Dhunimi i bustit të Mbretit Zogu I sot në Tiranë përbën veprim ordiner, vandal, anti-qytetar


Nga Indrit Vokshi

Dhunimi i bustit të Mbretit Zogu I sot në Tiranë përbën veprim ordiner, vandal, anti-qytetar i cili dëshmon se ideologjia komuniste, deformimi dhe fabrikimi i historisë kanë shkaktuar viktima dhe viktimat e tyre janë të gjalla.
Ahmet Zogu ishte një burrë i këtij vendi. Si djalë shqiptar ai në moshën 18 vjeç në 1913, marshoi në krye të ushtarëve tij kundër serbëve dhe malazezëve që mbanin të rrethuar Shkodrën tonë të madhe e të mirë. Asokohe populli i Matit i knoi: “Ahmet beg/ ku i çon kta trima/ n’Karadag me pre qefina/ Ahmet beg, ku e çon kte ushtri/ me luftu me Mal të Zi, me dhanë jetën për Shqipni..”. Ai u ndesh me ushtrinë armike në Kakarriq të Lezhës. Nuk mundi të ketë sukses sepse ushtritë serbo-malazeze furnizoheshin mirë nga Rusia. Ky qe Ahmet Zogu, djali-beu 18 vjeçar që i priu n’maje të kalit ushtarëve të tij. Më pas Ahmet Zogu 25 vjeç doli ministër i brendshëm nga Kongresi i Lushnjes. Vuni rendin dhe qetësinë, stabilizoi Shqipninë në kaos e anarki ku secili fis e taraf ishin gati t’i vinin flakën vendit po të mos u pëlqente qeveria. U tregoi shteteve të tjera se shqiptarët munden të vetëqeverisen, sepse kjo ishte premisa për copëtimin e mëtejshëm; kundërshtarët deklaronin se Shqipnia sduhet të ekzistojë pasi shqiptarët smunden të vetëqeverisen. Iu bë atentat brenda në parlament. Ahmet Zogu nuk zbatoi asnjë pikë të “marrëveshjes” së pretenduar me Serbinë. Pse nuk e zbatoi? Kush e ndaloi? Thjesht nuk pati një marrëveshje me Serbinë. Pati marrëveshje me Britaninë e cila prej Jugosllavie e ngjiti në pushtet.
Këto janë faktet.
Ahmet Zogu i dha Shqipnisë shtet kur nuk kishte shtet, institucione, prestigj dhe njohje. I dha Shqipnisë monarki, mbretneshë hungareze prej familjeje fisnike, princ dhe kurorë. Këto janë shumë të rëndësishme për kush kupton. I dha Shqipnisë bankë dhe kolegje, si Harry Fultz dhe Liceu Francez. I dha Shqipnisë burra shteti të cilët i mblodhi e i ftoi që të shërbenim si kryeministra, ministra, ambasadorë, sekretarë të ministrive. Kështu, ministra e ambasadorë të Zogut ishin Faik Konica e Rauf Fico, sekretarë Eqerem bej Vlora e Qamil bej Vlora (djali i Ismail Qemalit), Eqerem e Myfit Libohova, Mirash Ivanaj e Musa Juka, Hilë Mosi, Sotir Martini e Qemal bej Mesareja e të tjerë.
Këta ishin njerëz të cilët çdo shtet, Franca e Anglia, Amerika e Gjermania do ta kishte për nder t’i kishte dinjitarë sepse ishin rang perandorak. Sot ngrihen ata të cilët kujtimet e vetme nga jeta i kanë me koperativë, fermë, me komitetet idiote të partisë, me sigurimin kriminal të shtetit dhe, frymëzojnë urrejtje kundër Ahmet Zogut. Vrau kundërshtarët? Ishte koha e pushkës. Vrau se dëshën ta vrisnin dhe i bënë disa herë atentate, sa në parlament sa në Vjenë. Një poet i mirë ka shkruar: “Fakti që kemi traditë, dmth se paraardhësit kanë jetuar për ne”. Nëse e kemi sot atë pak traditë, atë pak krenari, atë pak pasuri materiale si bulevard e ministri, kryemintri e lagje vilash, tregon se disa paraardhës jetuan edhe për ne. Të tjerët më pas prodhuan burgje, kampe interrnimi, institucione propagande, rrethim me tela me gjemba, urrejtje, pushkatime, izolim, turp. Ndaj ata të cilët shkarravisin simbolin e fuqishëm dhe dinjitoz të Shqipnisë, duhen përçmuar.