PD e Shqipërisë për çudi ose jo ska qenë ndonjëherë zyrtarisht konservatore!

Nga Indrit Vokshi

“Çdo polak i mirë duhet ta njohë cili është roli i kishës. Sepse përtej kishës qëndron vetëm nihilizmi” – ka deklaruar Jaroslav Kazinski.
Partia Demokratike është themeluar si liberale, ka vazhduar si liberale, është zbadhuar në 2005 si liberale dhe ka vazhduar si liberale. Askush nuk ka parë të nevojshme diçka më tepër ose ska guxuar për diçka më tepër. Vlerat e mira tradicionale të vendit janë shënjestruar dhe rrethuar si prapambetje në kohën e komunizmit, janë toleruar por përsëri nuk janë çmuar edhe mbas vitit 1990, sepse synimi këtu ka qenë “përparimi”, ka qenë “emancipimi” përmes mohimit, ka qenë “qytetërimi” përmes de-traditizimit. Elementi tradicional ka qenë mbështetës i PD, tanaherët. Ata janë përdorur për luftë dhe kanë qëndruar për inerci kundër komunizmit. Në prill 2018 me statutin e ri të PD, ndodhi diçka e vogël. PD afirmoi vlerat e mbështetësve të vet duke sanksionuar me statut “Zoti, familja e vlerat tradicionale”. Kjo është pikë e fortë, megjithëse është një pikë. Duhet ta kuptojmë e ta shpjegojmë. Kisha Katolike e Shqipërisë si në aspektin historik ku është kontribuese në kombndërtim dhe në aspektin e qëndresës deri edhe me gjak kundër komunizmit, si në aspektin e mësimeve që predikon çdo të dielë, është ku e ku më e vlefshme, edukative dhe më e vyeshme se çdo teori tjetër e shpërndarë me worshop, seminare e slide të paguara nga fondacione. Xhamia shqiptare si themel i vendit gjithashtu, me hoxhallarë kontribues e mësues, si në aspektin historik dje, me Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça e dhjetra të tjerë, si në aspektin edukativ e predikimin sot, predikon poashtu vllaznim, paqe, tolerancë, kujdes, vetëpërmbajtje. Është pra edhe xhamia ku e ku më e vyeshme se çdo seminar eksperimentues e çorientues. Vendi ka nevojë për paqe e për punë, jo të përdoren shqiptarët si minj të bardhë për të testuar a funksionojnë ideologjitë dhe teorirat e ktyne. Këto fe prej 2000 vitesh inspirojnë kulturë dhe prodhojnë civilizim. Nga ana tjetër ideologjitë eksperimentale po prodhojnë divorc, corientim, drogim, harbim, depresion, vetmi, shkatërrim social e po gërryejnë bazamentet e shoqërive. Thjesht po i shkatërrojnë pa grimë mëshire. Për ta mbyllur me titullin e një enciklike të Papës në vitet 1930 “Non abiamo bisogno”. Nuk kemi nevojë. Vlerat tona tradicionale janë të mira e të mjaftueshme.