…lakmia

Astrit Lulushi

Edhe në kohë paqeje, shqiptarët janë të zhytur në luftë; shumica në përpjekje për mbijetesë – gjë që duhej ta kishin të sigurtë – ndërsa të tjerët, një pakicë, përpiqen të ruajnë e shtojnë atë që nuk duhej ta kishin, por që e kanë marrë me hile, mashtrim, korrupsion e vjedhje. Etja për pasuri materiale i bën si të dehur dhe ngushton këndvështrimin e tyre.
Pasioni për të marrë, zotëruar dhe mbajtur është themeli i të gjitha sëmundjeve shoqërore, përfshi diktaturën, tiraninë dhe autokracinë. Është kjo lakmi që e tërheq njeriun drejt një grope pafund për të përmbushur nevojën pa arritur kurrë kënaqësinë; lakmia është dëshirë që vazhdimisht grryen për të përvetësuar e poseduar më shumë sesa njeriu ka nevojë; është pamundësia për të kontrolluar “dëshirat” pasi të jenë plotësuar “nevojat”, për tu ndier më mirë se dikush tjetër. Qëllimi i lakmisë është t’i privojë të tjerët nga mbijetesa bazë, ose që të mos gjejnë udhën drejt saj.
Aspekti më i rrezikshëm i tiranisë është kontrolli dhe ndërhyrja në aktivitetet e njerëzve. Për shembull, një njeri mund të pushohet nga puna sepse nuk e pëlqen partinë e bosit të tij. Ai mund të mos gjejë punë thjesht me arsyetimin se është më i arsimuar se shumica dhe për këtë arsye më i rrezikshëm. Raste të tilla ndodhin aktualisht; çdo parti që fiton zgjedhjet punëson taborin e saj; çdo i ri i shkolluar në perëndim e ka të vështirë të gjej punë kur kthehet në vendin e tij. Kjo e keqe nuk korrigjohet, por, përkundrazi, intensifikohet. Aty ku Shteti është punëdhënësi kryesor, nuk ka asnjë strehë për mendim tjetër dhe njeriu humb çdo pavarësi veprimi. Me këtë mendësi të trashëguar veprohet në Shqipëri. Pra, se njeriu humbet privatësinë, pavarësinë e tij intelektuale, por mund t’i shpëtojë varfërisë për aq kohë sa është i gatshëm të punojë në një sistem ekonomik bazuar në autokraci.

more recommended stories

loading...