Mithat Frashëri, shërbestar i Kombit në 70 vjetorin e ndarjes nga jeta

———————-
Në Kongresin e Manastirit për themelimin e alfabetit të gjuhës shqipe që u mbajt në Manastir prej 14 deri më 22 nëntor 1908, Mithat Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe u caktua në Komisionin e alfabetit.
———————-
Sot 70-vjetori i ndarjes nga jeta të publicistit, shkrimtarit, përkthyesit, albanologut, diplomatit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare shqiptare, Mid’hat Frashëri (1880-1949).

Lindi në Janinë më 1880 dhe ishte i biri i Abdyl Frashërit, patriotit të shquar shqiptar. Mid’hat Frashëri njihet edhe me pseudonimet “Lumo Skëndo” dhe “Mali Kokojka”.
Mësimet e para i mori nga Naim dhe Sami Frashëri. Nën ndikimin e tyre, ai mori një kulturë të gjerë dhe zotëroi disa gjuhë të huaja. Në vitin 1908 themeloi gazetën “Liria” në Selanik.

Nga viti 1897-1928 botoi me ndërprerje revistën “Kalendari Kombiar”. Në vitin 1909 botoi revistën “Diturija” në Selanik, në Konstancë dhe në Tiranë. Këto revista trajtuan çështje me rëndësi historike, gjuhësore, folkloristike dhe të traditave të popullit shqiptar. Mid’hat Frashëri zhvilloi një veprimtari të gjerë letrare, kulturore dhe politike. Në Kongresin e Manastirit (1908) u zgjodh kryetar dhe u caktua në Komisionin e Alfabetit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, më 28 nëntor 1912. U emërua ministër i Punëve Botore në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Gjatë periudhës së Princ Vidit, u ngarkua me detyrën e ministrit të Postave dhe Punëve Botore. Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore qëndroi në vende të ndryshme të Evropës. Në vitin 1918 u emërua ministër i qeverisë së Turhan pashë Përmetit dhe anëtar i delegacionit zyrtar shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.

Në vitet 1923-1925, mbajti detyrën e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë. Gjatë ushtrimit të kësaj detyre, Mid’hat Frashëri protestoi për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve myslimanë të Çamërisë nga qeveria greke. Në vitet 1926-1939 hapi librarinë “Lumo Skëndo” në Tiranë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore drejtoi organizatën e Ballit Kombëtar. Në përfundim të luftës, fillimisht shkoi në Itali dhe më pas në Londër, ku formoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. U nda nga jeta më 03.10.1949, në hotelin “Ëinthrop” të Nju Jorkut dhe u varros në varrezat “Fernchiff” të SHBA. Është dekoruar me urdhrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.

Krijimtaria

Veprimtaria letrare, socio-kulturore dhe politike e Mithat Frashërit është shumëdimensionale.
Ai është konsideruar si njëri nga intelektualët më të shquar të brezit të vet. Gjatë pesë dekadave të sundimit të oktopodit komunist ai mbeti i hetuar dhe u quajt “reaksionar”, “tradhtar” etj. E vetmja tradhti që kishte bërë ishte ajo ndaj ideologjisë komuniste dhe ideologëve të saj.

Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin Kongresi i alfabetit, më 14 nëntor- 22 nëntor 1908. Mithat Bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit (kryetar i Komisionit ishte At Gjergj Fishta). Në moshën 32-vjeçare largohet përfundimisht nga Stambolli dhe udhëton për në Shqipëri, duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Në vitin 1912, në qeverinë e pavarësisë të krijuar nga Ismail Qemali ai zgjidhet ministër i Botores.

Mithat Frashëri është marrë me veprimtari publicistike dhe letrare si dhe ka përkthyer disa vepra. Nën drejtimin e tij janë botuar “Kalendari Kombiar”, “Lirija” dhe “Dituria”. Ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, novelat “Hi dhe shpuzë”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese socio-politike dhe etnike “Plagët tona” etj. Mit’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et a la l’Etranger ” (1919), “Albanis et Slaves” (919). Mit’hat Frashëri ka përkthyer në shqip veprat “Guillaume Tell” të Lamartinit (1898), “Bëje të mirën pa hidhe në det” e Franc Hofmanit (1900), “Robinson Crusoe” e Defosë (1909) dhe “Psikologjia e edukatës” e G. Le Bon