian. Duhen denoncuar formulat e parcelave dhe pa princip por vetëm me interesa të njëanëshme, siç është kjo e “Shengenit çerek-ballkanik”.