OLIGARKIA E SIGURIMEVE! Shfrytëzojë çdo rast për përfitime personale dhe në dëm të qytetarëve

Nga Av.Besart Logu

Nga dje ka hyrë në fuqi VKM-ja e cila detyron ndërtuesit që të sigurojnë ndërtesat e ngritura rishtas, pranë një kompanie sigurimi, për një afat 10 vjeçar, si garanci për ndërtimin e realizuar prej tyre.

Një VKM e cila mbivendoset me rregullimet që bën një akt tjetër ligjor, që për nga rëndësia dhe hierarkia e burimeve të së drejtës, qëndron mbi një vendim të Këshillit të Ministrave.

Konkretisht, neni 866 i Kodit Civil, i cili bën pjesë në nenet që rregullojnë Kontratën e Sipërmarrjes, detyron ndërtuesin e veprës që për një periudhë prej 10 vitesh, ti përgjigjet porositësit në rastet kur vepra për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defektetë tjera.

Pra, një rregullim mjaft i qartë dhe që nuk lë vënd për interpretim pasi ligji i jep garanci porositësit në lidhje me veprën e marrë në dorëzim, duke rregulluar atë por me kushtin që të denoncojë të metat e veprës brënda afatit prej një viti nga momenti i zbulimit.

Dikush mund të thotë se këtë detyrim do e kërkosh nëpërmjet një procesi gjyqësor. Dakort, pasi është një detyrim i cili buron nga kontrata dhe se shqiptarët nuk e kanë ende atë kulturë që të njohin detyrimet dhe ti përmbushin ato pa hezitim.

Shqiptari sot nuk përmbush as detyrimet që i lindin nga ligji, zyrtarët e lartë shkelin Kushtetutën dhe çdo akt tjetër ligjor dhe se gjithkush nuk respekton gjithçka, e në të tilla kushte ska si të ndodhë ndryshe me zbatimin e kontratës të pranuar dhe lidhur lirisht mes palëve.

Kulturës së moszbatimit të kontratës nuk i shpëtojnë as kompanitë e sigurimeve. Të gjithë e dimë, pasi jemi përballur vetë apo dëgjuar nga të tjerë, se sa e vështirë është të marrësh pjesën e shpenzimeve të një aksidenti nga siguracioni i automjeteve. Pothuaj çdo rasti i është ulur masa duke mosmbuluar shpenzimet sipas kontratës së sigurimit. Në asnjë rast nuk di të jetë ndarë i kënaqur personi i siguruar nga shërbimi i marrë nga siguruesi por penaliteti që merr nga policia rrugore e bën atë që të lidhë serisht një policë sigurimi.

E për sa kohë kemi një rregullim ligjor (sipas Kodit Civil) por nuk ekziston vullneti për të përmbushur detyrimet që lindin nga ligji apo kontrata (pothuaj në çdo sektor e nga çdo person) një VKM e tillë, përveçse vjen në kundërshtim me ligjin, është totalisht e pavënd. Ajo vetëm sa rëndon xhepat e qytetarëve dhe pasuron kompanitë e sigurimeve. Kontrata 10 vjeçare e sigurimit nuk i ngarkon aspak ndërtuesit pasi kjo kosto e shtuar do shkarkojë te konsumatori, njëjtë me kontratat e sigurimit që lidhen gjatë një mardhënie kredie që krijohet me bankat.

Kështu që, Qeveria jonë tregoi edhe një herë se sa e gatshme është të shfrytëzojë çdo rast për përfitime personale dhe në dëm të qytetarëve. Kontrata e sipërmarrjes bashkë me fondin e emergjencave janë dy mekanizma ekzistues dhe rregullues sa i përket riaftësimit dhe kompensimit të dëmit të shkaktuar nga realizimi i një vepre me të meta apo nga forcat madhore.

Unë propozoj që duhet të sigurojmë edhe mardhënien shtet-individ e cila lind nga kontrata sociale që lidhim çdo katër vjet me partinë në pushtet.