Ismail Kadare viziton Malin e Zi, pritet nga Akademia e Shkencave dhe të Arteve

Shkrimtari i madh bashkëkohor, i konsideruar edhe si një ndër
shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të
20-të, Z. Ismail Kadare e vizitoi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të
Malit të Zi, të premten më 20 shtator, rapoton faktor.al

Shkrimtari eminent i letërsisë shqipe Z. Ismail Kadare, i shoqëruar nga
bashkëshortja e tij Znj. Helena Kadare, nga pronari i Shtëpisë Botuese
“Onufri” në Tiranë, Bujar Hudhri dhe nga redaktori i librave shqip në
Entin e Botimit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore në Podgoricë, Dimitrov
Popoviq është pritur nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve
të Malit të Zi, Z. Dragan Vukçeviq, transmeton faktor.al

Ismail Kadare gjatë kësaj vizite është takuar dhe ka biseduar edhe me
anëtarët e kësaj akademie, me akademikun, Gjorgje Borozan, me
akademikun, Pavle Pejoviqin, akademikun, Zuvdija Hoxhiqin, me akademikun
Jevrem Brkoviq dhe me Pavle Goranoviqin , anëtar i asociuar i ASHA –kut
i Malit të Zi.

Ndërkohë, gjatë këtij takimi kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të
Malit të Zi, Z. Dragan Vukçeviq, i ka dorëzuar Z. Kadare kartën për
anëtarësimin tij në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi,
i përzgjedhur për anëtar të jashtëm të kësaj akademie më 18 shtator të
vitit 2018.

Ndërkaq, pas këtij takimi shkrimtari Ismail Kadare i prononcuar për
mediat e pranishme, u shpreh se ndjehet tejet i lumtur që ndodhet midis
kolegëve të tij malazezë, duke thënë se ai përherë e ka ndjerë afër
letërsinë e Malit të Zi, qoftë të vjetrën apo të renë.

“Është hera e tretë që vij këtu dhe jam shumë i gëzuar për faktin se
çdoherë që vi e shikoj se vendi përparon”, theksoi Kadare në një
prononcim të shkurtër për media.

I pyetur nga gazeta “Koha Javore” për Çmimin prestigjioz “Pak Kyongni
2019”, me të cilin u nderua së fundmi nga Koreja e Jugut në mesin e 350
shkrimtarëve nga e gjithë bota, Z. Kadare e vlerësoi lart këtë çmim të
njohur botëror, duke thënë se është kënaqësi e madhe kur arti dhe
letërsia jonë bien në sytë e publikut botëror.

Ky çmim pritet të shoqërohet me një shpërblim monetar prej afro 84 mijë
dollarësh. Ceremonie ndarjes së këtij çmimi është parashikuar të mbahet
me 26 tetor, në Qendrën Kulturore “Toyi” në Korenë e Jugut.

Në të njëjtën kohë, kreu i ASHA – kut, Dragan Vukçeviq në prononcimin
për media ka thënë se kultura është rruga më e rëndësishme ndërmjet
shoqërive, popujve dhe shteteve të ndryshme, raporton faktor.al

“Në këtë rrugë, një ndër urat më të rëndësishme është ajo të cilën e
ndërtojnë artistët. Më vjen mirë që njëri ndër artistët e mëdhenj jo
vetëm të Shqipërisë dhe të letërsisë shqiptare por edhe të Ballkanit dhe
Evropës, Z. Ismail Kadare, i dorëzuam sot kartën e anëtarësimit për
anëtar të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të
Zi. Në këtë mënyrë ASHA shprehet se është mirënjohës dhe e hapur për të
gjithë ata që këtë çmim e meritojnë, pavarësisht dallimeve që na
ndajnë”, u shpreh kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të
Malit të Zi, Z. Dragan Vukçeviq.

“Unë besoj se për intelektualët, atdheu i vërtetë është kultura. Ardhja
e zotit Kadare në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi
është një ndër ata hapa në rrugën drejt afërsisë dhe të mirëkuptimit
ndërshtetëror të Malit të Zi dhe Shqipërisë”, përfundoi Vukçeviq.

Ismail Kadare ka lindur më 1936 në Gjirokastër. Është një ndër
shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht
për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Nisi të shkruajë
kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më
pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot
veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë
kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përjetshëm i Akademisë së Shkencave
Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me “Prix Mondial
Cino Del Duca”; më 2005 fitoi “Man Booker International Priz”e, më 2009
çmimin “Prince of Asturias Awards” për Artet, kurse në vitin 2015 Çmimin
“Jeruzalem”, e më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i
Legjionit të Nderit”.Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës
dhe Shqipërisë.

Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të
qëllimshme u shmang nga realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij
u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai
krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në
tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe
intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një
zë universal kundër totalitarizmit.