Partizani paqe me Teutën, Hasani nuk i mjafton Tiranës, Skënderbeu fiton në shtesë

nga Erjon Halili

Nën një atmosferë të vakët, të diktuar si nga moti, ashtu edhe nga mungesa e tifozërisë në shkallët e “Selman Stërmasit”, sfida nisi mjaft interesante dhe e luftuar, por në minutën e 35-të u kushtëzua nga arbitri, që ndëshkoi mesfushorin Romero me kartonin e dytë të verdhë dhe la Partizanin me 10 futbollistë.

Mjaft i revoltuar për këtë vendim tekniku i “të kuqve” Franco Lerda, që pati kontestuar veçanërisht kartonin e parë të dhënë ndaj mesfushorit të tij, për një faull, që sipas italianit ishte inekzistent, ndërsa në fushë zbriti Telushi, në vend të Jasir Asanit.

Vetëm dy minuta pasi mori epërsinë numerike, Teuta gjeti edhe avantazhin në rezultat, pasi zhbllokoi takimin me një gol të shënuar nga mesfushori prizrenas Florent Avdyli, gjatë ekzekutimit të një faulli.

Partizani vuajti shumë disavantazhin në fushë dhe por arriti të gjejë një gol mjaft të bukur me Lorenc Trashin në minutat shtesë të pjesës së parë, duke rikthyer baraspeshën, teksa mbrojtësi anësor gjeti edhe bashkëpunimin e portierit durrsak Stivi Frashëri.

Pjesa e dytë ishte mjaft e luftuar nga të dy ekipet, që krijuan mundësi shënimi, veçanërisht Teuta që “flirtoi” me golin në disa raste, por sulmuesi Nikaç shpërdoroi mundësi vërtetë të arta, duke u hequr mundësinë e marrjes së 3 pikëve, djemve të Blendi Shkëmbit.

Pas dy humbjeve radhazi ndaj rivalëve direkt për titullin si Kukësi dhe Partizani, Tirana nuk ia doli “të gjejë shërim” as në Vlorë, ku u ndal në një barazim 2-2 përballë skuadrës më të dobët të këtyre javëve të para, Flamurtarit.

Fantazisti shkodran Edon Hasani ishte ai që “mori për dore” bardheblutë në këtë takim, duke shënuar në minutën e dytë dhe të 40’ golat për kryeqytetasit, por vlonjatët u kundërpërgjigjën fillimisht me një autogol të Ngo dhe më pas me një gol të Hoxhës në minutat shtesë.

Skënderbeu vuajti jo pak përballë Luftëtarit në Korçë, por në fund ia doli të festojë fitoren dhe 3 pikët, falë rezultatit 2-0, që u vendos nga dy gola të shënuar në minutat shtesë. Gjirokastritët u mbrojtën mjaft mirë, por “kalaja e tyre” ra në minutat shtesë, ku fillimisht ishte Bruno Dita dhe më pas Arbnor Muja, që shënuan golat me vlerë 3-pikëshe.

Në pritje të dy sfidave të javës së 7 që do të luhen pasditen e nesërme, Teuta dhe Skënderbeu ngjiten përkohësisht në krye me 12 pikë, e ndjekur nga Tirana dhe Partizani me 10, ndërsa Bylis e Kukësi do të kenë mundësi të ngjiten në majë nëse ia dalin nesër.