Koment mbi marrëdhëniet Shqipëri-Kinë. Çfarë presim nga Kina


Nga Indrit Vokshi

Në 70 vjetorin e Republikës Popullore të Kinës po flitet edhe në Shqipëri, aktivitetet celebruese e Kinës janë mbajtur edhe në Shqipëri, kanë shkruar portale, kanë folur diplomatë e ish-diplomatë, gazetarë e shtetarë. Kina pra nuk është diçka e cila mund të kalohet në heshtje.
Partia Komuniste e Kinës përbën rrezik si model politik, megjithëse për vende si Shqipëria ku fuqitë perëndimore kanë mbështetur modele politike afërsisht si të Kinës në logjikë por, largësisht si të Kinës në eficencë në zhvillim ekonomik e në prestigj politik, kjo nuk bën ndonjë përshtypje të veçantë. Çfarë mund të mbështesë e çlloj regjimi mund të promovojë Kina në Shqipëri më të mbrapshtë se ky që kemi sot? Regjim më censurues? Më oligarkik? Më në unitet pushtetesh e aspak ndarje pushtetesh? Jo. Një rregjim të njejtë mund ta mbështeste krejt mirë edhe Kina. Presidenti Xi ka deklaruar, për të qetësuar gjithkënd, se Kina nuk eksporton revolucion, pra Kina nuk mbështet një parti komuniste në një vend tjetër, kundër pushtetit në fuqi, kjo sepse Kinës i intereson tregtia e partneriteti ekonomik, pa pyetur kush qëndron në pushtet. Monarki apo oligarki, demokraci apo autoritarizëm, sipas Xi, Kinës nuk i intereson. Kina kërkon sot partneritet ekonomik i cili, pa dyshim në një të ardhme do të përkthehet në ndikim polik e social në vendin përkatës. Smund të shmanget kjo rrjedhojë. Ne si shqiptarë sna mbetet vetëm të jemi seriozë për veten tonë dhe t’i analizojmë pa patetizëm influencat. Smund të trajtohen dinamiakat gjeopolitike e tregtare duke sharë Kinën, ne, në emër të SHBA-ve. Duke kritikuar sistemin autoritar kinez, prej një vendi si Shqipëria të bërë zap prej njerëzish të cilët në Kinë, me nivelin që kanë do të emëroheshin numërues të thasëve të orizit dhe ky do të ishte fat për ta. Duke tentuar ne, si gjithmonë për të qenë më katolikë se Papa e më amerikanë se presidenti i Amerikës. Thjesht do të dukemi qesharakë dhe frymëzim humori si kryetari i koperativës në Lushnje i cili mbante fjalim para koperativistëve dhe i bënte thirrje presidentit të SHBA-ve: “Truman, thirri mëndjes”. Mirëpo në kuadër të mosberjes e mosdegradimit në frymëzim humori, lypset të ndalemi tek gjeostrategjia. Shqipëria si anëtare e NATO është vetvetiu dhe natyrshëm e kufizuar në mardhëniet si me Kinën, si me Rusinë. Janë detyrime dhe për të qenë seriozë detyrimet duhen respektuar. Askush nuk na ka detyruar të jemi aq proamerikanë.
Megjithë propagandën e natyrshme pro-amerikane e pro-europiane pas vitit 1991, përsëri, po të na ishin prezantuar opsione më të mira, sdo kishte shkuar shumë vonë e do t’i kishim përkrahur ato opsione. Në emër të “Leverdisë Strategjike” shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni skanë asnjë arsye pse të mendohen gjatë; ne duhet të përkrahim doninimin e Shteteve të Bashkuara. Rendi politik e diplomatik që Shtetet e Bashkuara mbështesin për Ballkanin është rend i cili shqiptarëve u leverdis. Po ta shohim më tej u leverdis të gjithë popujve të Ballkanit. I pengon në iniciativa të reja të zgjerimit dhe në avancimin e nacionalizmave, pa dyshim por, si balancim e nëse duan të punojnë për veten pa hartuar ngatërresa të reja, u leverdis. Shqiptarët në raport me SHBA nuk mund të ndjekin llastimin si argument.
Nuk ka detyrë SHBA as të merret me rrugët tona, as me shkollat tona, as me spitalet tona, asgjë e tillë. Kjo i takon vetëqeverisjes tonë ndaj nuk mund të presim prej SHBA-ve të na qeverisin. Ne duhet të kënaqeni me rendin ballkanik të vendosur prej SHBA e BE. Asnjëherë nuk e kemi pasur ketë fat e mundësi në kuptimin e balancave të Ballkanit. Kush njeh historinë e ka të qartë se si është luajtur prej 1878, 1912, 1920, 1945 e më pas.
Gjithçka tjetër ka një rëndësi dytësore e tretësore. Si ata të cilët presin nga të dërguarit amerikanë që ata të na fusin rrobat në lavatriçe dhe kur të dërguarit nuk e bëjnë ketë, këta zemërohen, si ata të cilët mitizojnë SHBA-të me qëllim për të fituar legjitimitet brenda vendit sikur janë mëkëmbës të SHBA dhe presidenti i nderuar i përshëndet para se të flenë, janë diçka kot. Janë personazhet e anës komike të mardhënies së një superfuqie me një shtet të vogël, komedi e cila nuk luhet vetëm ndër ne, por është luajtur zakonisht në shtete të vogla anëkand globit. Rëndësi ka “Leverdia Strategjike”. Nuk dihet se çfarë ndodh pas 300 vitesh por sot dhe në kohë të pacaktuar, shqiptarëve dhe të tjerëve u leverdis rendi i SHBA si më i përshtatshmi e më oportuni. Kjo nuk mund të na pengojë të jemi seriozë dhe të nënshkruajmë marrëveshje për arsim e bujqësi, shëndetësi e turizëm, si me Kinën si me Rusinë.
Jemi shtet prej 107 vitesh dhe smund të sillemi si zvarranike duke deklaruar se nuk u flasim me gojë kinezëve e rusëve sepse ata janë rivalë të amerikanëve. Duhet të shprehim respekt e dshamirësi për kinezët dhe rusët, për popujt pse jo edhe për qeveritarët e këtyne vendeve, duhet të jemi seriozë. Sikundër duhet të shpjegojmë se leverdia strategjike e lojës së madhe dhe e aspekteve themelore për ne, mbetet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.