De-ideologjizimi i ekipeve shqiptare

Nga Marlin Muça

Futbolli ne Shqipëri ka qënë politik edhe para basteve, biznesve të ndërtimit ,interesave elektorale dhe gjithë mishmashit së pas viteve 90. Në kohën e diktaturës, tre ekipet kryesore të Kryeqytetit simbolizonin disa qarqe të ndryshme politike e shoqërore të kohës. Partizani ishte ekipi që përfaqësonte Ministrinë e Mbrojtjes, armën e Sigurimit të Shtetit dhe gjithë aparatin e fshehtë të sigurisë së rregjimit. Ajo merrte lojtarët më të mirë, trajnimin më të specializuar dhe gëzonte një mbështetje të gjerë në gjithë Shqipërnië për shkak të natyrës së saj jo tradicionale dhe përkatësisë multikulturore. I dyti në rradhë vinte Dinamo, skuadra e Ministrisë së Brendshme të rregjimit komunist. Ashtu si sivëllau i tij i dikasterit të mbrojtjes, skuadra e Dinamos gëzonte privilegje të panumërta në botën sportive. Për vite me rradhë kampionati ndahej mes tij dhe Partizanit, ndërkohë që gara sportive shkallmohej nga ndërhyrja e aparatit të rregjimit edhe në të vetmin argëtim që ju kishte mbetur shqitptarëve në realitetin gri e të mërzitshëm të komunizmit. Skuadra e tretë ishte ajo e Tiranës.
E themeluar më herët nga dy ekipet e tjera, ajo mbart mbi vete traditën dhe historinë e qytetit dhe familjeve të mëdha të saj. Tirana ishte pëfaqësuesja e vetme e Kryeqytetit në jetën publike të vendit. I përjashtuar nga vendimmarrja dhe aspektet kryesore të realitetit të ri socialist, komunitetit fanatik tiranas i mbeti vetëm skuadra e saj e futbollit si instrumenti kryesor për të lënë gjurmë në një vend ku rregjimi punonte parreshtur kundër traditës dhe vlerave të vjetra qytetare. Mirëpo persekutimi nuk do të ishte vetem politik, por edhe sportiv. Tiranës i merreshin lojtarë, kampionate, madje rregjimi vendoste t`i dërgonte lojtarët e saj në zbor vetëm pak ditë para derbit me Partizanin apo Dinamon.
Në këto kushte, ndryshimet politike të fillim viteve 90, u panë si një zhvendosje e peshës sportive nga ekipet e regjimit drejt Tiranës që për disa përfaqësonte qytetin e zemrës e për disa të tjerë traditën, familjet e për rrjedhojë të djathtën konservatore të viteve 30. Me kalimin e viteve, jetës sportive në Shqipëri ju shtuan dhe organizimet e pavarura të tifozërive, Jo se në kohën e diktaturës nuk kishte tifozëri. Përkundrazi, derbit e kryeqytetit ndiqeshin me një kërshëri të jashrëzakonshme nga i gjithë populli shqiptar, ama ndarja në grupime tifozësh ishte e paimagjinueshme për kohën dhe e rrezikshme pë një rregjim të fiksuar pas rregullit dhe disiplinës në cdo fushë të jetës. Prindërit tanë tregojnë se në rastet kur një nga skuadrat bënte gol, dukej sikur i gjithë stadiumi cohej në këmbë pasi tifozët uleshin ngjitur me njëri tjetrin dhe nuk mund të dallohej në mënyrë të rregullt njëra palë apo pala tjetër.
Me krijimin e tifogrupeve, ndarja ideologjike e dy ekipeve tiranase, u bë akoma dhe më e dukshme. Koreografitë e tyre në tribuna ku shpeshherë evokoheshin personazhe dhe ngjarje historike si: Gjeneral Petrit Dume, një nga tifozët më të zjarrtë të Partizanit në aparatin ushtarak të kohës apo 20 shkurti, dita kur populli i Tiranës, pa dallime bindjeje sportive (sepse tani edhe në sport ka bindje) hodhi tuc bustin e urryer të diktatorit në sheshin Skënderbej, tregonin gjithnjë më e qartë se prapa derbit sportiv, tifozët shihnin një përplasje ideologjike të së vjetres së groposur nga e reja revolucionare (Tirana) dhe së resë revolucionare tashmë me peshën e 70 vitesh mbi supe, që i kishte mbijetuar epokës së re demokratike ( Partizanit).
Pas gati një dekade e gjysëm në të cilën është kultivuar një mendësi e vërtetë ultrasish në tifozërinë e të dyja ekipeve, alergjia e tribunave shfaqet herëpashere dhe në fushë ku tifozët zhveshin fanellat e tyre të zemrës për t`i zëvëndësuar në qeleshen me yll të komunistëve dhe qeleshen me shqiponjë të nacionalistëve dhe teshat e thjeshta të popullit të shtyput për 45 vite nga organet shtetërore që mbështesnin ekipet e tyre të futbollit. Kjo situatë nuk është aspak normale për jetën sportive në vend. Tifozëritë duhet të mbajnë vendin që i takojnë, duke mos luajtur role që historia i ka braktisur me kohë në rekuizitat e harresës. Shqipëria duhet të shpëtoje me cdo kusht nga hija e luftës që nuk ndodhi kurrë të vëllavrasjes, për mos ta lënë vetes peng të një të shkuare të ngjyer me gjakun e pafajshëm të mijëra patriotëve dhe intelektualëve. Zgjidhja nuk mund të vijë nga qielli, as nga dëshira e tifozëve për të vënë në pah superioritetin historik ndaj njëri tjetrit, por me anë të një vullneti politik të përkthyer mirë e qartë në ndryshime ligjore. Shqipëria duhet t`i shpallë të paligjshme simbolet e komunizmit, duke e detyruar ekipin e Partizanit të abrogojë simbolet e saj ekzistuese, për të përqafuar simbole të reja, më pak të rënda për kujtesën historike të një populli që vuajti ferrin nën hyqmin e yllit të kuq dhe grushtit që ngrihet turpshëm në stadium. Në këtë mënyrë evitohen dhe reagimet e shproporcionuara nga njerëz që kanë jetuar llahtarin prej atyre simboleve dhe arrihet nje konsensus shoqeror që sporti duhet të qëndrojë jashtë armiqësive historike mbi bazën politikën, kulturën, fenë apo dicka tjetër si këto.
Tiifozëria e Tiranës dhe të gjitha tifozërit e tjera duhet të heqin dorë nga koreografitë me përmbajtje të theksuar ideologjike dhe të kuptojë se komunizmi dhe cdo formë tjetër ideologjie apo sistemi politik totalitar ka marrë fund në Shqipëri dhe se marksizmi është një farë që nuk do të lëshojë kurrë më rrënjë në këto troje.
Le ta lëmë të shkuarën pas, le ti dënojme me ligj simbolet që na vranë, interrnuan e na përcanë. Sporti është një disiplinë bashkimi dhe shumë i vogël për të ndarë një popull me histori të jashtëzakonshme solidariteti dhe qëndrese mes njëri tjetrit.