Një Brexit me marrëveshje, i arritshëm, nëse BE tregohet e gatshme për kompromis

Kryeministri britanik Boris Johnson ka pretenduar se propozimet e tij për daljen e vendit nga blloku evropian kanë arritur të sigurojnë mbështetje në Parlament, ndërsa i kërkoi Bashkimit Evropian që të hynin në kompromis. – Largohemi pas 25 ditësh. Mund ta bëjmë këtë shoqëruar me një marrëveshje nëse BE është e gatshme për një gjë të tillë, – shkruan Johnson më një editorial të publikuar në dy gazeta këtë të diel.

Bisedimet mes Londrës dhe Brukselit pritet të rifillojnë këtë të hënë, ndërsa dy palët po përpiqen të gjejnë një marrëveshje të re në kohë para samitit të liderëve evropianë që do të mbahet në datat 17 dhe 18 tetor. Por, pengesë kryesore vijon të mbetet çështja e parandalimit të një kufiri të fortë në ishullin e Irlandës, në një kohë që BE ka bërë thirrje për ndryshime thelbësore në propozimet më të fundit të paraqitura nga Britania e Madhe.

Johnson u shpreh se plani i tij që nuk është vënë akoma në provë për të përdorur teknologjinë për të eliminuar kontrollet kufitare do të mundësonte nxjerrjen e vendit nga rregullat evropiane të tregtisë, në një kohë që respektohet edhe procesi I paqes së Irlandës së Veriut. – U them miqve tanë evropianë të kapin mundësinë që paraqet propozimi ynë i ri. Bashkohuni me ne në tryezën e negociatave në një frymë kompromisi dhe bashkëpunimi”, shkruan Johnson , i cili gjithashtu ritheksoi se nuk do të ketë vonesa dhe se Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga BE në datën 31 tetor, me ose pa marrëveshje.