E.BRAÇE, FELINI QË LEH PËR VETE DHE KAFSHON PËR TË TJERËT!


Nga Av.Besart Logu

Një shprehje shumë e bukur dhe përmbledhëse, që flet në lidhje me karakterin e njeriut thotë se: ka dy gjëra që mund të na përkufizojnë për atë që jemi, durimi kur nuk kemi asgjë dhe sjellja kur kemi gjithçka.

Dje në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, u mbajt seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj ish Drejtorit të Kadastrës së këtij qyteti. Gjykata, në fund të seancës vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë duke e lënë subjektin nën hetim në arrest me burg.

Deri këtu duket një seancë normale e një procesi gjyqësor penal. Duket edhe më normale kur dëgjon se një tjetër drejtor i Rilindjes bie në burg. Karakteristikë e zyrtarëve të lartë, të cilët aktivitetin e tyre kriminal e kanë ushtruar para ose e ushtrojnë pas marrjes së detyrës. Kriminel të rilindur ose bandit që gjejnë veten. Larmi të karaktereve, ku sheh se si një person me prirje kriminale krijon mardhënie me institucionin apo me të tretë.

Ajo çfarë vlenë të theksohet nga seanca e djeshme është prezenca e zv.KM E.Braçe në sallën e gjyqit. Sikur mos të mjaftohej me kaq, kishte marrë të gjitha kamerat e mediave (që tashmë mund ti shohësh vetëm përmes dekoderit të Top Channel apo Vision Plus) dhe në fund e përmbylli me një deklaratë haptazi në sulm të prokurorit dhe gjyqtares së çështjes.

Po çfarë ishte në thelb e gjithë kjo shfaqje? Ishte një demonstrim live se si mund të ndikosh dhe ushtrosh presion mbi një pushtet të pavarur, vetëm me një saktësim të vogël: i kryer nga një amator, ku detyra më e lartë dhe e vetme e tij është ajo e zv.kryeministrit.

E.Braçe është një nga fytyrat dhe tipologjitë që formojnë në tërësi Klanin e Rilindjes. Nëse ju kujtohet në opozitë (mandati 2009-2013), krah T.Doshit dhe A.Prengës, shante Kryeparlamentaren dhe kolegët e tij me fjalorin e Selisë Rozë, shumë më banal se ai i rrugës. Pikërisht kur duhej të prezantoheshin si alternativë, ato shpalosën rrugaçërinë e tyre duke na bërë me dije se çfarë na pret kur ato të vijnë në pushtet.

Dhe çfarë na prezantoi zv.KM Braçe pas 2013-s? Arrogancë dhe harbuteri me këdo që kishte timbrin e zërit më të lartë se ai! Shau dhe denigroi gazetarët në konferenca shtypi, kolegët e tij në komisionin parlamentar, protestuesit që kërkonin zgjedhje të lira e të ndershme, studentët që kërkonin uljen e tarifave. Madje edhe tifozërinë e një ekipi futbolli duke u imponuar atyre edhe se si duhet të sillen në një organizim sportiv.

Qershia mbi tortë ishte pjesmarrja dhe deklarata për mediat pas seancës gjyqësore, se prokurorët dhe gjyqtarët janë të inkriminuar dhe se Kreu AKSH-s është i pafajshëm. Me pozitat që i jep funksioni që mban, ezauroi drejtpërdrejt disa vepra penale, atë të shpërdorimit të detyrës dhe fyerjes e kanosjes së gjyqtarit. Është ai senator i PS i cili doli në mbrojtje të V.Dakos edhe kur publikisht Departamenti Shtetit pranoi se i ka refuzuar vizën. Ai që shantazhoi prokurorin që medemek nxori materialet hetimore të dosjeve 184 dhe 339.

Po çfarë parashikon ligji procedurial penal në lidhje me organizimin e seancës djeshme? Referuar dispozitave të Kodit të Procedurës Penale që rregullojnë Masat e Sigurimit, rezulton se ato zhvillohen me dyer të mbyllura e në të marrin pjesë vetëm prokurori dhe avokati i personit në hetim. Pra, seancat nuk janë publike pasi në atë fazë në të cilën ndodhet çështja, mundet që të dhëna dhe prova sensitive mund të rrezikojnë të merren, të dëmtohen apo të zhduken. Prokurori mbron kërkesën për caktimin e arrestit me burg duke sjellë aspekte dhe rrethana të çështjes bashkë me provat që kanë qënë të mundura për tu mbledhur deri në atë moment. Kjo është arsyeja pse seanca zhvillohet me dyer të mbyllura ku nuk mund të marrin pjesë as familjarët si të subjektit nën hetim ashtu dhe të viktimës së veprës penale.

Pra, prezenca e zv.KM është në shkelje flagrante të ligjit, ku në periudhë vetingu bën që subjektet e rivlerësimit të ndihen të frustuar (ashtu siç u shpreh në raport OSBE-ODIHR për Kolegjin Zgjedhor) dhe shkeljen e ligjit e kthejnë në normë sjellje individuale e institucionale.

Kjo praktikë, e ndikimit dhe kapjes së institucioneve të pavarura nga Klani Kriminal i Rilindjes, tashmë është e njohur. Ekstradimi i N.Seitaj (finacierit të Habilajve) në kundërshtim me ligjin, prishja e hetimeve për K.Balilin, “Arbri Garden”, Avdylajt, Bajrat, Xibraka, Dosja 184 dhe 339 apo mosnisja e hetimeve për çështjen e Teatrit, Unazës, PPP-ve korruptive, për Valdrin Pjetrin, Kajmakun, Babanin dhe shumë çështje tjera të bujshme për shkak të përfshirjes së funksionarëve të Rilindjes apo dhe të vetë KM, tregojnë për një aktivitet të ngjeshur të tyre në ndikim të organeve të hetimit dhe pushtetit gjyqësor.

Të gjitha këto shpjegojnë qartë se përse u shpik një emërtim i tillë Prokuror i Përgjithshëm i Përkohëshëm dhe se pse Kreu i këtij institucioni kushtetues u zgjodh me shumicë të thjeshtë parlamentare, kryesisht me vota mavi. Degradimi institucional vazhdon e thellohet më tej kur sheh ritmin prej breshke të procesit të vetingut. Rilindja ka bërë disa llogari: do e shtyjë atë deri në momentin që do jetë në pushtet. Kjo pasi është e vetmja mundësi dhe i vetmi mekanizëm më efektiv për të prishur hetimet dhe për të futur në xhep një vendim pefajësie apo dënimi me shërbim prove.

Ja pra, kjo është skema që Organizata Mafioze e Rilindjes rrënoi e më pas kapi organet e drejtësisë. Mungesa e vullnetit për të krijuar SPAK-un tregon frikë nga Drejtësia e Re që SHBA dhe BE kërkojnë të ngrejnë. Janë pikërisht këto kone agresive dhe tigra të urtë që lehin e kafshojnë këdo që i prek interesat e tyre. Ato që në opozitë humbnin durimin sepse nuk kishin asgjë dhe sot në pushtet rrugaçërojnë pasi kanë gjithçka (por edhe për pak kohë).