Si duhet lexuar caktimi i ambasadorit Grenell në dialogun Kosovë Serbi

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i tha Zërit të Amerikës se presidenti Trump e emëroi ambasadorin Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm në dialogun Kosovë Serbi për shkak të besimit të madh që ka tek ai.

Ndërsa të gjithë zyrtarët e lartë të Kosovës e mirëpritën këtë vendim, në Serbi pati qejfmbetje. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është shprehur i befasuar nga lajmi i emërimit të Richard Grenell.

Serbët kanë filluar tashmë lojën e minimit të dialogut, siç është analiza në gazetën serbe DANAS, pranë presidentit Vuçiç që nxiste idenë e konfliktit të ideve dhe qëllimeve mes të dërguarit të posaçëm për Ballkanin, Palmer dhe të dërguarit të presidentit Trump për bisedimet Kosovë Serbi. Fatkeqësisht analiza serbe u përkthye në shqip dhe qarkulloi në median tonë, duke helmuar shumë mendje.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmërinë që të vazhdojë bashkëpunimin me SHBA-në për Ballkanin Perëndimor.

Por është pikërisht mungesa e seriozitetit të BE në rajon që ka detyruar SHBA të rikthehen fuqishëm në Ballkan. Pasardhësi i Mogherinit në BE, spanjolli Borrell është cilësuar si një ruajtës i status quosë dhe nuk dëshiron që Kosovës ti bëhen lëshime të tjera, për liberalizimin e vizave apo njohjen e pavarësisë nga disa shtete të BE që refuzojnë, dhe një prej tyre është vendlindja e tij, Spanja. Nesër Borrel do të jetë në komisionin e Jashtëm të PE për të dhënë mendimet e tij për politikën e jashtme, dhe sigurisht pyetja dhe përgjigja për Kosovën do të jetë më e pritura në Prishtinë, Beograd e Tiranë.

Fakti që Rusia po investohet shumë në Serbi për të minuar rajonin në 3 sfera: politike, diplomatike e Kibernetike, është parë si shqetësuese për diplomacinë e SHBA që ka bërë edhe ajo lëvizjet e saj.

Prezenca e SHBA në rajon do të thotë më shumë siguri dhe qetësi për popujt e trazuar të Ballkanit.