Pioli drejton stërvitjet te Milani, ja si pritet të luajnë kuqezinjtë me të

Stefano Pioli ka drejtuar edhe seancat e para stërvitore të skuadrës së Milanit, teksa menjëherë ka nisur të punojë për një rreshtim 4-3-3, ndonëse nuk e ka të gjithë grupin e lojtarëve në dispozicion, për shkak të grumbullimeve me kombëtaret përkatëse.

Kështu Milani i Piolit pritet të jetë me Donnarummën në portë, Romagnolin, Musacchion, Calabrian dhe Theo Hernandez në mbrojtje, ndërsa krahasuar me ekipin e Giampaolos, ndryshime priten në mesfushë e sulm.

Në regji pritet të rikthehet Lucas Biglia, i cili është një njohje e vjetër e Piolit, pasi të dy kanë qenë pjesë ne Lazios disa vite më parë, ndërsa në krah të tij do të luanë i zakonshmi Kessie dhe braziliani Paqueta, i cilësuar mjaft i rëndësishëm nga tekniku kuqezi.

Sulmi është reparti që ka stonuar më shumë në këto javë të para dhe detyra primare e Piolit është të rikthejë te golat polakun Piatek, i cili këtë sezon ka shënuar vetëm nga pika e bardhë e penalltisë.

Në krah të polakut në sulm pritet të luajë i zakonshmi Suso në krahun e djathtë dhe portugezi Leao në krahun e majtë, me këtë të fundit që pritet të ketë liri veprimi, ashtu si Chiesa te Fiorentina, pasi garanton teknikë, shpejtësi dhe goditje.

Më ndryshimet në pankinë humb terren Bennacer, që duhet të nisë edhe njëherë betejën me Lucas Biglian, por edhe turku Calhanoglu, pasi dihet që si Pioli, ashtu edhe klubi i Milanit kanë prioritet të rikthejnë në formën më të mirë brazilianin Paqueta.