7 Tetor 1933 – Në Vienë të Austrisë, Eqrem Çabej, 25-vjeçar, përfundon doktoraturën me tezën “Studime italo – shqiptare”

7 Tetor 1933 – Në Vienë të Austrisë, Eqrem Çabej, 25-vjeçar, përfundon doktoraturën me tezën “Studime italo – shqiptare” dhe kthehet në Shqipëri prej nga ishte larguar para 13 vjetësh. Pas një periudhe pune si mësues në shkolla e qytete të ndryshme nga veriu në jug; me shkrime e kërkime në fushën e gjuhës, historisë e folklorit, Çabej shpejt bëhet emër i njohur në rrethet intelektuale. Në shtator 1942, atij i ofrohet anëtarësia në Institutin e sapo krijuar të Studimeve Shqiptare, por për arsye politike nuk pranon t’i bashkohet. Disa burime thonë se gjatë periudhës së pushtimit gjerman, Çabej gjithashtu refuzoi postin e ministrit të Arsimit në qeverinë e Rexhep Mitrovicës. Por në “A Biographical Dictionary of Albanian History” 2013, Robert Elsie thotë se “Çabej ishte ministër i Arsimit në administratën e qeverisë së Rexhep bej Mitrovicës nga 5 nëntor 1943 deri më 7 shkurt 1944 dhe ishte në Romë deri korrik 1944.” Për hollësitë që sjell, konstatimi është i bindshëm; ndërsa burimet e para duket se i referohen ende një historiografie të politizuar dikur. Më 1947, profesor Eqrem Çabej bëhet anëtar i Institutit të Shkencave, pararendës i Universitetit të Tiranës; nga viti 1952 – 1957 ai jep mësim si profesor i historisë së Shqipërisë dhe i fonologjisë historike të shqipes. Në vitin 1972, profesor Çabej bëhët anëtar themelues i Akademisë së Shkencave. Pavarësisht se jetoi e veproi në një periudhë izolimi të rreptë stalinist, Çabej, u bë i njohur e i respektueshëm brenda e jashtë vendit si shkencëtar albanolog i mirëfilltë. Mund të thuhet se ai është i pari shkencëtar abanolog shqiptar i renditur si i barabartë mes albanologëve të huaj me famë si Kretschmer, Patsch, Jokl etj, të cilët kishin qenë edhe profesorët e tij. Eqrem Çabej vdiq më 1980, në një klinikë në Romë ku ishte dërguar për trajtim mjekësor. Gjirokastra e quan atë birin e saj dhe Universiteti atje, mban sot emrin Eqrem Çabej. Një nga bashkëpuntorët e tij të afërt, profesor Emil Lafe, thotë diku se edhe Çabej “për Gjirokastrën, kishte mall dhe dashuri të veçantë. Ndonëse në të vërtetë kishte lindur në Eskishehir të Turqisë më 6 gusht 1908, si vendlindje shënonte gjithnjë Gjirokastrën. Herë pas here kishte dëshirë të vinte në dukje qytetarinë e gjirokastritëve, seriozitetin, përmbajtjen, mirësjelljen, dinjitetin vetjak dhe familjar, ndjenjën e jetës shoqërore, dëshirën për të nxënë, aftësinë për t’i bërë ballë jetës.” Eqrem Çabej është autor i mbi 200 publikimeve; la pas shumë shkrime e studime mbi letërsinë e folklorin; si dhe dy veprat madhore: botimin studimor prej dy vellimesh “Meshari i Gjon Buzukut, 1555“, dhe “Studime Etimologjike në fushë të shqipes”. Shumë prej punimeve të tij janë përmbledhur në 9 vëllime “Studime Gjuhësore” – Nga gjithë kjo, ajo që lë mbresë është idea që krijohet, sipas së cilës; gjuha shqipe është si aisberg, më e thellë e më e lashtë sesa duket.