Politika e vulgaritetit, sundim përmes injorancës

Ergys Mërtiri

Progresi teknologjik i komunikimit dhe kontrolli i medias mbi opinionin publik ka sjellë një transformim rrënjësor të politikës në shoqëritë moderne. Media përcakton mënyrën se si ajo zhvillohet, gjë që do të thotë se politika varet nga mjetet e komunikimit që përdor. Për shkak të varësisë nga media, politika është bërë gjithnjë e më shumë e painteresuar ndaj ideve dhe qeverisjes në vetvete, duke u përqendruar thuajse plotësisht tek imazhi. Ajo nuk ndodh në ndonjë realitet konkret, por ndodh vetëm në ekran. Ajo është një veprimtari e shfaqur dhe e kushtëzuar ekstremisht nga shfaqja dhe si e tillë ajo është bërë spektakolare dhe thellësisht propagandistike. Siç thonë disa studiues, tashmë ajo mund të quhet videopolitikë.

Efekti i natyrshëm i spektakolarizimit të politikës është vulgarizimi i saj. Giovanni Sartori është një nga ata studiues që pohojnë se ajo karakterizohet sot nga të mosmenduarit. Kalimi nga gazeta tek radio dhe ankorimi në televizion, si arena kryesore ku bëhet dhe shfaqet politika moderne, ka bërë që pesha e fjalës (qoftë kjo e shkruar, apo e folur) të humbasë dhe të dominohet tashmë nga imazhi. Në këtë mënyrë, politika çlirohet nga forca e mendimit për të shkuar gjithnjë e më shumë drejt shfaqjes. Imazhi e ndërpret mendimin kritik dhe procesin e të gjykuarit thellë tek individi. Ai, gjithashtu, prodhon reagime emocionale dhe jo racionale te publiku. Kjo bën që politika, si një veprimtari televizive, të mbështetet gjithnjë e më pak tek idetë e programet dhe gjithnjë e më shumë tek efektet emotive, të prodhuara nga stimujt e kushtëzimit veprues të propagandës.

Nga të gjitha format e komunikimit, thotë Sartori, imazhi gënjen më shumë, pasi ai flet vetë dhe nuk lë hapësirë për koment. Për këtë arsye, sipas tij, televizioni është mjeti më i rrezikshëm i komunikimit e, rrjedhimisht, politika e sunduar nga televizioni, prodhon një demokraci që nuk formësohet nga arsyeja, por nga injoranca. Kjo do të thotë se demokracia ka humbur idealet mbi të cilat është ngritur duke dështuar të prodhojë një politikë të arsyes.

Sipas Sartorit, televizioni ndikon mbi turmat duke falsifikuar autoritetin. Ai përdor njerëz të famshëm, pa asnjë lloj atributi intelektual – këngëtarë, futbollistë, aktorë – duke iu dhënë atyre autoritet për të manipuluar turmën. Injoranca kthehet në standard dhe në mjet sundimi. Me këto mjete, videokracia fabrikon opinionin, çka boshatis demokracinë nga atributet e saj si një qeverisje e opinioneve. Televizioni vepron si zëdhënës i publikut, por ai është vetëm jehona e zërit të vet, e cila i mbivendoset publikut.

Politika e sotme është jo vetëm irracionale, por, në një masë të konsiderueshme, edhe e pavetëdijshme. Aldus Huxley vëren se njerëzit në përgjithësi komunikojnë më shumë në mënyrë të pavetëdijshme sesa të vetëdijshme. Shumica e gjërave që shohim e dëgjojmë gjatë ditës, nuk janë objekt i vetëdijes sonë. I gjithë ky informacion, sipas tij, depozitohet në nënvetëdije, gjë që bëhet një burim i madh ndikues mbi mendimet, ndjenjat dhe sjelljet tona të vetëdijshme.

Këtë mund ta themi edhe për zgjedhjet tona politike. Votuesi nuk bën llogari apo analiza të specializuara për të përcaktuar se kujt ia jep votën. Ai gjykon mbi bazë të përshtypjes, e cila ka marrë formë në nënvetëdijen e tij, teksa më pas, ai mund të debatojë dhe të arsyetojë se si dhe pse një forcë politike është më e mirë se tjetra. Arsyet e zgjedhjeve, përtej argumenteve tona, janë më shumë produkt i sferës së nënvetëdijes. Në thelb, përveç se joracionale, demokracia moderne është gjithashtu një “udhëheqje e pavetëdijes së popullit”.

Nëse dikur media dhe shtypi i lirë janë parë si burim i rëndësishëm i demokracisë, sot ato janë burimet që po e tjetërsojnë atë. Ato nuk janë më mjete të mirëfillta informimi, por burime manipulimi dhe propagande. Demokracia kthehet në një sistem ku garojnë manipuluesit. Aftësia për të manipuluar bëhet kapitali më i madh politik dhe fuqia që përcakton suksesin. Politika është si një pazar ku tregtarët shesin e blejnë imazhin e tyre. Njësoj si në një qendër tregtare, blerjet tona nuk varen aspak nga cilësitë reale të mallrave, por nga fuqia marketuese e tyre. Kjo do të thotë se partitë nuk janë më alternativa qeverisëse, por, siç thotë Lazarsfeld “agjenci reklamash që luftojnë për monopolizim të vëmendjes”.

Medius