Mirë Albin, lërja shamitë, por mos harro se ke edhe gjakun e Kostandinit

Nga Vëlla Shkumbini
Më pëlqeu Albin Kurti kur foli për çështjen e ndalimit të shamisë nëpër shkolla, tha që ne nuk merremi me çështje rrobaqepsie, duke cituar një poet shqiptar që jeton në Stamboll, ish-Kostandinopoja, kryeqytet i Ortodoksisë.
Nga ana tjetër unë do shtoja dhe disa gjëra të tjera, Qeveria e Kosovës duhet të investojë edhe për vetëvendosjen e Katolikëve dhe Bektashijve në Kosovë, ashtu siç duhet të ndriçojë historinë mbi shitjen që ju bë shqiptarëve ortodoksë të Kosovës (dhe Maqedonisë), të cilët dashje-pa-dashje u asimiluan nga sllavët.
Pse e them këtë?
Sepse mendoj se katolikët shqiptarë të Kosovës po sillen si koloni të Vatikanit, duke harruar se krishtërimi shkoi në Romë nga kjo anë e Adriatikut e se ka pasur shumë papë shqiptarë. Ne shqiptarët jemi popull që e ka themeluar katolicizmin dhe nuk ka vend për koloni vatikane në tokat tona. Kjo pjesë e historisë duhet të ndriçojë fort dhe ta trondisë politikën cinike që Vatikani po luan sot në kurriz të shqiptarëve. Katolikët shqiptarë duhet të kërkojnë vetvendosje!
Sepse mendoj se baktashinjtë shqiptarë janë shembulli i gjallë i tolerancës sonë. Ne i pritëm, i mbrojtëm, i integruam dhe i bëmë vëllezërit tanë shqiptarë. Bektashinjtë shqiptarë duhet të kërkojnë vetvendosje!
Sepse mendoj se ortodoksët shqiptarë themeluam ortodoksinë, sepse pa Kostandin nuk do kishte Kostandinopojë dhe pa Kostandinopojë nuk do kishte Bizantin. Kostandini ishte djalë Kosovë, ishte dardan. Ortodoksët shqiptarë duhet të kërkojnë vetvendosje, duhet të marrin në dorëzim kishat që kanë ndërtuar etërit tanë dhe që kanë suvatuar më pas pushtuesit. Ortodoksët shqiptarë duhet të kërkojnë vetëvendosje.
Sepse, edhe për sa i përket myslymanëve shqiptarë, nuk duhet të harrohet se mendimtari më i ndritur i Islamit në shekullin e kaluar ishte shqiptar, quhej al-Albani, prandaj dhe myslymanët shqiptarë duhet të ecin me kokën lart ndërmjet bashkëfetarëve të tyre dhe ta kuptojnë se i përkasin një populli të veçantë që është në bazën e kulturës Evropiane dhe Mesdhetare.
Kështu, me këto që thashë, gjithë ideja është se ne nuk jemi një popull me fe të ndryshme, por një popull që ka themeluar fe të ndryshme dhe për kaq pasuri sa kemi, nuk kemi nevojë të na tregojë njeri çështje rrobaqepsie, sepse feja është zgjedhje personale, por nga ana tjetër nuk kemi pse i lëmë dhe kaq hapësirë rrobaqepësve nga Turqia dhe all-Arabia, duhet t’ja tregojmë kufirin, se ka pasur burra dhe gra populli ynë që kanë themeluar fe nga hiçi.