1 në pranga, 3 në kërkim për shfrytëzim prostitucioni. Ndalohet vajza në Rinas

Rinas

Finalizohet një tjetër operacion për parandalimin dhe goditjen e tentativës për trafikim të femrave me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia Kufitare e Rinasit në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të femrave nëpërmjet aeroportit të Rinasit me qëllim shfrytëzimin për prostitucion në vendet e BE-së, është zhvilluar dhe finalizuar një tjetër operacion i koduar “Return”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

– E. Ç., 40 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas gjatë intervistimit të një 30-vjeçareje nga Fieri kanë dyshuar në thëniet e saj për qëllimin e lëvizjes drejt Italisë dhe menjëherë kanë bërë bllokimin e saj duke njoftuar Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.

Si rezulat i hetimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i këtij rasti kriminal, si dhe kapja e arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Ç., i cili do shoqëronte 30-vjeçaren drejt Italisë. Shtetasi E. Ç., në momentin që ka parë bllokimin e 30-vjeçares ka tentuar të largohet nga aeroporti, por është kapur nga shërbimet e Policisë.

Po në vijim të veprimeve të para hetimore është bërë shpallja në kërkim e tre shtetasve A. Ç., R. Xh., dhe K. Q., dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi i arrestuar në bashkëpunim me shtetasit A. Ç., R. Xh., dhe K. Q., nëpërmjet përdorimit të dhunës kishin detyruar 30-vjeçaren që ajo të pranonte të shfrytëzohej për prostitucion në Itali dhe këta shtetas mbrëmjen e djeshme kishin organizuar trafikimin e saj nëpërmjet aeroporit të Rinasit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale të “Trafikim i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit kryer në bashkëpunim”.