Për Geraldinën tonë në shtatore (Në ekspozitën për trëndafilin e bardhë të Budapestit)

Nga ROLAND QAFOKU
Regjimi komunist kurrë nuk e zuri në gojë. As për mirë e as për keq. Ai regjim që bashkëshortin Ahmet Zogu ia cilësonte tradhëtar, satrap, hajdut, e gjithëfarësoj epitetesh. Pikërisht ai regjim që nuk e kishte fare problem t’i binte në qafë Marilyn Monroe-së e Michael Jackson-it , Coca cola-s dhe Jack Daniels-it, nuk u mor kurrë me Geraldina Apponyi. Nuk i gjeti qoftë edhe një defekt të vockël, asnjë gabim, madje as njerëzor. Asnjë dhe asgjë për be. Se po ti kishte gjetur, nuk do ta falte jo. Rrjedhimisht për 45 vjet nuk ia përmendi fare emrin. E fshiu dhe populli pothuajse e harroi. Gati-gati sa brezat e lindur dhe rritur gjatë komunist, nuk e dinin fare se dikur kishin patur në fron një mbretëreshë. Dhe çfarë mbretëreshe se!E bukur në pamje dhe në shpirt, Geraldina Apponyi nuk ishte thjesht një grua me kurorë ari në krah të mbretit. Ajo ishte simbolika e mbretëreshës reale që përfaqësonte mirësinë, butësinë, embëlsinë, dashurinë dhe besnikërinë ndaj burrit por edhe ndaj kombit për të cilin mbretëronte. Kam patur fatin e madh dhe të rrallë njëkohësisht ta takoj këtë ikonë kur atë ditë të nxehtë të 28 qershorit të vitit 2002 mbërriti në Rinas. E drobitur nga rruga, mosha dhe sëmundja, gjithsesi mbretëresha gjeti forca të thotë: Sa më ka marrë malli për Shqipërinë! Ndërkohë ishte tejet emocionuese në ceremoninë e ekspozitës fotografike në Muzen Historik Kombëtar kur princi Leka gjatë fjalës së tij tha: Gjyshja ime hungareze e donte shumë Shqipërinë. Afërmendsh pyesim: Përse e donte Shqipërinë Geraldina? Ajo qëndroi këtu vetëm 11 muaj mbretëreshë dhe më pas e gjithë jeta e saj ishte në ekzil. Përse e donte Shqipërinë, këtë vend që më shumë i shkaktoi vuajtje se sa gëzime? Shkeli në tre kontinente dhe në dhjetra shtetet me plaçkat gati sepse shteti ku kishte qenë mbretëreshë I kishte ndaluar të kthehej. Përse e donte Shqipërinë, në të cilin u kthye pas 63 vjetësh me dëshirën që periudhën mbetur të jetës ta kalonte këtu? Ka në fakt një përgjigje: Ajo i dha dashurinë jo vetëm mbretit Zog por ajo i dha dashurinë edhe vetë mbretërisë, Shqipërisë. Prandaj teksa shikoja fotografitë e kësaj gruaje nga Hungaria e largët, nuk mund të mos ndjeja trishtrim për ata koka të nxehta shqiptarësh të viteve 2000 që kanë nisur të hedhin baltë mbi të dhe burrin e saj. Projekti për ngritjen e një shtatoreje në Tiranë në muajin nëntor, nuk duhet thjesht të përshëndetet. E them me bindje se ajo shtatore i bën nder Tiranës që jetoi dhe Shqipërisë që ajo mbretëroi. Asaj Shqipërie për të cilën gruaja e bukur nga Budapesti qendroi në fron për 11 muaj por që për 63 vite të jetës së saj iu desh të jetojë vetëm në vuajtje. Ditën që ajo shtatore do inagurohet, me shumë do vendos një lule në bazamentin e saj. Përulem me nder ndaj figurës së Geraldinës. Ishte mbretëresha jonë.